OPINION

Selami Latifi, njeriu i fjalëve të pakëta por i punëve të mëdha

 
 
 

Shkruan: Nijazi Musmurati  

Këtë shkrim i dedikoj njeriut të rrallë, njeriut largpamës, njeriut expert dhe puntorë, njeriut të qetë e të pafjalë, njeriut modest dhe meritor, njeriut të thjeshtë, bujar, të sinqert dhe të zgjuar, njeriut bëmirës, solidar apo më mirë të themi njeriut të sakrificës dhe përkushtimit në shërbim dhe ndihmë njerëzve në nevojë dhe të vuajtur kombtarisht. Me punën, mundin, interesimin, guximin dhe vullnetin e tij të përhershëm u kishte dalë në ndihmë njerëzvet në ditët më të vështira. Pra, siç thot populli njeriu i mirë në ditë të vështira. I tillë ishte Selamiu. Njeriun si Selamiu ky shkrim është shumë i pakët dhe i mangët. Meriton shkrime të përhershme. Jetë e mote i jemi mirënjohës veprave të shumta të formave të ndryshme në dhënjen e ndihmës së gjithanshme të burgosurve politik dhe një pjese të familjeve të tyre, përkrahjen dhe arsyetimin e qëllimit të demonstratave të vitit 1981, ndihmën dhe përkrahjen e palëkundër dhe të arsyeshme të luftës së ndodhur të UÇK-ës etj. Me Selami Latifin na lidhin shumë gjëra. Fjala e popullit thot: mikun e zgjedh nevoja, kurse shokun zemra. Por, të keshë mikun përveq mik edhe shok është më shumë se madhështore. Pra, Selamiun përveq që ishim miqë, ishim mëtepër se shokë. Selamiun e kishim dhëndërr, por e kishim shumë më shumë se dhëndërr. Selami Latifi lindi në Janar të vitit 1956 në Përlepnicë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. U regjistrua në gjimnazin e Gjilanit, por me të dëgjuar për hapjen e gjimnazit matematikor në Prishtinë, i përvishet punës për të konkuruar dhe me sukses të plotë arrinë të jap provimin pranues. Atë kohë për t’u regjistruar në këtë shkollë, interesimi ishte jashtzakonisht i madhë nga të gjitha trevat shqiptare. Të katër vitet e këtij Gjimnazi të posahapur në atë kohë i përfundoi me sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore. E kërkonin të punonte në shumë shkolla, por Selamiu vendosi të shkonte edhe mëtutje. Pas kryerjes së Gjimnazit Matematikor, regjistrohet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Me punë të përhershme, vullnet dhe përkushtim të plotë që të ketë një diplomë universiteti ia arriti qëllimit që i kishte parashtruar vetit duke e përfunduer në një afat rekord me notë të lartë mesatare. Hyri në mesin e ingjinierëve të parë të diplomuar të elektroteknikës që premtonte shumë për të ardhmën. Atë kohë ky kuadër universitar ishte më se i kërkuar, por Selamiu vendosi të inkuadrohet në komunën e vet për të dhënë kontributin e tij sadopak si ingjinier i parë i diplomuar dhe ashtu ndodhi. Në fillim u inkuadrua në Shkollën Teknike të Gjilanit e më pastaj për të kaluar në Telekom të Gjilanit sëbashku me bashkëshortën ku dhanë kontributin e tyre të çmuar. Kuadrot shqiptare të asaj kohe u shikonin jo mirë nga regjimi i atëhershëm i pushtetit. Çdo kuadër i shkolluar shqiptar për regjimin e atëhershëm u kosideronte dhe u shikonte me skepticizëm – si halë në sy. Shqiptarët e pashkolluar ishin më të afërt dhe më të pëlqyer. Gjatë punës në Telekomin e Gjilanit, Selamiu sëbashku me bashkëshortën si ingjinierë të parë nuk u pritën aspak mirë nga pushtetarët. Patën telashe dhe sfida të shumta. Pas demonstratave të vitit 1981 kuadrot shqiptare filluan t’i shohin me sy kritik dhe të rrezikshme, duke filluar të bëjnë dalngadalë diferencimin dhe izolimin e tyre nga procesi i punëve që kryenin. Në Telekomin e Gjilanit punoi deri atëher kur shqiptarët filluan t’i largojnë më te madhe nga puna. Me të larguar nga puna Selamiu me disa shokë filloi të punoj në sektorin privat. Me të çliruar të vendit filloi punën përseri në telekom por tani nëTelekomin e Kosovës në Prishtinë. Derisa punonte në Gjilan pati peripeti të ndryshme. Pas shpërthimit dhe ndodhjes së demonstratave pranverore të vitit 1981 Selamiun sëbashku me bashkëshortën – Arifën fillojnë t’i izolojnë nga puna duke i vendosur në një kthinë përkatësisht zyrë të vogël duke mos patur kurfar kontakti me punën të cilën e kishin kryer me përgjegjësi. Është dashur të shkohet heret në mëngjes për tu mbyllë në atë zyrë që nuk i plotsonte fare kushtet e zyrës. Deri në përfundimin e orarit të punës duhej të qëndronin në atë zyrë. Këtë kohë Selamiu e shfrytëzoi me shumë kujdes për të lexuar libra të ndryshëm ngasa nuk e lejonin të kryente asfarë pune edhe pse kishin shumë nevojë. I konsideronin si të rrezikshëm dhe të papërshtatshëm për të punuar në vendin e tyre të punës. Ky qëndrim kësisoji ndodhi një kohë të gjatë duke i diferencuar dhe izoluar. Përveq si ingjinier, Selamiu u merrte me leximin e librave dhe revistave të ndryshme të kohës. Lexonte romane të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Shpeshherë e gjejmë me shkrime të ndryshme në gazeta dhe revista të botuara të asaj kohe. Kishte sens të te shkruarit në shtjellimin dhe trajtimin e temave të ndryshme të asaj kohe. Gjatë kohës së ndodhjes të vëllaut tim në burg, Selamiu u sjell dhe u gjind si është mësemiri. Vetëm njerëzit me integritet të kompletuar, njerëzit e paisur me edukatë dhe shkollim adekuat të arrirë me punë dhe djersën e vet, njerëzit intelektual si Selamiu e kuptonin peshën e rëndë të situatës që rëndonte mbi supet e popullit tonë pas vitit 1981. Nuk mund t’i përshkruaj të gjitha të mirat që i bënte Selamiu atë kohë të pa kohë për familjen time, por edhe për disa familje të ish të burgosurve politik të tyre. Ishte e vështirë dhe e rrezikshme t’i ndihmoje familjet e të burgosurve politik në atë kohë, por Selamiu gjithnjë gjente rrugë, forma dhe mundësi tjera për të iu dalë në ndihmë. Populli thotë kush don dhe deshiron gjithnjë gjenë mënyra, kush nuk do gjenë arësye. Pra, Selamiu gjithherë gjeti mënyra dhe forma të ndryshme në ofrimin e ndihmave të ndryshme të burgosurve politik dhe familjeve të tyre në gjëra ushqimore dhe para edhepse u rrezikonte shpeshherë. Ndihma u ofronte përmes njerëzve të ndryshëm, miqëvet dhe të afërmëve të tyre gjithnjë pa bë zë dhe rrahagjoks. Vetura e tij shërbeu jo vetëm si veturë familjare por gjithherë ishte në shërbim të bartjes së lloj lloj gjërave ushqimore e sidomos në gjetjen dhe bartjen e miellit dedikuar familjeve në nevojë të te burgosurve politik të vitit 1981 e më vonë. – Përveq në gjëra uhqimore, në rroba dhe ndihma tjera, Selamiu me migjën e tij të ndjerë HAZIR HAZIRI – LATIFI – puntor në Gjermani, njerëzit në nevojë të asaj kohe i kishin ndihmuar me para e sidomos disa familje te të burgosurve politik. Deri sot nuk kam parë askund ndonjë shënim apo shkrim për të ndjerin HAZIR HAZIRI – LATIFI që nuk u kursye asnjëherë të iu dal në ndihmë shumë familjeve të te burgosurve politik. E përmenda migjën e tij HAZIR HAZIRI – LATIFI puntorë krahu në Gjermani i cili ishte shumë i përkushtuar për vendlindjen dhe për situatën që mbretëronte at kohë në Kosovë, nuk ishte kursyer asnjlher në dhënjen e shumë ndihmave për lëvizjen politike dhe të burgosurit politik. Të lumtë HAZIR HAZIRI – LATIFI përzemërgjërsinë dhe bëmirsinë tënde, për përpjekjet tuaja dhe përkrahjen e parreshtur të burgosurve politik dhe kërkesën Kosova Republikë. Shpirti juaj u prehtë në paqë në Kosovën e lirë që aq shumë e deshte dhe punove për te. Lavdi! Për këtë njeri i shkruajta këta pak rreshta për aq sa e njoha. Një pjesë e njerëzve apo vendasve të ndihmuar dhe të përkrahur nga bacë HAZIRI, e që dinë shumë për aktivitetin e tij nuk duhet të heshtin por të shkruajnë. I tillë ishte shpirti i tyre human dhe solidar në përkrahjen e njerëzve hallegjinjë. A nuk meritojnë këta njerëz bile një falënderim publik? shokët që ishin në pozita të ndryshme shtetrore pas luftës, në mos tjetër – një mirënjohje të thjeshtë për kontributin e tyre të dhënë në ato kohë më se të vështira! jo as edhe këtë gjënë më të vogël nuk e bënë. – Të kthehemi përseri te Selamiu. Selamiu si një njeri i shkolluar, i edukuar dhe arsimuar me një veqori dhe përsonalitet të rrallë të formimit intelektual, lexonte shumë libra dhe revista. Gjthashtu lexonte me një interesim të veqant literaturë ilegale të kohës që e siguronte nga kanale të ndryshme, njerëz dhe shokë të besuar. I ndjeri dhe i pavdekshmi, heroi i kombit Rexhep Malaj në një rast më thot: Njerëzit e arrirë profesionalisht si Selamiu e të tjerë duhet t’i ruajmë dhe t’i vendosim në krye apo udhëheqje të ndërmarjeve, kompanive të ndryshme të mëdha dhe mos t’i rrezikojmë në asnjë mënyrë. Kështu mendonin dhe punonin njerëzit e mëdhenjë si Rexhep Malaj. – Derisa e kisha vëllaun në burg – Basriun në Zenicë, nëna ime tani e ndjerë u pat bë merak të shkonte t’a vizitonte djalin e saj sepse kishte kaluar kohë e gjatë që nuk e kishte parë. Të shkonte me autobus ishte rrugë e gjatë dhe autobusi gjithherë e ka munduar shumë dhe ate në relacione shumë të shkurtra. Një ditë nga ditët në vijim, Selamiu si gjithëher vigjilent me drejtohet duke më thënë: se jam interesuar që nëna e juaj të shkoj të vizitoj Basriun në Zenicë me aeroplan deri në Sarajevë e pastaj me ndihmën e taxisë të shkoni në Zenicë. Njeri i thjeshtë, fjalë pak, i pa lavd por i punëve të mëdha i kishte kryer të gjitha punët rreth sigurimit dhe rezervimit të biletave për aeroplan duke treguar se biletat e aeroplanit i kam siguruar në relacionin Shkup – Sarajevë filan datën me nisje ora 8.00h të mëngjesit nga Shkupi dhe me kthyerje në të njejtën ditë në mbrëmje nga Sarajeva për Shkup ora 19.00h. Të gjitha me hargjime të veta. Kështu ishte Selamiu i fjalëve të pakëta por i punëve të mëdha. U nisëm heret në mëngjes me Selamiun dhe nënën time me veturë të Selamiut për të mbërri në Shkup para orës 8.00h. Selamiu na ka pritur tër ditën në aerodromin e Shkupit derisa jemi kthyer nga Sarajeva në mbrëmje. Fluturimi me aeroplan zgjati dy orë shkuarje dhe ardhje. Me të zbritur nga aeroplani në Sarajevë menjëherë morëm një taxi për Zenicë. Zenica nga Sarajeva kishte 80 kilometra. Vizituam vëllaun në burgun qendror të Zenicës sëbashku me nënën dhe përseri u kthyem me taxi në Aerodromin e Sarajevës ku kishim fluturimin për Shkup ora 19.00h të mbrëmjes. Në Shkup mbërrimë në ora 20.00h ku na priste Selamiu dhe nisemi për Gjilan ku arritëm në ora 22.00h. Pra relacionin Gjilan – Shkup – Sarajevë – Zenicë dhe anasjelltas e bëmë brënda një dite. Kush e bën këtë? Kush vepron kështu? kush rrezikonte? vetëm njerëzit me ideal të flakët për atdheun, njerëzit e edukuar, njerëzit me horizont të gjërë të diturisë dhe karakter të fortë që bartnin në shpirtë peshën e rëndë të ngjarjeve që përjetonte populli ynë atë kohë. Bravo Selami Latifi! – Selamiu u burgos në vitin 1983 duke e etiketuar si nacionalist, oportunist dhe përkrahës i demonstratave të vitit 1981, por pa patur asfar fakte apo argumente, vetëm si i dyshuar e mëpastaj për t’u burgosë përseri më 1991. Të dy herave të burgosjes kishte mbajtur nga dy muaj burg. Gjatë qëndrimit në burg në vitin 1983 përveq torturave dhe shantazheve që i kishin bërë, udbashët shqipfolës ishin përzier në çështjet e brëndshme familjare. Djalit të tij të parë të lindur më 1982 që e kishte pagzuar me emrin LIRIDON, udbashët shqipfolës të asaj kohe (për të cilët kam shkruar me emër dhe mbiemër në disa shkrime të mëparme) i kishin bë presion dhe tortura psiqike për pagzimin me këtë emër të djalit duke i thënë se ju a nuk keni liri? a nuk jeni të lirë? duke u tallë dhe duke i bër lloj lloj sharje dhe fyerje. Kështu ishin udbashët shqipfolës të asaj kohe duke menduar se do u hynë në hatër dhe shërbim kriminelëve serbë. – Në kohën kur u mbanin gjëja zgjedhje të lira në vitin 1991, e që ishim akoma nën qizmen shtypëse serbe, Selamiu caktohet në nëndegën e tij si udhëheqës i mbarvajtjes së zgjedhjeve të asaj dite. Policia serbe e arrestojnë në vendin e votimit dhe e dënojnë me dy muaj burg. – Menjëherë posa filloi lufta Selamiu dhuroi një televizor për Shtabin e UÇK-së të Zonës operative të Karadakut. Gjatë luftës Selamiu ndodhej në fshatin e tij të lindjes në Përlepnicë dhe ditën që sulmojnë fshatin Ushtria dhe policia serbe i përzënë fshatarët në mëngjes duke i rrahur një pjesë të vëndasëve dhe fillojnë djegëjen e shtëpive. Rrugës për në Maqedoni kishin përjetua shumë pengesa, trauma dhe tortura të ndryshme. Pas arritjes në kamp dhe qëndrimin disa ditë, Selamiun me familje të ngushtë e kishin dërguar në Finlandë, kurse vëllazërit e tij me familje dhe disa vendas i kishin derguar në SHBA e gjetiu. Pas çlirimit Selamiu u këthye menjëherë dhe u inkuadrua menjëherë në Telekom aty ku kishte qenë duke punuar e mëpastaj për të kaluar në Telekomin e Kosovës në Prishtinë ku dhe u shpërngul menjëher nga Gjilani në Prishtinë. Udhëheqja e jonë e pasluftës (ku ishin edhe një pjesë e atyre që i kishte ndihmuar në mënyra të ndryshme) nuk e panë të arsyshne që këtë njeri me përgaditje të lartë profesionale, këtë expert të rrallë, këtë ingjinier, këtë njeri të ngritur dhe të ditur me një përvojë të gjithanshme ta emrojnë ndonjë udhëheqës të Telekomit apo të ndonjë institucioni tjetër që do ta drejtonte me dije dhe profesionalizëm të lartë. Kjo është non sens! Gjatë qëndrimit në Finlandë i kishin ofruar vend të rëndësishëm pune duke ia parë aftsitë dhe përgaditjen profesionale, por Selamiu kishte refuzuar se do të kthehem në vendin tim dhe aty ta vëj në dispozicion tër potencialin dhe bagazhin tim, eksperiencën dhe dijën time prej experti. Njerëzit e pushtetshëm nuk e përkrahën Selamiun që të vie në krye të ndnjë institucioni. Ofruan në udhëheqje të telekomit, të ndërmarrjeve publike, në kompani, borde,institucione etj. lloj lloj njerëzish – bile bile edhe me të kaluar të dyshimt, por asnjëherë dhe asnjërit nuk ju bëri përshtypje dhe nuk u kujtuan dhe vepruan që këtë expert të rrallë dhe të besuar që ta ofrojnë në ndonjë pozitë të udhëheqësit apo t’a ndiej nga afër dorën e zgjatur të këtij pushteti për të cilin kishte dhënë kontribut të jashtzakonshëm dhe kishte sakrifikuar aq shumë. A nuk është më shumë se hipokrizi! Tani Selamiu që punoi dyzet vite në Telekom të Kosovës, në Janar të këtij viti 2021 mbushi 65 vite dhe arriti moshën e pensionimit pa i shkuar mendja asnjërit asnjëher që t’a ofrojnë afër veti këtë kuadër të vyer për të dhënë kontributin e tij profesional prej experti dhe të drejtoj ndershëm ndonjë kompani, ndërmarrje apo institucion. Gjilan, 16.04.2021

You Might Also Like