Rrëfenjë odash në qytet
RRËFIMI PËR LËNIEN E DUHANIT
Shkova te një kushëri i babës tim, Jetullah Kadriu, për t’ia bërë për hajër lënien e duhanit. Jeton këtu në Gjilan, ka shumë vite. Ka qenë mësues në shkollën fillore “Liria” të Pogragjës, prej nga vjen, më pas në shkollën “Thimi Mitko” të qytetit. Gjatë periudhës së pushtimit klasik të Kosovës nga Serbia, mësues Jetullahu qe një nga pajtimtarët kryesor të gjaqeve në Anamoravë e më gjerë, bashkë me shokë të mirë, si ishte akademik Mehmet Halimi, mësuesi Reshat Shaqiri, Xhelil Pajaziti, një shok tjetër, shumë punëtor, që quhej Vebi Krasniqi etj. Është burrë i odës e ia di mananë si rrallëkush, prandaj pa e nguc pak nuk bënte. Ka fjalë e doja ta merrja ndonjë që s’e kam dëgjuar ndonjëherë. U përshëndetëm si zakonisht. Edhe po bëhej një bisedë e qetë. Dikur nxora paketën e cigares edhe po e sillja nëpër duar qëllimisht.
– Ndeze, çka po prit? më tha.
– Pata me ndez po tabllat i paskeni humb, veç n’e shkundsha në tepih, ia ktheva përsëri qëllimisht.
– E, jo, më tha ai, për ty e kam ruajt tabllen time. Edhe e nxori nga aty afër ku e kishte fshehur.
– T’u rritë ndera, – i thash. E të qoftë për hajër lënia e duhanit, se veç burrat e fortë e lënë duhanin!
Hajër pritsh! Ma ktheu.
– Po, pasi e paske ruajtur tabllen tënde për mua, ma paske borxh t’më tregosh si e la duhanin se edhe unë i kam punët keq.
Siç ish ul në kanape, tërhoqi këmbët dhe i vendosi kryq, si thuhet këmbëkryq. Nuk flet ndryshe kur biseda merr ngjyrën e odës, bile edhe të folurit e ndërron:
– Po, tha, po të kallëzoj. Pasi isha qu në sabah, e ndeza nja. O Zot, më m’ërtheu kolli, sytë po më dilnin prej vendit. Dikur erdha në veti. E kam shiku mirë cigaren që po e mbaja në dorë. E shtypa në tabëll. U fik. Nxora kutinë me duhan edhe e qita përpara, si noj herë kur e qitsha noj nxënës të keq te dërrasa e zezë. Iu drejtova duhanit. I fola me za, edhe randë besa. “S’e kam prit qeta prej teje. Qysh bre pate me ma nxjerr shpirtin. Besa s’e ki veç sot, po moti kohë ja ke nis e une jam ba që s’po t’shoh. Po sot e teprove me ka krejt. E për qata po du me ti numru disa fjalë. Të kam ble në Alizare t’Kuamovës si kamën e sokolit, sari si dylli. Tinëz të kam bajtë deri n’shpi. Me tutë besa se me m’pas zanë policia e shkaut mu më kishin rreh, edhe m’kishin denu, e ty t’kishin marrë krejt, ku me ditë n’dorë t’kujt kishe ra. Masanej, t’kam bajtë në kuti t’fakfonit, t’kam pi me cigarllak qelibari. Ku kam shku me veti t’kam marrë. T’kam qit para njerëzve e kush ni fjalë të keqe për ty s’ka mujt me thanë. I ke pëlqy edhe atij që t’ka pi, edhe atij që s’t’ka pi. E kurrë s’e paske ba mend k’tahen. Për qata, sot kofshim prisht. Me mu nuk je mirë. Shko kah të dush!”.
“Po, mos u gut e ta pleqnojmë ket’ punë, m’u drejtu duhani! A e di sa nervozen ta kam heq? Sa gabimet s’t’kam lanë m’i ba, m’u kthy ai. Tue më mbështjell mue fjaltë t’kanë dalë për qefi, qysh e ka lyp puna, ndash kadalë, ndash shpejt, ndash të lehta, ndash të randa. Belivallaha, edhe shoq ma t’mirë nuk ke pasë. Kurrë s’ta kam prishë. N’dy t’natës qohemi, qohemi t’kam thanë”. Nuk e lash ma gat, jo se mujke me ma thye menen. U bitis kjo punë, i thash idhshëm. Krejt n’kofshin t’vërteta qato fjaltë e tua, nuk vlejnë para jetës teme. Edhe dy ditë në jetofsha, bare të jetoj si njeri e jo tu m’i mush ti mushknitë me t’ziftë sa që frymë s’un po ngina. Lyp shoq tjetër kund e mos gjetsh, a me mu ashtu-kështu prisht je.
Me qekaq jam da me ta, edhe kurrë ma s’jemi zatet”, e përfundoi tregimin për lënien e duhanit mësues Jetullahu.
Sherafedin Kadriu