OPINION

Rexhep Kadriu pyet deputetët nga Anamorava: Çka do t’i thoni tash qytetarëve të Gjilanit?

Rexhep Kadriu

Mungesa e votave për t’i ratifikuar sot Marrëveshjet Ndërkombëtare Financiare, është papërgjegjësi totale e deputetëve në raport me interesin e qytetarëve.

Në shkurt të vitit 2018 në Samitin e Londrës, organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte prezantuar mbi 30 projekte nga Komuna të ndryshme të Kosovës, por edhe projekte rajonale dhe projekte nga sektori privat në vlerë rreth 600 milionë euro. Projekti Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Komunën e Gjilanit ka qenë projekti i dytë i cili ka kaluar në këtë Samit si projekt me interes dhe me rëndësi të madhe.

Inatet politike i kushtojnë vetëm qytetarëve, jo partive politike. Miliona euro hera e dytë që të zgjedhurit e popullit po i refuzojnë. Është e turpshme që në sy të botës Kuvendi i Kosovës përveç që nuk e luan rolin e tij, edhe e dëmton për çdo ditë interesin e përgjithshëm. Nuk është gjithçka politike, dhe nuk do të duhej që deputetët të merren me agjenda partiake sepse janë zgjedhur për t;i përfaqësuar interesat e qytetarëve, e që fatkeqësisht po i shkelin për ditë.

Përfitues të drejtpërdrejte të këtij projekti janë qytetarët e Gjilanit, ku do të kenë një ambient më të pastër. Në projekt përfshihen kolektorët e ujërave të zeza, ku do të investohet në një gjatësi prej 38 kilometra, për të përfunduar me impiantin për trajtimin e ujërave të zeza.

Ky projekt përveç përfitimeve ekonomike do të ketë edhe përfitime të tjera në mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve. Gjithashtu, projekti në masë të konsiderueshme do të zvogëlojë vëllimin e ndotjes në lumenjtë Mirusha dhe Morava. Vëllimi i zvogëluar i ndotjes në lumenjtë Mirusha dhe Morava gradualisht do të përmirësojë ekosistemin e lumit dhe jeta ujore në këta trupa ujor do të rehabilitohet. Projekti do të ketë ndikim pozitiv në cilësinë e ujërave nëntokësore. Zgjerimi i sistemit të kanalizimit dhe largimi gradual nga gropat septike do ta zvogëlojë ndotjen e ujërave të cekëta nëntokësore, në masë të konsiderueshme, duke ndërprerë infiltrimin e kanalizimit në ujëra nëntokësore.

Impianti i Ujërave të Zeza në Gjilan, nuk është i një ose dy partive politike, madje nuk është i asnjë grupimi politik. Ndërtimi i tij është interes i përgjithshëm, prodhon zgjidhje afatgjate. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Gjilani, në situatë normale do të duhej t’i votonin këto marrëveshje qoftë edhe në kundërshtim me partitë të cilave iu takojnë, sepse përmes votës pro do të përfitonte komuna në të cilën marrin vota, por meqë veprimet e tyre tani e sa kohë nuk përkojnë me normalitet, atëherë edhe mos votimin e këtyre marrëveshjeve e quajnë normale.

Kur ata erdhën në pushtet përmes votës me shumicë nga Gjilani, i ndalën projektet kapitale të cilat do t’ia ndryshonin jetën qytetarëve të Anamoravës, ndërsa publikuan projekte të reja që nuk kapin shifrën e 50 mijë eurove. Tani nuk i votojnë as marrëveshjet financiare, nuk e di me çfarë guximi politik iu drejtohen qytetarëve tanë. Sinqerisht, kemi të bëjmë me mungesë ekstreme të moralit dhe llogaridhënies.

Thjeshtë, ky është turp!

You Might Also Like