OPINION

Reagim i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan

 

Apologjia “auto da fe” e Qemajl Mustafës dhe pluhuri mbi “Heroin e Pomoravles”

(Reagim ndaj shkrimeve të z. Qemajl Mustafa, ish-Kryetar i Komunës së Gjilanit, bërë ditëve të fundit në llogarinë sociale dhe në medie elektronike ndaj historianëve të Gjilanit dhe Anamoravës)

 Z. Qemajl Mustafa,

Shqetësimet individuale jo gjithherë arsyetohen kur pretendohet të bëhen gjithëpërfshirëse. Në rastin tuaj, mënyra se si pretendoni ta përfshini komunitetin e historianëve në debat për një çështje që ne e kemi dhënë fjalën më parë, konsiderojmë se është e gabuar për faktin se ironia, cinizmi dhe fyerjet e shoqërojnë diskutimin tuaj në profilin e llogarisë në rrjete sociale dhe në medie elektronike.

Ne nuk dëshirojmë të polemizojmë me individë apo grupe shoqërore joprofesionale, mirëpo, meqë “na tërhoqe me imponim” dhe duke mos pritur një qasje të tillë nga personaliteti juaj intelektual dhe politik, atëherë po përpiqemi të ju tregojmë se ku ndodhen historianët e Anamoravës, me theks të posaçëm “djemtë” e “Ali Hadrit”, të cilët me sa kuptojmë ne, nuk i keni vlerësuar, nuk i vlerësoni dhe as nuk i respektoni.

Së pari, më 13 maj 2010, kur e themeluam degën e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Gjilan, menjëherë pas disa ditësh (më 17 maj 2010) ju kemi drejtuar juve si Kryetar i Komunës së Gjilanit për mbështetje. Kërkesa jonë ishte ndarja e një objekti ose zyre për të realizuar kontributin tonë profesional dhe kombëtar. Deri në fund të mandatit tuaj si Kryetar i Komunës së Gjilanit ju kemi drejtuar me kërkesa zyrtare dhe jozyrtare, por kurrë nuk na keni dhënë përgjigje. Shikoni Arkivin e Komunës për atë kohë! Rrjedhimisht, disa takime i realizuam në mjedise të Fakultetit të Edukimit dhe pasi bëmë kërkesë me shkrim në organet e Fakultetit na u refuzua mbajtja e mbledhjeve nga drejtuesit e tij me arsyetimin se ndalohet çdo aktivitet i këtij lloji në mjedise universitare. Dhe, për dijeninë tuaj, “djemtë” e “Ali Hadrit” u detyruan të organizonin mbledhje në ndonjërën nga kafiteritë ose restorantet e qytetit. Me gjithë vështirësitë që u ballafaquan, “djemtë” e “Ali Hadrit” nuk e pushuan aktivitetin.

Së dyti, në fillim të vitit 2012, me rastin e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, “djemtë” e “Ali Hadrit” hartuan një projekt për shënimin e këtij jubileu edhe në Gjilan, duke organizuar simpoziumin shkencor me titull “Roli dhe kontributi i Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1878-1912)”. Siç e dini edhe ju, kemi realizuar dy takime për të kërkuar mbështetjen e Komunës së Gjilanit, por në të dy takimet na keni refuzuar me arsyetimin se “nuk ka mjete”. Në rastin e tretë, me sa duket pas qëndrimit tonë kategorik ndaj këtij Projekti dhe pas “sugjerimeve nga lart” na keni thirrur në takim dhe pyetja juaj ka qenë “Sa para ju duhen për me realizu këtë simpozium?”. Mjetet për simpoziumin u gjetën. Me gjithë presionet për ndërhyrje në përzgjedhje të referuesve dhe vështirësitë të tjera, simpoziumi u realizua më 31 tetor 2012, madje u përgatitën materialet edhe për botim, por që nuk panë dritën e botimit për shkak të mungesës së mjeteve materiale. Atë ditë, pothuajse menjëherë pas fjalës përshëndetëse, ju keni lëshuar sallën e teatrit, duke dhënë mesazh se nuk jeni në gjendje të ndiqni punimet e simpoziumit, të cilat i nderuan profesorë nga e gjithë gjeografia shqiptare.

Së treti, “djemtë” e “Ali Hadrit” dhanë kontributin e tyre në Akademinë kushtuar Idriz Seferit, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, më 15 tetor 2012. Me këtë rast, Profesor Aliriza Selmani ka kërkuar që Idriz Seferit t’i ngrihet një shtatore në qendër të qytetit. Me gjasë ju kujtohet kur Profesori ju drejtua personalisht juve me këtë kërkesë. Siç e dini edhe ju, këtë Akademi e organizuat me qëllim zvetënimin paraprak të simpoziumit të 30 tetorit.

Së katërti, po këta, “djemtë” e “Ali Hadrit”, me gjithë vështirësitë objektive, nga 1 deri më 14 shkurt 2013, për nder të 5 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, organizuan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Kuizin e Diturisë nga lënda e historisë me titull: “Ta njohim historinë tonë nga lashtësia deri më sot”. Ky aktivitet u realizua me sukses.

Së pesti, “djemtë” e “Ali Hadrit” nga viti 2013 deri në më 2017 kanë dhënë kontributin e tyre profesional dhe madje kryesor në Këshillin Komunal për Vlerësimin e Meritave Historike e Shoqërore të Personaliteteve dhe Ngjarjeve nga Territori i Komunës së Gjilanit, Tërësia Etnike Shqiptare dhe më gjerë.

Së gjashti, “djemtë” e “Ali Hadrit” po ashtu kanë dhënë kontribut të veçantë gjatë punës së hartimit të Monografisë së Gjilanit dhe rrethinës, me gjithë cilësinë dhe të metat që e shoqërojnë atë.

Së shtati, “djemtë” e “Ali Hadrit”, përkundër vështirësive objektive dhe materiale, në “bashkëpunim” me Komunën e Gjilanit, më 17 shtator 2013, organizuan një sesion për Zonën Operative të Karadakut në luftën e UÇK-së. Siç e dini edhe ju, atë ditë mbahej e mbyllur dera e tetarit të qytetit “me urdhër nga lart” dhe mjetet për pagesën e kumtesave nuk u dhanë kurrë.

Së teti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, në fund të vitit 2013, për shkak të mungesës së një zyre, në mjedise të Universitetit Publik të Gjilanit, realizuan “ilegalisht” Kuvendin Zgjedhor dhe formuan Kryesinë e re.

Së nënti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 22 dhjetor 2014, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit kanë organizuar me sukses e kanë dhënë kontribut me kumtesa profesionale në Akademinë kushtuar 70 Vjetorit të Masakrës së Gjilanit 1944/1945.

Së dhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 15 tetor 2015, kanë marrë pjesë me kumtesa profesionale dhe kanë dhënë kontribut në Akademinë kushtuar Metush Krasniqit, të organizuar nga Komuna e Gjilanit.

Së njëmbëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 9 qershor 2016, kanë dhënë kontribut profesional, duke u paraqitur me kumtesa në Akademinë kushtuar Skifter dhe Kastriot Arifit.

dymbëdhjeti, duke konsideruar në gatishmërinë e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, për të bashkëpunuar dhe përkrahur komunitetin e historianëve, më 26 nëntor 2015, së bashku me Kryetarin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Profesor Fehmi Rexhepin, “djemtë” e “Ali Hadrit”, bënë kërkesë zyrtare në Komunë të Gjilanit për ngritjen e një shtatore të Idriz Seferit në Qendër të Qytetit. E njëjta kërkesë, më 17 tetor 2016 i është dërguar edhe Komunës së Prishtinës, por nga organet dhe drejtuesit e saj ende nuk kemi marr përgjigje zyrtare dhe jozyrtare.

Së trembëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 25 mars 2017, për nder të 170 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vdekjes, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, organizuan Tribunën Shkencore me titull “Idriz Seferi – një jetë për Shqipëri (1847-1927)”. Për dijeninë tuaj, kjo Tribunë Shkencore u realizua me sukses.

Së katërmbëdhjeti, më 30 shtator 2017, me përkrahjen e familjes së Nuhi Berishës, për nder 56 vjetorit të lindjes së Nuhi Berishës, “djemtë” e “Ali Hadrit organizuan Tribunën Shkencore me titull: “Nuhi Berisha – jeta dhe veprimtaria atdhetare në Lëvizjen Ilegale Shqiptare në Kosovë (1961-1984)”. Për dijeninë tuaj, punimet e saj u realizuan me sukses.

Së pesëmbëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, përkundër angazhimeve nga jeta e përditshme, po përpiqen me gjithë vështirësitë materiale të përfundojnë të gjitha fazat e shkollimit si në ciklin e parë, në ciklin e dytë dhe në ciklin e tretë të studimeve. Për mbështetje në studime, “djemtë” e “Ali Hadrit” kanë parashtruar edhe kërkesa zyrtare në Komunën e Gjilanit, por sikurse nga ju dhe Kryetari i tanishëm, nuk kanë gëzuar përkrahje. Dhe, për dijeninë tuaj, “djemtë”  e “Ali Hadrit”, vetëm për të kryer me sukses shkollimin e lartë janë detyruar të futen në borxhe e kredi. Paralelisht me këtë, “djemtë” e “Ali Hadrit” kanë dhënë kontributin e tyre profesional përmes pjesëmarrjes në konferenca, simpoziume, tryeza e akademi shkencore. Kanë publikuar artikuj, reagime e shkrime profesionale në revista shkencore brenda e jashtë vendit, në shtypin ditor dhe në medie elektronike. Përmes tyre kanë ndriçuar të kaluarën e Gjilanit, rrethinës, Anamoravës dhe gjithë trojeve shqiptare. Me kërkesë të “djemve” të “Ali Hadrit”, Presidenca e Republikës së Kosovës ka dekoruar me medalje figura historike nga treva e Gjilanit dhe Anamoravës. Duke vendosur kurora lulesh në varreza, “djemtë” e “Ali Hadrit” kanë nderuar heronj, dëshmorë, martirë, të rënë dhe viktima të lirisë dhe bashkimit kombëtar të popullit shqiptar. “Djemtë” e “Ali Hadrit”, me tërë aktivitetin e tyre janë bërë partner profesional në kalendarin e festave zyrtare të Komunës së Gjilanit, siç është “Flaka e Janarit” etj., dhe kanë krijuar autoritet profesional në organe adekuate komunale.

Së gjashtëmbëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit” respektojnë Statutin dhe Programin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës dhe nuk merren me çështje të lëvizjes ose zhvendosjes së shtatoreve në qytetin e Gjilanit, por japin kontributin e tyre përmes mendimeve e kërkesave profesionale, siç kanë bërë për Idriz Seferin, Mulla Idriz Gjilanin, Ramiz Cernicën, Kadri Zekën, Abdullah Tahirin etj.

Së fundi, Profesori i nderuar Skënder Rizaj, na ka lënë një fjalë të madhe në formë porosie për kujdes: “Gjatë gjithë jetës profesionale si historianë do të keni një vështirësi të madhe, sepse njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore si: agronomë, inxhinier, mjekë, ekonomisë, juristë, gazetarë etj., do ju flasin e do të përpiqen të ju mësojnë për histori dhe historiografi”. Pra, sikurse në rastin tuaj.

 

  1. Qemajl Mustafa,

Ne, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, duke shprehur mirënjohje për të gjitha momentet që kanë karakterizuar gatishmërinë tuaj për bashkëpunim dhe duke shprehur zhgënjimin me ju për nënvlerësimet, presionet dhe refuzimet për bashkëpunim gjatë kohës sa ju keni drejtuar qytetin e Gjilanit, kërkojmë publikisht të distancoheni nga gjuha e urrejtjes, cinizmit, fyerjeve dhe insinuatave në drejtim të komunitetit të historianëve.

 

Gjilan, 6 nëntor 2017

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan

You Might Also Like