Shkruan: Mr. Sc. Izmi Zeka
Kosova e vitit 2016 ishte një pamje jo e mirë e prezantuar nga jashtë për shkak të ngjarjeve të shumta që ishin pasqyrë e keqe në opinionin ndërkombëtar ku dhe pengesat ishin tejet të mëdha si në aspektin e funksionimit të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Kjo pasqyrë natyrisht nuk përfaqëson qenien kosovare ashtu si është në realitet por megjithatë dërgoi sinjale të pakëndshme për vetë rriten dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Interesat nacionale nuk po mund të dallohen prej atyre partiake kshtu që vetvetiu janë penguar proceset politike dhe integruese të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar. Ishte vërtet vit i rëndë për funksionimin e institucioneve të Kosovës por jo vetëm kaq edhe investimet të cilat do të kishin mundur të jenë prezentë në Kosovë ato nuk gjetën shtrat dhe ambient të duhur që shikuar realisht penguam vetveten dhe humbësi më i madh në këtë rrafsh mbesin qytetarët. Ndryshimet që po ndodhin në arenën ndërkombëtare nuk duhet të shihen të shkëputura nga konteksti kosovar. Nuk jemi përjashtim por as të rezistueshëm ndaj lëvizjeve dhe ndryshimeve të çfarëdo qofshin ato në hartën evropiane e më gjërë. Prandaj ky vit i përshkallëzuar me tema që në shikim të parë duken tabu nuk arsyeton qëllimin fisnik të qytetarëve të thjesht të Kosovës. Duhet të mësohemi me ligjet e demokracisë në mënyrë që vetë funksionimi të jetë në kohezion me filozofin shtetëformuese dhe rregullat që janë interes vital i shtetit dhe integrimeve të saj. Në emër të shtetit dhe patriotizmave të tejshkuar nuk mund të justifikohet defunksionalizimi i institucioneve por edhe pengimi i zhvillimit si ekonomik, shkencor, kulturor etj. Duhet të kuptohet se shtetet e vogla dhe ato në pikënisje të zhvillimit të tyre nuk e kanë komoditetin të bëjnë eksperimente me brishtësinë e vetë si dhe me frytet e krijuara me shekuj . Nuk duhet analizë e tepruar për të vlerësuar ekzakt ku jemi nëse vetëm i referohemi të kaluarës sonë historike, fuqisë tonë,zhvillimin tonë por edhe rrethanave politike që ishin dikur e që për “miqësi” mbetëm të shpërndarë në shumë shtete. Po e citoj Faik Konicen i cili shkruante “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898). Mbase ky sindrom për një pjesë duket një natë e errët megjithatë ne duhet të kuptojmë qartë se Kosova dhe shqiptarët mbi të gjitha janë vetë ekzistenca dhe shtrirja në përmasa të rregullave dhe mundësive për politikë gjeostrategjike evropiane. Pa dashur shtetin , kombin nuk mund të shohim dritë në fund të tunelit. Historia ka ruajtur freskinë e saj dhe kjo freski ka shenja kudo në hartën ballkanike e më gjerë. Rilindësit e deshën atdheun por nuk arritën ta shohin duke lulëzuar asnjëherë. Ata i shkruan këngë,poezi, balada ata krijuan idenë e shtetit por nuk arritën ta shohin atë ide të jetësuar. Tani kur jemi në shekullin e XXI materializimi i shtetit nuk paraqet vetëm dukje por një realitet të pakthyer. Nuk është imagjinatë por një vepër e klasikëve të idesë shekullore. Jo rastësisht Sami Frashëri shkruan po citoj “Ay shqiptar që lë vëllezërit e tij e ndahet nga shqiptarët për t’u bashkuar me armiqt’ e Shqipërisë i hequr prej besës, ay është tradhtar, është armiku i kombit e mëmëdheut. Të këtillë, shqiptarë më mirë të mos jenë se të jenë. Këta duhet të vështrohen si armiq e jo si shqiptarë”. Për fund Kosova apo më qartë shqiptarët janë në proces dhe të futur në agjenda evropiane e amerikane të cilat paraqesin rrugën e nisur me qindra vite. Megjithatë ligjet e natyrës nuk mund të kthehen mbrapa dhe si rezultat i saj të dëmtojmë shtetësinë e Kosovës pra mos të harrojmë se ne nuk jemi qendra e botës ku nga sillet globi.