Gjilan, 30 mars / Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë zhvilluar të premten në Gjilan një bashkëbisedim me përfaqësues të komunave të regjionit të Gjilanit, për nevojën e kategorizimit të hoteleve dhe objekteve tjera hoteliere, si parakusht për zhvillimin e turizmit, ku Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik.
Fillimisht, Agim Zuzaku, drejtor komunal për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se kategorizimi i hoteleve, është një çështje që nuk është trajtuar deri tani dhe ka përshëndetur nismën e MTI-së për ta filluar këtë proces, duke nënvizuar faktin se kategorizimi e rrit konkurrencën dhe përmirëson cilësinë e shërbimeve.
Gjilani nuk ka ndonjë qendër të njohur turistike, por ka parakushte të mira për të zhvilluar turizmin dhe si pika më atraktive ka përmendur resorët “Vali Ranch”, “Planet” dhe “Maja e Zezë”. Për më tepër, rajoni i Gjilanit është i pasur me ujëra minerale, ka thënë Zuzaku.
Fadil Arifi, zëvendësministër i MTI-së, ka thënë se turizmit në Kosovë duhet t`i japim një kahe tjetër, duke filluar nga kategorizimi i hoteleve.
“Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit, duke filluar nga turizmi malor, trashëgimia kulturore e historike dhe sektorë të tjerë”, ka thënë Arifi, duke nënvizuar faktin se nga 400 hotele sa ekzistojnë në vendin tonë, vetëm 32 prej tyre e kanë bërë kategorizimin.
Xhemajl Pllana, udhëheqës i Divizionit të Turizmit në MTI, ka thënë se është e domosdoshme të bëhet institucionalizimi i objekteve hoteliere dhe ka prezantuar hapat që duhet ndjekur në këtë drejtim.
Turizmi zë vendin e dytë në zhvillimin ekonomik të një vendi, në shumë vende të botës, prandaj është koha e duhur që edhe Kosova të bëjë hapa konkret në zhvillimin e këtij sektori, meqë ka potencial të jashtëzakonshëm, ka thënë Pllana, duke veçuar mundësitë për zhvillimin e turizmit dimëror.