Riza Abdyli, aktivist i njohur në degën e PDK-së, këshilltar komunal dhe ish-shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Asamblenë Komunale në Gjilan ka kaluar në AAK. Kjo është bërë e ditur këtë të mërkurë në një konferencë të jashtëzakonshme të shtypit.
Nazim Gagica, kryetar i degës së AAK-së në Gjilan, ka thënë se ky subjekt politik në Gjilan po forcohet jo vetëm në Gjilan, por se ajo ka përfaqësuesin e saj edhe në degët në diasporë. Gjatë prezantimit të sapo të ardhurve të rinj, drejtues të AAK-së në Gjilan, por edhe nga qendra kanë derdhur kritika në adresë të pushtetit në Gjilan, duke thënë se ka mungesë të punëve e të investimeve.
Nazim Gagica, ka thënë se në AAK-në e Gjilanit ka shumë aderime, të personaliteteve të ndryshme. I sapoardhuri në AAK, ka uruar që aderimi i tij të mos jetë i fundit, por që në të të mos ndalet vargu i aderimeve për t’a ndryshuar qeverisjen komunale në Gjilan. Riza Abdyli, tha se nga tash e tutje kontributin e tij do t’a jap në AAK.
Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së në nivel qendror, ka uruar të sapoardhurit dhe ka theksuar se AAK po e fiton besimin tek qytetarët e Gjilanit, subjekt që ka aftësi për të qeverisur. “Në komunat ku ne udhëheqim jemi shembull, treguam gatishmëri për t’u ballafaquar me problemet ekzistuese dhe kemi aftësi për të qeverisur. Edhe aty ku bashkëqeverisim kemi besimin e qytetarëve të Gjilanit. Do të bëhemi forca që do të udhëheqim me Gjilanin. Tashti kemi stagnim në Kosovë e ne po luajmë rol konstruktiv, duke mos parë interesin e partisë, por interesin e Kosovës”, ka thënë Isufi që ka kërkuar bashkim e që t’i përvishemi punës./kryelajmi.com/.