Futboll

Dy gjilanase prej janarit në FC ZÜRICH

Dy futbollistet gjilanase Antigona Behluli dhe Blerta Shala, nga janari do të jenë pjesë e klubit zviceran FC ZÜRICH Frauen. Këtë e ka pohuar Gani Musliu, bashkatdhetar i yni në Zvicër, i cili ishte ndërmjetësues që këto dy futbollist të spikatura, që të dyja pjesë e përfaqësueses, të kalojnë në futbollin zviceran. Antigona Behluli në stinorin vjeshtor ishte golashënuesja më e mirë në Ligën e Femrave në Futboll, derisa Blerta Shala ishte mesfushorja më e mirë, një lojtare me një teknikë të përsosur dhe kreatore e shkëlqyeshme e lojës së futbollit.

Tani më ftesat zyrtare kanë mbërri në familjet Shala dhe Behluli dhe këtë e pohon edhe menaxheri Gani Musliu, i cili ka  thënë se është i privilegjuar që do t’i përcjell këto dy futbolliste në karrierën e tyre evropiane.

Gani Musliu, thotë se kjo është një karrierë interesante për këto dy lojtare. Sipas tij është shtuar interesimi për futbollistet kosovare, kurse gjithsesi se KF Hajvalia, që ka qenë pjesë e garave evropiane sivjet i ka dhënë një imazh të mirë futbollit femëror të Kosovës, ngase luajtën mirë sivjet. Edhe ekipi Intelektualet nga Gjilani është një ekip shumë interesant dhe trajneri i tyre Afrim Mehmeti ka punuar mirë me lojtaret. Zvicra për këto lojtare do të jetë një përvojë e re, ka thënë Gani Musliu, i njohur në Zvicër edhe si refer i futbollit për një kohë të gjatë.

Afrim Mehmeti, kryetrajner në KF Intelektualet, thotë se bëhet fjalë për dy lojtare shumë të mira, pjesë e përfaqësues së Shqipërisë dhe Kosovës. Ai beson në cilësitë e këtyre dy lojtareve, duke thënë se ato dyja shumë shpejt do të bëjnë emër në futbollin zviceran dhe më gjerë. Në ekipin e tij ka edhe lojtare të tjera, të cilat sigurt po ecin hapave të Antigonës e Blertës.

Antigona Behluli, qendërsulmuese, thotë se një pjesë e ëndrrës së saj po realizohet dhe se ajo do të punojë shumë që të arrij synimet e saja, derisa edhe Blerta Shala, lojtare me imagjinatë të shkëlqyeshme, thotë se jeta e saj është futbolli dhe se do të punojë shumë që të përparojë sa më tepër në këtë sport të dashur për të.

Antigona Behluli dhe Blerta Shala janë shoqe që nga fëmijëria, bashkë luajtën në KFF Intelektualet e në përfaqësuese e bashkë do të luajnë edhe në klubin e tyre të ri FC FC ZÜRICH Frauen në Zvicër. Ato i pret një karrierë e ndritur.

 

You Might Also Like