Futboll

Sallah Sherifi e nis me fitore te Vllaznia e Pozharanit

Këtë të diele, në Pozharan është luajtur derbi i Anamoravës në Ligën e Parë të Kosovës ndërmjet Vllaznisë së Pozharanit dhe Kikës së Hogoshtit, ndeshje në të cilën Vllaznia ka fituar me rezultat 2:1.

Tre gola të shënuar, një penalti e humbur, shumë emocione dhe futboll cilësor e kanë veçuar këtë ndeshje hapëse në Ligën e Parë të Kosovës.

Fillimisht ka udhëhequr Vllaznia në pjesëlojën e parë, kur Halabaku ka shënuar për 1:0. Më pas Vllaznia ka dyfishuar në pjesëlojën e dytë rezultatin kur në minutën 63 ka shënuar Osmani për 2:0.

Kika pati rast të artë të ngushtojë rezultatin kur fitoi një penalti, por gjuajtjen e Lirian Feratit e priti portieri i Vllaznisë. Pas përpjekjeve të shumta, mysafirët ia dolën që të shënojnë në minutat shtesë të ndeshjes nëpërmjet Dërmakut.

Në stolin e Vllaznisë në këtë ndeshje ka qëndruar trajneri historik i këtij ekipi, Sallah Sherifi, i cili vite më herët duke qenë kryetrajner i Vllaznisë kishte arritur që këtë ekip ta inkuadrojë në Superligën e Kosovës në Futboll.

Sallah Sherifi, pritet të jetë vlerë e re në klubin e Vllaznisë dhe që në ndeshjen  e parë ai dëshmoi se Vllaznia do të luajë krejt ndryshe në këtë kampionat.

Sherifi deri para nisjes së kampionatit kishte qenë drejtor teknik në SC Gjilani, por që tashti sërish i është kthyer zejes së trajnerit, punë të cilën me shumë sukses e kishte kryer në të kaluarën, duke arritur rezultate kulmore./kryelajmi.com/.

Sallah Sherifi, kryetrajner i Vllaznisë

You Might Also Like