LAJME

Shaqiri: Ideja e bashkimit me Kosovën te shqiptarët e Luginës është përcjellë brez pas brezi

Mundësia e ndërrimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të madhe po përcillet sidomos në Luginë të Preshevës, pjesë kjo e trungut shqiptar që gjithmonë ka mëtuar t’i përkas Kosovës, aty ku edhe e ka vendin.

Shaqir Shaqiri, një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e më pas edhe i UCPMB-së, thotë se lansimi i kësaj ideje qytetarët e Luginës së Preshevës i sjell para një ideje të madhe, ngase shtrohet pyetja se cili është çmimi i një gjëje të tillë. Shaqirit ka një kohë e gjatë që i mohohet të vizitojë vendlindjen e tij, ngase një gjë e tillë ia ndalon pushteti serb. Lidhur me idenë e lansuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Shaqiri thekson se presidenti po deklarohet se nuk ka shkëmbim territoresh, as ndarje e as korrigjim, por vetëm bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, gjë të cilën shqiptarët e atjeshëm e kanë përcjellë brez pas brezi, ngase ajo pjesë gjithmonë ka qenë pjesë e trungut shqiptare, duke nisur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet e vitit 1910, Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912 e më pas edhe në demonstratat e vitit 1968, 1981, lëvizja për liri e deri te lufta çlirimtare. Shaqiri, thotë se edhe shqiptarët e Kosovës duan që Lugina t’i bashkëngjitet Kosovës dhe se shumë dëshmorë kanë dhenë jetën për një gjë të tillë.

“Kjo ide nuk është vetëm e presidentit Hashim Thaçi, por kjo është edhe ide e banorëve të Luginës së Preshevës e përcjellë brez pas brezi”, thekson  Shaqir Shaqiri, duke shtuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të pajtohen me ide të tilla nëse ka dëmtim substancial të Kosovës.

You Might Also Like