Libri

SI U MOBILIZUA USHTRIA SERBE PËR SULM NDAJ TROJEVE  SHQIPTARE MË 1912

 

Enver Sadiku

Duke pasur synim të kahershëm pushtimin e trojeve shqiptare që ishin nën administrimin e Perandorisë Osmane, Qeveria e Serbisë përveç ushtrisë së rregullt kishte nisur ushtrime të rregullta vjetore në përdorimin e armatimit edhe me nxënës e studentë. Ajo kishte riaktivizuar edhe oficerët e pensionuar dhe ata që më herët kishin qenë të padëshiruar, kurse edhe propaganda e vazhdueshme për shekuj me radhë mbi “tokën e shenjtë serbe” në Kosovë, kishte bërë që qytetarë të të gjitha moshave me kënaqësi ta pritnin mobilizimin, shumë prej tyre duke u lajmëruar vullnetarisht për luftë. Në këtë kohë, në Serbi flitej e mendohej vetëm për luftën e ardhshme, qytetarët jepnin të mirat e tyre materiale, kuaj e qerre që të jenë në funksion të luftës. Me dekretin e gjeneralit Radomir Putnik, që ishte kryeshef i Gjeneral Shtabit Serb, të cilin ai ia paraqiti mbretit të Serbisë, Petar Karagjorgjeviq, ky i fundit shpalli mobilizimin, i cili u përhap ndër serbë, të cilët u paraqitën në njësitë e tyre.

Edhe Kuvendi Popullor i Serbisë kishte miratuar dekretin mbretëror për mobilizim. Gazeta proqeveritare “Politika”, e cila për çdo ditë përgatiste opinionin për luftë kishte botuar shkrime edhe mbi rolin e kuvendit në luftë.[1] Serbia kishte mobilizuar dhjetë divizione këmbësorie dhe një të kalorësisë, duke formuar katër armata, me gjithsej 300 mijë veta. Në krye të Armatës së Parë që kishte 132 mijë veta ishte princi trashëgimtar, Aleksandër Karagjorgjeviqi. Ajo ishte e pozicionuar në luginën e sipërme të Moravës, me drejtim nga Maqedonia, gjatë linjës hekurudhore Nish – Vrajë – Shkup. Armata e Dytë, që kishte 74 mijë veta dhe komandohej nga gjenerali Stepa Stepanoviq, përfshinte gjithashtu një divizion bullgar – divizionin e shtatë “Rila” dhe ishte dislokuar në territorin bullgar, pranë qytetit të Qustendilit, në drejtim të Maqedonisë. Armata e Tretë që kishte 76 mijë veta, ishte nën komandën e gjeneralit Bozhidar Jankoviq, gjendej në Serbinë Perëndimore, pranë Kurshumlisë, me drejtim nga Kosova. Armata e Katërt e Ibrit, udhëhiqej nga gjenerali Mihajllo Zhivkoviç, ishte e grumbulluar pranë Kralevës, në drejtim të Sanxhakut. Shef i Shtabit Madhor, pra komandant i përgjithshëm ishte gjenerali Radomir Putnik e artileria vlerësohej të kishte 500 gryka zjarri.[2]

Burimet serbe, në krahasim me ato ndërkombëtare, japin shifër edhe më të madhe të ushtarëve të mobilizuar për luftë dhe sipas tyre, me urdhëresën e Mbretit të Serbisë, Petri i Parë Karagjorgjeviq mobilizimi i ushtrisë serbe dhe plani operativ i luftës nisi më 3 tetor 1912 dhe gjithsej janë mobilizuar 356 mijë njerëz, 21 mijë karroca, 50 mijë kuaj dhe 42 mijë buaj.[3] Në planin e tyre luftarak, udhëheqësit serbë kishin paraparë që me forcat kryesore, Armatën e Parë, të Dytë dhe të Tretë të veprojnë në drejtimin e Kosovës, Moravës Jugore dhe atë të Kriva Rekës, për t’u ballafaquar me forcat kryesore osmane në Kumanovë.[4] Armata e Tretë, e cila komandohej nga gjenerali Bozhidar Jankoviq e kishte për detyrë që të operojë në drejtim të Shkupit, duke kaluar edhe nëpër Kosovë e Gjilan me rrethinë.[5] Sipas planit të hartuar nga Armata e Tretë Serbe, përveç divizionit të Dytë të Moravës, i cili në fillim do të mbetej në Prishtinë, të gjitha trupat tjera pa u ndalë duhet të vazhdonin rrugën kah Shkupi dhe atje t’i bashkëngjiten Armatës së Parë dhe kalorësisë, duke kaluar kah Gjilani në Kumanovë.[6] Për këtë luftë Serbia ishte e përgatitur shkëlqyeshëm. Oficerët e saj ishin ushtruar nga oficerë të huaj, armata serbe kishte topat më modernë të kohës të blera nga Franca, kishte armatim të ri, solid, sidomos artilerinë dhe kishin municion të mjaftueshëm.[7]

Në Zonën e operimit të Armatës së Tretë parashihej të sulmohej kufiri serbo – osman, që lidhte Kopaonikun me Gollakun dhe që ishte ndërmjet lumenjve Toplicë dhe Jabllanicë në anën serbe dhe lumenjve Llap dhe Moravë e Binçës në anën tjetër të kufirit. Në anën jugore, fronti kufitar përfshinte Hajkobillën, Shahiqin, Kikën, Velegllavën dhe Kopilakun.[8] Udhëheqësit ushtarakë serbë kishin paraparë se rezistencën në Kosovë do ta bëjnë shqiptarët me ndihmën e forcave të dobëta osmane. Duke ditur se shqiptarët janë forcë kryesore në Kosovë, Gjeneral Shtabi Serb kishte vlerësuar se shqiptarët duhej thyer në fillim për të depërtuar më lehtë,[9] andaj komandantit të Brigadës së Moravës i ishte urdhëruar që të shpërndajë mbrojtësit shqiptarë nga fronti Lisicë – Svircë e Hajkobillë dhe që të sigurojë kalimin e forcave të tjera dhe kërkohej që të kenë lidhje të ngushtë me Divizionin e Drinit që përbëhej nga tri bateri ushtarake malore, artilerike dhe baterinë pozicionale.[10]

Serbët parashihnin që pjesa e dytë, që ata e quanin fronti i Medvegjës, që ishte i drejtuar kah Gjilani, ishte i dobishëm për mbajtjen e lidhjes në mes të forcave të cilat nga Prishtina e Vraja do të operonin kah Shkupi.[11] Armata e Tretë operacionet e saja kishte paraparë t’i zhvillojë në tre drejtime: Kurshumli – Podujevë – Prishtinë; Medvegjë – Lisicë – Prishtinë, Medvegjë – Velegllavë – Gjilan.[12]

Drejtimi i forcave serbe për në Gjilan niste nga fshati Medvegjë, nëpër Sijarinë, gjegjësisht Velegllavë në rajonin e Gjilanit. Ky drejtim ishte i vështirë dhe që kalohej vështirë, por rëndësia e këtij drejtimi ishte edhe marrja e Prishtinës dhe kur forcat serbe do të shpërthenin në rajonin e Gjilanit, varësisht nga situata do të mund të vepronin në shumë drejtime kah Prishtina, Ferizaj, Presheva apo Bujanoci.[13]

Qeveria Serbe, e cila synim të kamotshëm e kishte agresionin mbi tokat shqiptare kishte bërë të gjitha përgatitjet për luftë, duke bërë mobilizimin e përgjithshëm, strategjinë ushtarake dhe furnizimin e ushtrisë me armët më moderne të kohës. Ajo ishte dukshëm më në numër se forcat mbrojtëse shqiptare, të cilat ishin të armatosura më dobët, gjë e cila e bënte më të vështirë rezistencën.

 

Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i autorit Enver Sadiku

[1] Полтика бр. 3199. 22 септембар 1912. године. Скупштина и рат. Београд, c.1

[2] Ivetic, E., vep. e përm. f. 59 – 60.

[3] Скоко C. – Опацић П. 1985. Војвода Степа Степановић, Београд: БИГЗ, c. 189 – 193.

[4]Vojna Enciklopedija – drugo izdanje, 1. 1970. Beograd: Izdanje redakcije vojne enciklopedije, s. 449.

[5] Скоко С.– Опацић П., vep. e përm. c. 189 – 193.

[6] Ратковић, Б., vep. e përm., f. 58.

[7] Сотировић, В. 1929. Наше победе 1912 – 1918, Београд, c. 31.

[8] Ратковић, Б. vep. e përm., f. 60.

[9] Први Балкански Рат, c. 285 – 286.

[10] ASHK, Fondi Sadullah Brestovci, nr. i in. 29, обр. 121, 6 октобра 1912 год. Куршумлија.

[11] Ратковић, Б., vep. e përm., f. 62.

[12] Po aty, f. 64.

[13] Po aty, f. 67.

You Might Also Like