Katër dekada më parë, Sabit Rrustemi kishte botuar poezinë e tij të parë e tash, kur ai ka të botuar një mal librash, poeti ka shënuar dyzet vite krijimtarie letrare, duke u bërë emër i njohur në letrat shqipe. Për të shënuar një jubile të tillë janë përkujdesur miq të tij, bashkudhëtarë në krijimtarinë letrare të Sabit Rrustemit, duke organizuar një mbrëmje poetike me përplot befasi, deklamime të poezive të poetit, sikurse edhe me punime nga më të llojllojshmet për veprat e Sabit Rrustemit.
Interesant ishte rrëfimi i poetit Sabit Rrustemit për rrugëtimin e tij letrar, që prej kohës kur babai i tij, i rikthyer nga Vjena për pushime në vendlindje në Zhegër dhe shëtitja nëpër Gjilan, kur si dhuratë kishin blerë libra për të nisur më pas me përpëlitjet e para për t’u marrë me poezi, me poezitë e para të botuara. Poeti i këndonte dashurisë e i këndonte edhe atdheut dhe shkrimet patriotike e dërguan edhe në burg, por ai përkundër kësaj kurrë nuk u nda nga të shkruarit, për t’i mbetur besnik edhe tashti.
Katër dekada më pas, në Bibliotekën e sapopëruruar, në një ambient me shumë libra ishin mbledhur kritikë letrarë, poetë, lexues e dashamirë të librit, për të nderuar poetin Sabit Rrustemi.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, gjithnjë ka qenë i frymëzuar me shkrimet e Sabit Rrustemit. Ai ka çmuar lart krijimtarinë e Rrustemit, duke rikujtuar çaste interesante në rrugëtimin e përbashkët, duke e cilësuar atë mik, bashkëudhëtarë politik dhe të atillë që i dha emër Gjilanit. Rastësi apo e qëllimshme, Hazirin dhe Rrustemin i bashkoi edhe një ngjarje, katër dekada krijimtari letrare të Rrustemit dhe dita e inaugurimit për kryetar të Lutfi Hazirit, në mandatin e tij katërt.
Prend Buzhala, kritik letrar u ndal te profili letrar i Sabit Rrustemit që nga viti 1977 e deri më tash. Ai veçanërisht u ndal në shkrimin e poetit pas të cilit edhe u burgos dhe botimet e tij më pas u ndaluan, duke thënë se Sabit Rrustemki shkroi në vargje e në prozë.
Ramadan Musliu foli me theks të veçantë për tematikën e dashurisë në poezinë e Sabit Rrustemit në një punim të titulluar “Erosi në poezinë e Sabit Rrustemit, duke thënë se poeti gjithnjë krijoi gjendje emocionale në krijimet e tij.
Irena Gjoni nga Shqipëria kishte marrë në duar një dorëshkrim të Sabit Rrustemit, atë më të fundit, ku sërish poeti i këndonte dashurisë dhe në të kishte 118 poezi të strukturuara e që në mbrëmjen e befasive ndodhi që poeti tani më e kishte botuar atë libër, që doli të jetë dhurata më e bukur për mysafirët e tij.
Anton Nikë Berisha, foli për prozën e Rrustemit, për të cilën tha se në të ka po aq poezi sa në vargjet e Sabit Rrustemit, dëshmi më e mirë ishin pjesë të shkëputura nga proza e poetit.
Sherafedin Kadriu, në një studim të titulluar “Liria metaforike e një poezie” u ndal te libri i poetit me titull “Pa një vdekje mbes” e Mehmetali Rexhepi, kishte përzgjedhur të flas për poezinë patriotike të Sabit Rrustemit. Edhe Nexhat Rexha, çmoi lart krijimtarinë letrare të Sabit Rrustemit, por ai më tepër u ndal te aktivitetet kulturore, pjesë e të cilave në organizim ishte Sabit Rrustemi, për të cilin tha se po e mbanë gjallë jetën kulturore në Gjilan.
Gjylishene Berisha, në emër të organizatorëve, nuk kurseu fjalët falënderuese për këtë orë solemne letrare, sikurse as rektori Bajram Kosumi, shok i gjeneratës së poetit, shok i studimeve dhe i orëve të përbashkëta letrare, atëherë kur këndohej për lirinë e Kosovës.
Në këtë orë solemne deklamuan pjesë të zgjedhura Ramadan Kurti, Xhezide Selimi e Diana Toska, të përcjellë nën tingujt e kitarës që me mjeshtri luante në të, Mehmetali Arifi.