OPINION

Me rastin e pushimeve verore

Shkruan: Hoxhë Shaban Murati

Pas një viti angazhim, mundi dhe lodhje vjen edhe koha e pushimit të fëmijëve tonë. Këto momente të pushimit veror na japin neve shumë kuptime që kanë të bëjnë me jetën tonë. Janë momente të meditimit, mësimeve dhe këshillave për jetën tonë. Ditët e mësimeve dhe përfundimi i atyre ditëve i ngjajnë ditëve të jetës sonë dhe përfundimit të sajë. Ashtu si përfunduan ditët e mësimit gjatë vitit, ashtu përfundojnë edhe ditët e jetës sonë. Ashtu sikur që ka pat nevojë nxënësi, studenti për angazhim, për lodhje dhe mundim në ditët e mësimit për të përfunduar me një sukses të mirë dhe të lartë, ashtu myslimani, besimtari ka nevojë në jetën e tij për një angazhim, për një lodhje, për durim në urdhrat dhe ndalesat e Allahut, që të jetë besimtarë i suksesshëm dhe të fitoj xhenetin e Allahut. Testet dhe provimet në shkollë, të fëmijëve tanë na kujtojnë provimin që do ta japim par Krijuesit tonë, i cili është provim që vetëm një herë përsëritët dhe është provim përfundimtarë: “(Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari” ( Ibrahim 51). Rezultati i provimeve të fëmijëve tonë na kujton rezultatin që do ta marrim në ditën kur do të dalim para Allahut. Ata që janë angazhuar, janë lodhur dhe munduar, rezultatin e fletëve të provimeve do ti marrin nga ana e djathtë, si myzhde për kalimin me sukses të provimit përfundimtarë. E pastaj këtyre njerëzve do t’iu thuhet: “ Hyni në xhenet, në paqe të sigurt, takimi i juaj do të jetë me pejgamberët, me të sinqertit, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë”. Runa Zot që provimi i ynë mos të jetë kalues dhe mos të jetë i suksesshëm, për shkak të neglizhencës dhe përtacisë sonë, e të marrim rezultatin e letrave tona nga e majta e të përfundojmë në vendin e nënçmuar dhe të poshtëruar, në xhehenem. Shtëpinë që njeriu do të jetoj pas vdekjes është ajo shtëpi që ti e ke ndërtuar me veprat tua. Nëse kanë qenë vepra të mira, do të jetë shtëpi e mirë. Nëse kanë qenë vepra të liga, shtëpia do të jetë e keqe.
Islami ka nxitë në punë në angazhim në lodhje dhe mundim, që njeriu të fitoj lumturinë e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Por, pasi që ky Islam është i zbritur nga i Urti dhe i Gjithëdijshmi, i Cili hollësisht njeh natyrën e njeriut dhe nevojat e njeriut, Ai e diti se njeriun e kaplon lodhja, dhe ka nevojë për pushim dhe relaksim, dhe për ti ikur rutinës së përditshme në jetë, i caktoi njeriut dhe i lejoi atij që pushimi, relaksimi të jetë pjesë e jetës së tij. Ishte porosi e të Dërguarit të Allahut se edhe ndaj vetës ke obligim. Duke pat parasysh se njeriu nga natyrshmëria e tij ka nevojë për pushim dhe për relaksim, i Dërguari i Allahut, edhe pse njeriu më i mirë në sipërfaqen e tokës, me shumë obligime dhe përgjegjësi, me mision Hyjnorë, gjente kohë edhe për pushim dhe për relaksim, si dhe për ndonjë shaka me shokët e tij ( në suaza të realiteteve). Nga kjo mund të veçojmë atë që është shënuar nga bashkëshortja e tij Aisha, e cila thotë: “ Dolëm me të Dërguarin e Allahut dhe unë isha ende e re, nuk kisha shtuar në peshë dhe kur zbritëm në një vend, iu tha shokëve të tij ecni ju. Pastaj më tha mua eja të shohim se cili po vrapon më shumë. Filluam vrapimin dhe unë e munda. Kur morën një udhëtim tjetër dhe veç se kisha filluar të shtoj në peshë, zbritëm në një vend dhe iu tha shokëve të tij ecni ju, pastaj më tha eja të shohim se cili po vrapon më shumë. Filluam vrapimin dhe kësaj here më mundi. Atëherë i Dërguari i Allahut më ra në shpatulla dhe më tha kjo fitore është për shkak të fitores tënde të më hershme”.
Ky argument dhe disa argumente tjera tregojnë se shpirti i njeriut ndonjëherë ka nevojë për pushim dhe relaksim. Por, për fat të keq shumë prej njerëzve pushimet e tyre i shfrytëzojnë në gjëra të ndaluara, ose nuk dinë të përfitojnë prej pushimeve dhe relaksimeve të tyre.
Që myslimani të përfitoj nga pushimet e tij dhe në të njëjtën kohë të kënaqet në pushimin e tij duhet që ti ketë parasysh dy çështje me rëndësi: e para që të largohet nga gjërat e shëmtuara të cilat sot janë me shumicë, dhe e dyta që të pajiset me gjëra të mira dhe që kanë vlerë.
Prej gjërave të shëmtuara dhe të këqija që njeriu duhet ti ketë parasysh në pushimin e tij është që të largohet nga shoqëria e keqe. Shoqëria është shumë ndikuese në jetën e njeriut. Njeriu nga njëherë thithë nga sjelljet e shokëve të tij pa e hetuar fare. Çdo herë kur njeriu dëshiron të ngritët në ndonjë vlerë, shokët e tij e stopojnë dhe e pengojmë që të pajiset me ato vlera të mira. Myslimani duhet të largohet nga shoqëria e keqe dhe ti shoqëroj njerëzit që kanë ambicie të larta në jetë.
Prej gjërave që besimtari duhet të ketë kujdes është edhe koha e lirë. Ky është një problem shumë i theksuar sidomos te të rinjtë, nxënësit dhe studentët tonë, sidomos në kohën e pushimeve shkollore. Shumë nga devijimet e njeriut dhe prishjen e vlerave morale vinë si rezultat i kohës së lirë të tyre, si rezultat i kohës boshe që e kalojnë. Koha boshe, koha pa ndonjë planë, pa ndonjë punë të dobishme krijon te njeriu vesvese të dreqit, krijon mendime dhe probleme shpirtërore te njeriu. Fillojnë ti lindin mendime të këqija. Sikur të ishte i angazhuar në diçka, nuk do të kishte kohë të mendonte në këto gjëra të këqija. Boshllëku fizik i njeriut krijon edhe boshllëk shpirtërorë.
Prej gjërave të shëmtuara të njeriut janë edhe shprehja “ do ta”. Shprehja e njeriut “ do ta”, pa veprim dhe pa përpjekje, është një det që nuk ka bregdet. Shumë prej të rinjve mendojnë që të përfitojnë prej pushimit të tyre dhe bëjnë plane, mirëpo ju kalon pushimi me shprehjen “ do ta bëjë”. Mendon që të mësoj diçka nga Kurani , të lexoj ndonjë libër fetarë, të lexoj ndonjë libër shkencorë, ndonjë lektyrë shkollore, ndonjë roman, të shkoj në ndonjë aktivitet fizik, apo në ndonjë kurs avancimi, të gjitha këto ambicie dhe këto dëshira i shuan shprehja “ do ta bëjë”. Përfundon pushimi dhe e sheh se asgjë nuk ka bërë.
Prej gjërave të shëmtuara që njeriut, fëmijëve tanë ia gëlltisin pushimet e tyre pa ndonjë dobi, është edhe programet dhe kanalet e ndryshme televizive, përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale, informacione të cilat shkatërrojnë jetën e tyre, duke përhap gjëra të negative dhe duke bë fesat në tokë. Shumë prej medieve të tilla kanë për qëllim humbjen e vlerave fetare dhe kombëtare te të rinjtë tanë. Është një helm që po përhapet në shoqërinë tonë.
Andaj të nderuar besimtarë, studentë dhe nxënës!
Edhe pse janë pushime dhe njeriu ka nevojë për një çlodhje nga një rutinë disa muajsh, me gjithë atë mos i kaloni pushimet pa pat ndonjë përfitim nga këto pushime. Mëso nga Libri i Allahut diçka, çdo dit mëso dhe lexo diçka nga fjala e Allahut, lexo libra fetare, shkencore, lektyra shkollore dhe romane të ndryshme sepse të pasurojnë në dijen e përgjithshme. Vizito të afërmit, farefisin, shokët, miqtë, dashamirët, angazhohu në punët e shtëpisë, duke i ndihmuar prindit, nënës dhe të tjerëve në projektet familjare. Ndiqni kurse të ndryshme fetare, shkencore, avancuese, pikniqe të ndryshme. Vizitoni vende të ndryshme që të shihni bukuritë e Allahut dhe argumentet e Tij. Përfitoni dobi të shumta nga pushimi i juaj.

You Might Also Like