Shkruan: Arijeta Rexhepi, këshilltare e Kuvendit Komunal nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje! Gjilan
Qytetar të Komunës së Gjilanit, respektivisht banorë të LAGJËS DARDANIA.
Në Komunën e Gjilanit janë kërkuar nga Drejtoria e Administratës së Përgjithshme dy prona komunale me qëllim të hapjes së zyrës së gjendjës civile, njëra në lagjen “Arbëria”, kurse tjetra në lagjen “Dardania”.
Nga Drejtoria e Administratës për tu ndërtuar kjo qendër në lagjen Dardania është kërkuar të ndërtohet në oborrin e shkollës “Selami Hallaçi” me një sipërfaqe prej 200 metra katrorë, ndëra në lagjen Arbëria në “ Parkun Arbëria”.
Unë si banore e lagjes Dardania, mësimëdhënëse e kësaj shkolle si dhe anëtare e Kuvendit Komunal në Gjilan jam kundër ndërtimit të kësaj zyre në oborrin e shkollës. Për një vendim të tillë nuk është njoftuar as diskutuar me asnjë banor të lagjes.Nuk është bërë asnjë analizë për të ardhur në një përfundim se kemi nevojë për këtë zyre, e asnjë analizë e mirëfillt për lokacionin e saj!
Në këtë lagje afër postës së vogël kemi E-kiosken e cila mund të ofron shërbime të njëjta, por drejtori i administratës dhe komuna nuk është e interesuar ta funksionalizojë. Kemi mundësinë e aplikimit online për tu pajisur me 9 lloje të dokumenteve të ndryshme , por edhe nuk kemi largësi nga Qendra e zyrës civile për tu shërbyer me dokumentet e nevojshme.
Në lagjen Dardania ka edhe prona të tjera komunale gjithashtu është edhe ndërtesa e inkupatorit të biznesit me lokale të lira, pra ka mundësi tjera të shumta për prona tjera ku të ndërtohet kjo zyrë e jo të ndërtohet në oborrin e shkollës.
Në shkollë frekuentojnë 1500 nxënës brenda ditës e së bashku me ta edhe prindërit, mësimdhënësit.
Në bazë të gjendjës së tanishme shkolla ka nevojë për zgjerim te parashkollorët pra objekt të ri , ka nevojë për aktivitetet sportive e aktivitete të tjera për ta shfrytëzuar oborrin e shkollës, planifikohet që mësimi të jetë tërë ditorë ku do të ketë nevojë për zgjerime të hapësirës duke patur nevojë për klasa të reja, ka nevojë për gjelbërim ku fëmijët tanë të shohim një pamje më të mirë e të qetë.
Pasojat me ndërtimin e kësaj zyre janë të shumta, do t’i cenohet lëvizja e lirë, fëmijet nuk do të kenë hapësirë të mjaftueshme për aktivitetet e parapara me mësimdhënësit e tyre, e nuk do të mund të bëhet edhe zgjerimi i këndeve të lojrave siq parashihen në planin zhvillimor të shkollës.
Në mbledhjen e KPF-së të mbajtur më 22.05.2019 kam kundërshtar që kjo pikë e rendit të ditës të vijë në seancën e Kuvendit me arsyet që i ceka më lart, por njerëzit të cilët nuk mendojnë për fëmijë por për interesa të ngushta të tyre e propozuan për në Kuvend .
Mbledhja e Kuvendit Komunal do të mbahet të enjten më datë 30.05.2019 ku do të vendoset me anë të votave se a do të lejohet apo jo ndërtimi i kësaj zyre. Gjithashtu janë të njoftuar nga ana ime drejtoria e shkollës dhe këshilli i prindërve, ndërsa nga Drejtoria e Arsimit nuk kemi dëgjuar asgjë!
Mos ti lëkundim fëmijët nga shtëpija e tyre e dytë, ti lëmë në hapësirë e paraparë për ta prej shumë vite me rradhë, të punojmë për t’i sjellur diqka të mirë e jo ti mirret oborri i shkollës ku e kalojnë kohën e tyre më të mirë!
Shpresoj se banorët e kësaj lagje , këshilli i prindërve si dhe anëtarët e Kuvendit do të marrin hapat e duhur për të parandaluar këtë veprim të pa menduar mirë.
“Që të jemi në kujtimet e fëmijëve tanë nesër,duhet të jeni në jetën e tyre sot!”