Drita FEJZA
( Pas leximit të librit me poezi të Sabit Rrustemit, “Për dashuri kurrë s’ është vonë”, edituar nga Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU”, dhjetor 2017 )
Plot dyzet vite Sabit Rrustemit me krijimtarinë e tij tashmë i ka bëre hapat e sigurt duke lënë gjurmë në kohë. Në çdo varg të veshur me fjalën e bukur artistike prek realitetin nëpër kohë. Koha është ajo në të cilën ai e gjen veten dhe i jep frymën e tij poetike,duke i qendruar besnik poezisë dhe lexuesit.
Disa e shohin Dashurinë si simbol të përjetësisë , ndersa ai nuk e sheh pa poezinë. Prandaj e kurorëzon me dashurinë e cila na bënë të besojmë se çdo çast i jetës ia vlen të jetohet në përqafim të saj. Dashuria e tij ndaj poezisë ka sy, ka shpirt, ka ajër… po dhe është e mbushur me jetë, në çdo pore të saj ( a fjalë ).
Libri “Për dashuri kurrë s’është vonë” ,në të cilin përfshihen 118 poezi sipas rendit kronologjik të krijimit, që nga muaji Kallnor 2016 deri në dhjetor 2017, mbanë madhështinë e shpirtit poetik në vete. Nuk janë thjeshtë data në të cilat ai krijoi, janë dritare shpirti të cilat i hapi për lexuesin,duke shpërfaqur një oqean ndjenjash të cilat përmbushin universin e tij letrar Brenda këtij planeti:
Nji planet e bana lojë e plojë në timen rrashtë
Intuita e tij është e pagabueshme në qiellin e ndjenjave duke i dhënë përmasa meritore secilit krijim.
Njeriu lind nga dashuria dhe ai nuk e anashkalon, edhe pse mitet e lashta e thonë se mishërimi i fuqisë jetëdhënëse lindi nga kaosi fillestar, Erosi.
Ja si shprehet Sabit Rrustemi për dashurinë që nuk e numëron kohën dhe nuk njeh moshën:
Mjegull nuk ra as qiella nuk u vrejt
kur do dhimta mue me m’ mejtë
u shfaq si dritë e shejtë
“Dashuri jete”
Natyrshmëria që shfaqet përmes poezisë për dashurinë, na bënë të kuptojmë se jeta e Njeriut Brenda këtij un iversi është në kërkim të asaj që përjetësohet përmes poezisë apo fjalës artistike.
Muza e trondit shpirtin e poetit duke i kujtuar se “për dashuri kurrë nuk është vonë” .
Poeti merr arratinë drejt pyllit të frymëzimit, Çepurit ,ku çdo hapësirë dritei ngjanë me sytë e saj dhe ai i fletë asaj përmes gjuhës së shpirtit. Edhe kur ndërrojnë stinët është ajo që prore trazon shpirtin e poetit, i cili identifikohet vazhdueshëm me madhështinë e artit poetik. Jetoj dhe frymon me Natyrën e tij prej tek e cila jo vetëm e kërkon por, edhe e gjenë paqen.
Syblertja ime
Sa të kërkon lumi
në gjirin e vet të fsheh mali
”Syblertja ime”
Po a qetësohet vallë shpirti i artistit i cili është gjithnjë në kërkim të së bukurës, asaj hynjores që na mbanë të ngërthyer , me një fjalë – dashurinë . Një mal i blertë dhe një lumë i qetë gjithmonë të bën të jesh kureshtar. Prandaj, etja e poetit Sabit Rrustemi nuk shuhet kurrë. E tillë është dhe poezia “Nëpër stinët e shpirtit tend”:
Pranvera më solli hapësirës sate
për ta shijuar një stinë të blertë
(…)
ai bli i zemrës sate aromë më mbushi
te Ana e Kronit
dardha e kuqe më bishtnoi përmes një dege
fijet e barit si flokët tua duarsh më mbetën
(…)
zogu strehë kërkoi e treti pas Teje
udhëve që nuk i ece ende
Tradita dhe modernja në poezinë e Rrustemit është për t’u lakmuar dhe shartohet aq bukur duke krijuar dhe një stil unik, përmes mjeshtrisë poetike të të cilit edhe lindin fryte që shijohen , siç shijohet uji në shkretëtirë.
Madhështia në erotikë manifestohet edhe nga këto:
Larg teje mbeta
brenda dëshirës sime të marrë
…
Ti më shkrumboje sysh pa pikë mëshire
e një hap kah unë nuk e bëje
…
Buzët e mia të etura mbetën
nën përcëllimat e zjarrit që s’u shua
Pra ai e mbledh dashurinë e shpërndarë nëpër kohë dhe e kthen në dashuri platonike përmes poezisë tij. Edhe pse e thotë :
E kam mërzitur tej mase të shkretën zemër
së dashuruari njëanshëm
Në këto dyzet vite krijimtari, Ai përmbush vullnetin e lexuesit për ta kuptuar se dashuria mund të jetojë më gjatë përmes poezisë.
Kujtesave më shfaqesh
e shkrihesh heshtazi
nëpër ndezjen e gjakut tim
“Një ditë kur befas do të shihemi”
Poezia e Rrustemit është eho shpirti që e ndien vetëm i zoti:
Aq më bën pse mbeta këndej lumit
e ti tutje në fund të horizontit
“Intermeco”
Ajo – poezia, herë – here shfaqet si një dashuri e kapluar prej vetmie:
të gjitha shmangiet e tua
përfundojnë poreve të mia
ti ikën me të pathënat
“Më ndez e pathëna jote”
Po, edhe si lumturim në distancë shpirtërore:
Deri tek sytë e saj mund të hyj e të vallëzoj
vetëm përmes shtegut të ëndrrës
“Shtegut të ëndrrës”
Shpesh, rrethanat e kodet morale nuk e pengojnë të shfaq dëshirën për të qenë një me të bukurën:
Ti ëndrrave të mia
shkreh flokët
“Më ndez e pathëna jote”
Po, ajo na vjen edhe si një dashuri përvëluese malli:
Fytyra jote përmes ajrit përndez sytë e mi/
a Ti larg këtyre bjeshkëve rrëzë Malit të Moçëm/
e vetme rri./
Çepuri /
me penjëzat e pritjes një Mëngjes të ri end
“Ç’stinë është kjo stinë që vjen pa ty”
Poeti, afrinë me Natyrën e Njeriun e sheh të shenjtë, duke e ngritur me ndjeshmëri të lartë, duke e ndriçuar me flakën e alfabetit të dashurisë, e cila rri e ndezur përherë, edhe atëherë kur poetin e tronditin të pathenat, të cilave hap pas hapi iu vjen radha për t’i hedhur në faqen e bardhë të librit, për ta veshur me ritmin e dashurisë, siç e shohim të mbrumur po me dashuri edhe në poezinë,“Nën ritmin e kësaj dashurie” :
Nuk njoh portë
as aortë
që s’ hapet e s’pulson
nën ritmin e kësaj dashurie
Apo, në një tjetër poezi:
Nxito drejt meje/ si drejt qiejve
ku nuk arrijnë retë
“Hartë e mjegullt në horizont”
Me energjinë e tij të përplot art, Rrustemi e mvesh me ndjeshmëri edhe pritjen përmes sintagmës poetike që tashmë e ka vu edhe si titull: Për dashuri kurrë s’është vonë.
Megjitahtë, poete, n djehet shumë I sigurtë, kur shprehet:
Në secilën pikë të këtij globi
të pret dashuria
Kjo farfuritje shpirtërore që realisht ndodhë në jetën e Poetit, na nderon edhe neve duke na bërë të pranishëm pasqyrimin e atij moment, sa mallëngjyes, aq edhe të mahnitshëm:
Koha në të cilën u puqëm
nuk del të jetë e jona
“Ajo thyen vetëm zemra”
Edhe përtej ëndrrës
brenda meje rri
“Përtej ëndrrës”
apo
Një jetë si kjo
e shkurtër qenka për të takuar
“Në secilën pikë të këtij globi”
Koha në dashurinë e poetit na del të jetë e huazuar sepse ai është i dashuruar me poezinë edhe pse dashuria reale qëndron përkrah tij. Ai kohën e ka ndarë tashmë përgjysmë . Medaljoni që mban shpirtin e rrebeluar dhe urtësinë që kërkon paqe. Kështu edhe lindin vargjet vullkanike që bijnë si magmë mbi liqen, jo për t’u ftohur por, për të marrë formën e duhur artistike.
Me një fjalë;stinët i ndryshon koha por jo edhe shpirtin e poetit. Ai mbetet përherë i zgjedhur me poezin e tij.
( Berlin, 27.03.2018 )