Një nga dhuratat më të mira për tifozët e futbollit mund të jetë edhe një fanellë e skuadrës së zemrës.
Fatin për këtë dhuratë e kishte edhe një vajzë, tifoze e klubit të Gjilanit e cila u befasua nga klubi gjilanas me rastin e ditëlindjes.
Rrezarta, tifozja e Gjilanit një ditë para ditëlindjes shprehu dëshirën e saj në Twitter që “dhurata e ëndrrave” për të do të ishte një fanellë e klubit.
“Nesër e kom ditelindjen edhe “dream gift” dhurata ëndrrave kishim qenë në fanellë e Gjilanit me nënshkrime t’krejt lojtarve. Po edhe nje urim prej SC Gjilanit ish kon mjaftueshëm”, shkroi një ditë para tifozja.
Drejtuesve të klubit iu ra në sy menjëherë shkrimi i tifozes, andaj edhe ia plotësuan ëndrrën.
Klubi i dhuroi asaj fanellën e tretë të skuadrës me nënshkrimet e të gjithë futbollistëve dhe emrin e mbështetëses me numrin 17.
“Një dhuratë e vogël për një nga mbështetësit tanë me firmat e të gjithë lojtarëve, urime edhe njëherë”, ka shkruar Gjilani në Twitter.