OPINION

Si ta mbrojmë gruan nga dhuna?

Valetntina Bunjaku – Rexhepi

Sipas meje, këto janë disa masa mbrojtëse ndaj gruas:

1. Politikat e punësimit pavarësojnë gruan, dhe me këtë e sigurojnë shumë vendimin e saj dhe heqin frikën për divorc para se të eskalojë konflikti bashkëshortor;

2. Sigurimi i gruas se aty ku është, qoftë te familja e origjinës, apo e bashkëshortit, do të ketë pasuri dhe pronë, po aq sa i takon, barabarësisht;

3. Pas punësimit, pronës, asaj i duhet siguria dhe drejtësia nga policia e gjyqësia. Nëse ka raste të shpeshta të dhunës ndaj grave, të themelohet një Gjykatë në afat prej 10 vjetësh, sikur ka Gjykata për çështje të veçanta, të merret vetëm me rastet e dhunës ndaj gruas, duke i përshpejtuar procedurat dhe rastet. Po ashtu, gjykatat duhet të veprojnë njësoj, si për kanosjen e familjes së presidentit Hashim Thaçi, si për çdo familje tjetër. Në këtë kanosjen ndaj familjes së Thaçit, policia e arrestoi menjëherë, por edhe gjykatësit nuk e lëshuan. Po ta bënin të njëjtën gjë ndaj gruas së ndjerë në Gjakovë, e cila e raportoi kanosjen, por nuk u mor seriozisht, do të shpëtonin dy jetë të pafajshme njerëzish;

4. Sipas disa raporteve të OKB-së, fatkeqësisht, dhuna ndaj grave është akoma e madhe në shumë shtete. Më së shumti prijnë burrat e paarsimuar, të varfër, por edhe me besime të gabuara rreth barazisë gjinore. Prandaj, edhe në Kosovë, duhet të investojmë në arsim cilësor. Ndoshta do të ishte mirë, që në klasët e para, të kemi një lëndë shkollore, për një periudhë mësimore, me emërtimin “Barazia gjinore”;

5. Duhet trajnim i gjerë i policëve, prokurorëve dhe gjykatësve për barazi gjinore. Jo rrallëherë, kanë vetë paragjykime gjinore;

6. Duhet themeluar një Fond financiar për mbrojtjen e gruas, e cila do të ndihmonte  për banim, strehim dhe rehabilitim, çdo grua që i nënshtrohet dhunës;

7. Ngritja e pagës së grave të punësuara është parakusht për jetë normale;

8. Dhuna ndaj grave nuk bëhet prej burrave veç pse janë burra, sepse po të ishte ashtu, vëllezërit do t’i rrahnin motrat; babai mashkull do ta rrahte vetëm vajzën e jo të birin mashkull etj. Këtu po ndodh zakonisht – sepse ka përjashtime – kur kryefamiljarët, që në këtë rast qëlluan burrat, të rrahin bashkëshortet e tyre dhe ndonjëherë të përfundon në tragjedi edhe për fëmijët e tyre. Ka dhunë me bazë patriarkalizmin, por dhuna në Kosovë vjen shumë edhe prej pafuqisë së bashkëshortes përballë bashkëshortit, në aspektin e banimit, strehimit, punësimit, nivelit të të ardhurave mujore etj.;

9. Gratë janë të pabarabarta edhe për diçka tjetër dhe po dalim ne edhe me një propozim: Gratë që marrin burrat në shtëpitë e tyre, të mos kenë tatim në pronë. Gjersa shumica dërmuese e grave në Kosovë, kur të martohen, ‘shkojnë te burri’, që në fillim, janë të pabarabarta.

10. Në fund, dhuna nuk luftohet, nëse paragjykojmë krejt burrat! Do ta përshëndesja çdo bashkëshort të kujdesshëm ndaj bashkëshortes, me qëllim të mos ndihen të fyer nga përgjithësimi i gabuar se krejt burrat janë vrasës. Prandaj të tillë bashkëshortë kosovarë ka me qindra-mijëra në familjet tona gjithandej Kosovës, por le të përpiqemi që këtë primitivizëm me dhunë ndaj grave, ta hedhim në koshin e historisë mesjetare edhe tek ata bashkëshortë, të cilët ende besojnë në dhunë, fatkeqësisht!

You Might Also Like