Libri

STRATEGJI TË SHUMËFISHTA TË LEXIMIT LETRAR

Prend BUZHALA

STRATEGJI TË SHUMËFISHTA TË LEXIMIT LETRAR

(Sherafedin Kadriu: “Në kërkim të thellësive poetike”, vështrime letrare, SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2021)

Kur i lexojmë përnjëherësh, të dy vëllimet kritiko-letrare të Sherafedin Kadriut, mesazhi kryesor që buron nga këto tekst-vlerësime është ky: do bërë dallimin mes leximit të sipërfaqshëm dhe leximit të thellë, gjithëpërfshirës. Kësaj radhe, po merremi me vëllimin e parë. Përballë shumë leximeve të sipërfaqshme që i hasim për çdo ditë, në emër të “recensionit” apo kritikës, pa hyrë në thelbin e gjërave, te ky autor nuk ngjet kështu; ai, lexon në mënyrë racionale.

1. Në hyrje: lexim dhe interpretim

E, lexuesit e mirë janë kritikë të përpiktë. Sh. Kadriu jo vetëm që është lexues i tillë, i pasionuar, por ai ushtron edhe një shkrim me intelekt krijues. Dhe, për të shkuar përtej racionales e këtij intelekti, ky autor ka edhe një tjetër prirje, një virtyt tjetër: atë të leximit eseistik dhe leximit krijues. Kjo do të thotë që secili shkrim është një proces i ndërliqshëm që përfshin një interpretim të thellë dhe imagjinativ të tekstit. Kjo formë leximi nuk kufizohet vetëm në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të tekstit, por kërkon që lexuesi të hyjë në botën e veprës, të ndjejë emocionet, të perceptojë ndërlikimet e figurave letrare dhe të vlerësojë stilin dhe strukturën.
Nuk është e habitshme përse tek shumë punime të Sherafedinit na shfaqet i trajtueshëm konteksti historiko-letrar dhe kulturor: të kuptuarit e kohës dhe vendit në të cilën është shkruar vepra, për të ofruar jo vetëm informacion të vlefshëm për interpretimin e saj, por edhe për të zbërthyer figurat letrare, temat, idetë dhe motivet që i ka përdorur akëcili krijues. Mortimer J. Adler te vepra e tij “How to Read a Book” (“Si të lexoni një libër: Arti i marrjes së një edukimi liberal “-(1940) thotë: “Prirja për të lexuar dhe shkruar është kudo shenja e parë e edukimit”. Ky autor jep momentet kyçe për ta lexuar një libër me efektivitet, siç janë: përgatitja para leximit, shënimi dhe analiza, diskutimi dhe vlerësimi, dhe, mbi të gjtha, qëndron leximi aktiv. Ishinger do ta quante akt i leximit. Kësisoj, edhe kur e citon Gadamerin, një autor që ligjëroi për hermeneutikën e tekstit , të vërtetën dhe metodën (“Sipas Gadamerit është një tipar produktiv i marrëdhënies ndërmjet vlerësuesit dhe veprës”, kur flet për interpretimin e një vepre në distancë kohore prej 50 vitesh, siç është poema “Skënderbeu”, botuar më 2004 nga Shtëpia botuese “Faik Konica” dhe e shkruar mes viteve 1963 – 1968, kur dhe u botua një pjesë e saj nën titullin “KUNORË SONETESH” nga revista letrare “Jeta e re, Prishtinë, 1968), dëshmon se Kadriu nuk është vetëm lexues i veprës letrare, por edhe i dijeve letrare.

2. Konteksti poetik dhe kontekstualizime tekstesh

Kështu, te punim me titull “Kuptimësitë e shumta të një poeme”, duke e vlerësuar atë si një vepër që përmban shumë dimensione dhe kuptimësi, edhe pas 50 vitesh që janë kaluar që nga shkrimi i saj, thekson se interpretimi i një vepra letrare në distancë kohore është një sfidë, por thekson që poema vazhdon të jetë e rëndësishme dhe e vlefshme edhe sot. Analiza e poemës fillon duke vërejtur se ajo përmban elemente të historisë dhe mitologjisë, ndërsa stilistika dhe dialogët dramatikë e bëjnë atë të nxjerrë në pah përmasat e imagjinatës krijuese. Kritiku gjithashtu vlerëson që poeti B. Musliu e ka ruajtur lirinë krijuese edhe në kohë të vështira politike, duke përdorur forma të ndryshme letrare. Përmbajtja e poemës paraqitet si një rrëfim homerik i madhështisë së Skënderbeut dhe jetës së tij, duke përfshirë personazhe të ndryshëm dhe ngjarje historike. Vëren se ky krijim letrar ka një frymë të riaktivizuar të identitetit kombëtar dhe ilirik të Skënderbeut (“ai duke gjurmuar poetikisht historinë e periudhës së madhërishme të Skënderbeut, ka këmbëngulur në identitetin kombëtar të ekzistencës dhe gjenezës ilirike”). Analiza vazhdon duke vlerësuar strukturën e poezisë dhe figurat e përdorura, duke vërejtur përdorimin e metaforave simbolike dhe figurave mitologjike. Do theksuar, pra, se Sh. Kadriu ka përfshirë një vlerësim të kontekstit historik dhe kulturor në të cilin është shkruar poezia, duke e vlerësuar atë në dritën e ngjarjeve historike dhe shoqërore të kohës së saj. Teksti kritik ka një vlerësim të lartë për vlerat estetike të poemës, duke e përshkruar atë si një vepër artistike me vlera të nuancuara dhe me dimensione të thella. Po ashtu, edhe vlerësimi i kontinuitetit lexues, dëshmohet me faktin se kjo poemë vazhdon të jetë e rëndësishme edhe pas një periudhe të gjatë kohore, duke reflektuar një kontinuitet të kuptimësisë dhe të vlerave artistike.
Për kontekstin poetik ligjëron edhe te një punim tjetër Rreth librit poetik në dy vëllime “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit “Në këtë kontekst, poezitë dalin të arrira si më së miri, duke qenë fryt i imagjinatës e i shprehjes poetike, sepse autori i kushton kujdes strukturës që ta kënaq imagjinatën – sipas Borhesit”), apo “vetë inspirimi i ndërdyjë ndërmjet konceptit filozofik dhe shprehjes artistike – ndjenjë, ligjëron kontekstin lirik të sforcuar si amalgamë me ndihmën e figurave artistike. Ky ndërtim-trajtim i ndjenjës bashkë me konceptin po për ndjenjën, shpërfaq intertekstin e ndërtuar nga aluzioni. Në këtë ndërthurje të qëllimshme, përsiatjet për akëcilat tema nga z. Rexhepi, në kuluaret e kritikës letrare interpretohen si hermetike” (rreth përmbledhjes poetike të Mehmetali Rexhepit, “Hirësi e flluskuar”).
Tek këta dy autorë aktualë, Sh. Kadriu interpreton tre libra poetikë, dy vëllimet “Hyjnorja ime je ti” dhe “Pa një vdekje mbes” të Sabit Rrustemit, si dhe vëllimin e larttheksuar të M. Rexhepit.
Teksti kritik-interpretues mbi poezinë “Ura e Maskatarit” të Mirko Gashit është një analizë e e shkathtë dhe depërtuese që sjell në pah elementet më të rëndësishme të kësaj poezie. Shkrimi e trajton Mirko Gashin si një poet të shquar dhe e vlerëson stilin e tij të veçantë, duke e cilësuar atë si “bohemi i poezisë shqipe”. Kadriu shfaq një respekt të madh për punën dhe kontributin e tij në letërsinë shqipe. Interpretimi është i detajuar dhe fokusohet në përdorimin e fjalëve të zakonshme që Gashi i shndërron në vargje magjike. Vë në pah përdorimin e simbolikës së natyrës dhe urës për të përçuar tema të dhimbshme dhe të fuqishme. Përmendja e figurave historike si Idriz Seferi dhe lidhja e tyre me tematikën e poezisë, dëfton një kuptim të thellë të kontekstit historik dhe politik të veprës së poetit Mirko Gashi. Ky tekst interpretues e zbërthen me sukses shkallëzimin logjik, filozofik dhe artistik që Gashi përdor në poezinë e tij për ta shpjeguar ciklin e dhimbjes dhe shpresës. Si i tillë, punimi i Sh. Kadriut paraqet një vlerësim për ndërtimin kompleks dhe mendimin e thellë të poetit. Autori nuk pretendon që teksti i tij kritik të përfitojë nga përfshirja e më shumë citateve të drejtpërdrejta nga poezia. Në harmoni me konceptin e tij kritiko-letrar, duke përfshirë perspektiva të ndryshme interpretuese, si ato të kritikëve të tjerë ose krahasime me poezi të tjera të M. Gashit ose poetëve të tjerë shqiptarë, analiza bëhet më e pasur dhe më gjithëpërfshirëse. Leximi i tillë arrin të shfaqë bukurinë dhe ndjeshmërinë e veprës së M. Gashit, duke përçuar një vlerësim të thellë për stilin dhe mesazhet e tij poetike. tekstore, kjo analizë do të mund të bëhej edhe më e fuqishme dhe më bindëse.
Te teksti kritik “Dashuria, një thellësi e pafundshme poetike e Sabit Rrustemit” shqyrton poezinë e Sabit Rrustemit, veçanërisht vëllimet “Hyjnorja ime je ti” ofron një analizë tërësore të dashurisë si temë kryesore të veprës së poetit. Teksti nënvizon gjerësinë e vëllimeve të poezisë së Rrustemit, duke përfshirë qindra poezi të ndryshme, të cilat përqendrohen kryesisht në temën e dashurisë. Kjo gjerësi e poezive reflekton përkushtimin e autorit ndaj motivit të dashurisë dhe thellësinë e shqyrtimit të tij. Vlerëson organizimin e poezive sipas motiveve dhe ndjenjave e pretimeve të ndryshme, duke theksuar se secila poezi paraqet një moment të veçantë të dashurisë që shfaqet në një gamë të gjerë emocionesh dhe përjetimesh. Ky aspekt thekson thellësinë e shqyrtimit të autorit në lidhje me ndjenjat dhe përjetimet e dashurisë, si dhe prirjen për t’i shprehur këto emocione në mënyra të ndryshme dhe origjinale nëpërmjet poezisë. Metaforat dhe imazhet poetike shërbejnë për të transmetuar thellësinë dhe kompleksitetin e emocioneve dashurore. Kritiku Kadriu vlerëson njësinë e secilës poezi, duke theksuar që secila prej tyre përfaqëson një pjesë të rëndësishme të përvojës së dashurisë së autorit.
Kurse punimi “Lirika metaforike e një poezie” i kushtohet librit poetik “Pa një vdekje mbes”, një tjetër vëllim i Sabit Rrustemit, na ofron një analizë të thellë të strukturës së poezive dhe temave të përdorura në to. Autori operon me fjalë-shprehjen nocionore “lirika metaforike”. Lirika metaforike e kësaj poezie shfaqet nëpërmjet imazheve të ngjashme me gurët e Karadakut, duke i bërë poezitë të ndjehen si rrjedhë e papërmbajtur përjetimesh. Autori shfaq një përmbysje logjike të trajtimit të motiveve tematike, duke përdorur titullin e librit si një hapësirë për t’u eksploruar dhe interpretuar më thellë. Kjo lirikë e kulluar përshkruhet si një përcaktim i natyrshmërisë së vdekjes, e cila mbetet një element që dominohet nga gjuha e dhembjes dhe e mallit. Gjuha është e shpejtë dhe e thjeshtë, por e ngarkuar me thellësi dhe emocione, duke komunikuar me lexuesin në nivelin më thelbësor të përjetimit. Ky tekst ofron një kuptim të plotë të lirikës metaforike dhe strukturës së poezisë së Sabit Rrustemit. Në shkrim-leximin e tij, Kadriu përdor nocione kritike të ndryshme për ta vlerësuar këtë vëllimin poetik. Analizon mënyrën se si poeti i përdor motive tematike të ndryshme, si dashuria, liria, historia, dhe toponimia, për të shprehur emocione të ndryshme dhe përjetime të thella. Trajtimi i këtyre motiveve përmes poezive është një nocion kritik që autori përdor për të vlerësuar thellësinë dhe kompleksitetin e vëllimit poetik. Analizon strukturën dhe organizimin e poezive sipas motiveve tematike dhe ndjenjave të ndryshme.
„Përtej një njëmendësie të kërkuar me ngulm” ligjëron për përmbledhjen poetike të Mehmetali Rexhepit “Hirësi e flluskuar”. Kësaj radhe, vë në dukje veçantinë e një vepre letrare:
“Secila vepër artistike ka diçka tërheqëse për individualitet e saja strukturore, stilistike, gjuhësore, tematike etj. Veçantitë e tilla së bashku me ideshmërinë pozitive që përshkon vëllimin poetik të Mehmetali Rexhepit, Hirësi e flluskuar (nëntor 2017) përkufizojnë mjeshtërinë artistike të autorit në aspektin teorik… “. Do të thotë se edhe kritika letrare pikësynon identitetin artistik të një vepre letrare: “Secili autor ndjek ndjenjën e tij për të bukurën. Mehmetali Rexhepi të bukurën e gjen aty ku të tjerët shohin ngatërrimin e ndërdyjë, aty ku të tjerët ndjejnë hurbën e mëkatit, aty ku të tjerët nxijnë ngjyrat e ditës…” Kështu, ai shtjellon ndërthurjen e filozofisë dhe poezisë. Ai vë në dukje qëllimin e autorit për të shfaqur intertekstin e ndërtuar nga aluzioni dhe përqendrimin e tij në riprodhimin e botës së tij nëpërmjet figurave artistike. Kritiku komenton strukturën monokolone të poezive dhe stilin ritmik të tyre, duke vlerësuar gjithashtu ndarjen e tyre në segmente të përcaktuara. Në këtë mënyrë, e përcakton temën dhe atmosferën e secilës poezi. Nga ana tjetër, kemi një qasje të ndërgjegjshme të poetit ndaj traditës letrare, por ky poet eksperimenton me forma dhe stile të reja, duke e sjellë poezinë në kontekstin postmodern. Ndërkohë, kritiku e përballon këtë sfidë dhe shkon më tej. Te vëllimi i parë Kadriu merret edhe me një vepër tjetër të Mehmetali Rexhepit, me titull “Frymë e fërguar mynxyrave”. Punimi mban titullin “Arti i pritjes dhe i kthimit”. Ttull na sugjeron një odisejadë jetësore, më saktësisht, na e kujton edhe atë arketipin e njohur tematik të pritjes dhe rikthimit:
“Antika ka shpjerë Mehmetaliun në log burrash për t’ia kujtuar Homerit a Omirit se Odiseja sqimatar (!), dikur kishte plis të bardhë në kokë, e në e mohoftë me gojën e tij, atëherë argumenti do t’ia përplasë përpara vazon e British Museum. Le të bëhet copë-copë. Nuk do ta presim që pak para se “të vdesë” të shpalojë identitet! Jo njëherë, thirrjet për frymën mesjetare arbërore të Mehmetali Reaxhepit janë jehona që gjallojnë se ndryshe, vazhdimisht “kali mitik i çeliktë i Llazarit me katër drapërinjtë ia korr pamjet e syve”, për gjenerata me radhë, ndihmuar edhe nga ‘shkallët e euro-dinakërisë’ “.
Punimi nis me një vlerësim të natyrës krijuese, duke theksuar se dëshira dhe vullneti për të krijuar artistikisht janë dhunti që formohen dhe zhvillohen përmes përvojës dhe angazhimit të vazhdueshëm. Në vijim, teksti përshkruan strukturën dhe pamjet ekspresive të poezive, duke theksuar lidhjen e pashkëputshme mes tyre dhe identifikimeve të shprehura, me një atmosferë misterioze dhe polisemantike, duke e shtyrë lexuesin të zhytet në një perceptim më të thellë të tekstit. Krijohet një lidhje midis eksperiencës personale dhe botës së thellë poetike, duke e bërë veprën më të njënjëshme dhe më të arritshme për lexuesin dhe sugjeron se, pavarësisht sfidave estetike, ai synon të krijojë një poezi që prek thellësinë emocionale dhe imagjinatën e lexuesit. Në këtë vështrim, jeta personale e poetit, me të gjitha vuajtjet, gëzimet, dëshirat dhe ëndrrat e tij, bëhet burimi kryesor i inspirimit për krijimtarinë letrare. Poeti shpreh ndjenjat e vetmisë dhe vuajtjes që mund të ketë përjetuar në jetën reale. Përdorimi i imazheve të errëta dhe të mbyllura përshkruan ndjenjën e izolimit dhe vetëmohimit; shpreh ndjenjat dhe reagimet e tij ndaj ngjarjeve shoqërore dhe politike që ndodhin rreth tij; ai shfaq qëndrimin e tij ndaj padrejtësive dhe konflikteve në shoqëri: përdor poezinë për t’i shprehur gëzimet e pakta dhe dëshirat e tij personale; na ballafaqon me një thellësi emocionale dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj jetës dhe përvojave të tij personale.

3. Përvijimi i tekstit kritik

Më tutje, lexojmë punime kritike për vëllimin poetik “Lulet e lotët e Kosovës” të poetit francez, Jean-Yves Carlen, “Poezi e pasur dhe shumëkuptimore” për vëllimin poetik të Prend Buzhalës “Psherëtima pergamene”, me zgjedhje të Anton N. Berishës, për vëllimet poetike të Edi Shukriut, Sadete Tërnava – Osmanit, Sinan Sadikut, Nexhat Rexhës, Ganimet Klaiqit, Linditë Ramushit – Dushkut, Xhevat Latifit dhe Kushtrim Ymerit. Kurse pejsa e dytë “Për veprat në prozë”, merren në trajtim krtiko-letrar dy romane të Anton Nikë Berishës ,” Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” dhe “Bimorja” (botimi i dytë). Këtu shqyethet edhe proza e Ymer Shkrelit (punim autorial vitit 1992), s dhe romanet “Ata dy të burgjeve” i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, “Përsëri mars” i shkrimtares gjilanase Albina Idrizi, “Rrënjët e Kaçës” me autor Tahir Dalipi dhe tregimet e veprës “Mëkati që (s’)e bëmë” të Sabit Rrustemit.
Pothuajse, te secili shkrim autori përdor mjete dhe strategji të ndryshme e të shumëllojshme leximi për ta ngritur zhvillimin e prirjeve të leximit kritik për vepra të ndryshme. Duke spikatur pjesë të rëndësishme të tekstit, të shpeshtën fjalitë tematike dhe lëndës shpjeguese; duke kontekstualizuar një tekst në kuadër të rrethanave historike, letrare e kulturore; duke reflektuar mbi sfidat e ndryshme të interpretimeve; kritiku Sherafedin Kadriu arrin ta ndërtojë edhe sistemin e tij të reagim-interpretimeve përkatëse. Përmes strategjisë së parafrazimit të lëndës letrare, ne do t’i kuptojmë vështirësitë e paqartësitë e veprës letrare, nga njëra anë, ashtu sikundër i plason idetë e mesazhet e krijuesit në përputhje me ato të leximit kritik.
Një tjetër strategji leximi është përvijimi i tekstit kritik (veçimi i tipareve më dalluese), për t’i identifikuar strukturat tekstuale, vlerat artistike dhe idetë, gjithnjë me përpjekjen për t’i bërë edhe provat përforcuese dhe argumentuese. Kësisoj, arin që ta rikrijojë kuptimin e tekstit me fjalët autoriale interpretuese. Kështu, kur kritiku e vlerëson titullin e vëllimit, “Lulet e lotët e Kosovës”, ai e veçon atë si tekst me simbolikë të thellë për vuajtjet dhe shpresat e popullit të Kosovës gjatë kohës së luftës. Ai i thur lavde qasjes së Carlenit në këtë temë, duke i quajtur këto qasje tematike të guximshme me dhe të ndjeshme. Ndërkaq, për ta zbërthyer titullin e vëllimit, “Ungëshimë” të Edi Shukriut, atë e konsiderohet si një metaforë që shpreh zbehjen e dritës gjatë ditëve të lirisë dhe vlerëson qëndrimin gnoseologjik të poetes, duke e lidhur atë me profesionin e saj si arkeologe; thekson se si lidhja e saj me njohuritë arkeologjike përjetohet në poezitë e saj. Poetja përdor gjuhën poetike për të shprehur vlerën e poezisë si diçka që rritet dhe nuk humbet funksionin e saj me kalimin e kohës. Kritiku vlerëson poezinë e Shukriut si të natyrshme në strukturë dhe mesazhe, duke e karakterizuar atë si moderne, megjithëse shpesh ajo sjell elemente të lashta si prejardhja pellazge. Temat e poezive shtrihen nga liria dhe dashuria deri te skepticizmi dhe reflektimi mbi vdekjen, të cilat trajtohen me ironi dhe sarkazëm. Përvoja poetike e Shukriut shfaq motive të ndryshme, duke përfshirë kundërshtinë midis lirisë dhe shtypjes, si dhe reflektimin mbi jetën dhe vdekjen. Poetja shfaq një vizion të veçantë për lirinë dhe dashurinë, duke i konsideruar ato si tema të përhershme dhe duke e shfaqur skepticizmin si një formë të shndritjes së vdekjes.
Se parapëlqehet vlerësimi i një vepre letrare në bazë të vlerës së saj estetike dhe funksionit të saj në krijimin e një teksti poetik, autori këtë e argumenton te punimi “Një shkallëzim filozofik i veshur poetikisht”, kushtuar veprës poetike “Ditët s’janë një”, të autores Sadete Tërnava – Osmani, pasi pohon se ajo i përmbush kriteret për një vepër serioze. Për të na dëftuar se poezitë e këtij vëllimi janë të formuara në një stil të qartë, me një rrjedhë të prozës, që trajtojnë tema të ndryshme siç janë refleksioni filozofik, patriotizmi, shoqëria dhe dashuria, ai konkludon:
“Qasja e Sadetes është e veçantë për mesazhin poetik që jo vetëm prek ndryshimet e viteve duke shpërfaqur mbështetje dhe siguri tek e bija, por manifeston edhe gjenetiken e fisme të së ëmës. Fjalët dalin të organizuara jashtëzakonisht bukur, e organizmi është art, do të thoshin Velek e Voren…”
Duke interpretuar poezi të veçanta si “Letër burgu” dhe “Falmë”, duke përmendur se si ato shprehin dashurinë dhe admirimin për figurën e një babai intelektual të burgosur nga regjimi i kohës, pohon:
“Janë të rralla rastet kur këtë fenomen e hasim të trajtuar artistikisht nga pasardhësit e të burgosurve politikë, të cilët nuk kanë nevojë për imagjinatë; ata e kanë provuar “policin te dera”… Është sprovë e rëndë shpirtërore dhe poetike kjo, për arsye se gjithnjë do kesh mëdyshjen më vete, nëse e ke thënë atë që do duhej thënë dhe e ke thënë bukur. Në raste të tilla krijimi, vargun nuk e ke mik, e ke shpatë mbi kokën tënde! Por, e bukura arsyeton ekzistencën e saj: si natyrë kushtimi, si mënyrë ndërtimi dhe si mesazh që priret kah vlerësimi.”
Për ta parë shqyrtimin e perspektivës metaforike, temës, stilit dhe ndikimit shoqëror dhe intelektual të poetit në poezitë e tij, te punimi “Zhgënjimi si objekt poetik” ( për vëllimin e Sinan Sadikut, “Nata rri zgjuar”), e nis me shqyrtimin e titullit të librit, i cili krijon lehtësime për ta kuptuar temë e përgjithshme të zhgënjimit të shprehur si temë kryesore, atë e lidh me moralin politik dhe situatën shoqërore të sotme. Së këndejmi shtrojet çështja e raportit të autorit me lexuesin dhe me temat përkatëse, duke vënë në spikamë se Sadiku nuk është poet që thur lëvdata për atë që e ka deformuar realitetin, por shfaq një vëmendje të veçantë ndaj zhgënjimit dhe sfidave shoqërore. Për këtë arsye shfaqet një frymë rebelizmi, pasi poeti nuk heziton të paraqesë të vërtetën, pavarësisht nga pasojat. Pas vlerësimit pozitiv të poezisë, gjithsesi që kritiku ka mirëkuptimin për ta cilësuar atë si një përmbledhje cilësore poetike.

4. Punime kritiko-letrare me intelekt krijues

Ndërkaq, kur ai e krijon emërtesën e titullit të punimit “Imazhi artistik në trajtë siluetash” (Meditim për përmbledhjen poetike “Duke kërkuar hijen tënde” të poetit Nexhat Rexha), si lexues mprehtë e i hollë, Kadriu e fut edhe intelektin krijues. Kjo do thotë se brenda korpusit tekstual kritik, përfshin një ndërthurje të aftësive analitike, ndjeshmërisë estetike dhe një kuptimi të thellë të kontekstit letrar dhe kulturor. Këtë e bën për të depërtuar në brendinë e strukturave të fshehura, figurave letrare dhe temave që ndodh të mos jenë të dallueshme në leximin e parë. Kështu, kur ligjëron për veçoritë krijuese të poetit në strukturë dhe stil, kur zbërthen temat kryesore, kur bën analizën e cikleve të poezisë, gjithsesi që ai reflekton mbi lidhjen e thellë të poezisë me kontekstin historik dhe shoqëror të kësaj hapësire, duke shfaqur ndërthurjen e temave personale me ato kolektive. Ky intelekt krijues do të shfaqet përmes shqiptimit kritiko-letrar të ndjeshmërisë estetike për bukurinë e gjuhës dhe formës letrare si më thelbësoret. Ky aspekt nënkupton, pra, edhe prirjen për të ofruar interpretime origjinale dhe të menduara thellë që ndihmojnë lexuesit të kuptojnë dhe vlerësojnë veprën në një mënyrë të re. Për këtë arsye, Kadriu na jep një vlerësim të qëndrueshëm për krijimtarinë e Nexhat Rexhës, duke e paarqtur atë si një manifestim të thellë artistik në komunikim intensiv me lexuesin.
Në tjetër virtyt, le ta themi, këtyre punimeve, është prirja për komunikim efektiv: për t’i shprehur mendimet dhe analizat në mënyrë të qartë dhe bindëse. Zaten, kjo është edhe një kërkesë thelbësore për një kritik letrar. Shkrimi i tillë është i angazhuar dhe frymëzon mendime të reja tek lexuesit.
Poezitë e Ganimet Klaiqit vlerësohen për përdorimin e kursyer të gjuhës dhe shprehjeve për t’i shqiptuar idetë dhe përjetimet. Edhe nëse shfaqet deklarativja, ajo shoqërohet me ironi, duke reflektuar ndjesitë e kohës së çastit dhe tonit të nervozizmit, tek tematika pothuajse e ngritur në sistem: për lindjen, vdekjen, atdheun dhe për reflektimin mbi përvojën njerëzore. Interpretimi i lindjes dhe vdekjes shfaqet nëpërmjet antitezës së kolektivitetit dhe individualitetit. Përmendet se Klaiqi përdor motive të popullarizuara, si legjendat dhe ngjarjet historike, për të reflektuar mbi moralin dhe vlerat e shoqërisë, mbi ndarjen historike të shqiptarëve dhe analizën e fajit shoqëror.
Si poezi që begatojnë ndjenjën e dashurisë, vlerësohet libri më i ri poetik i Linditë Ramushit – Dushkut, të cilat shqiptohen si përsiatjeve autoriale. Gjithashtu qëmton rëndësinë e perspektivës gjinore në poezinë e Linditës, duke theksuar se ajo e përfaqëson femrën si një subjekt rë fuqishëm dhe të pavarur, duke e bërë të qartë se dashuria është një përvojë e përbashkët që nuk i përjashton sfidat dhe rreziqet. E përmbyll me vlerësimin se poezitë e Linditës shfaqin një strukturë kompakte tematike dhe një unitet stilistik, si autore që ndjek një vizion artistik të qartë.
Autori përdor përkufizimin “përsiatje” në këtë punim kritikë e që ka të bëjë me vlerësimin apo vështrimin e një krijimi letrar, duke iu referuar ndjesive, shpirtit, apo botëkuptimit që kritiku synon ta shprehë në shkrimin e tij. Në kontekstin e kritikës së përsiatjes, ky reflektim shërben për ta paraqitur një formë të përkufizimit apo interpretimi të veprës, duke u përqendruar në perceptimin e thellë dhe të gjerë të kuptimit të krijimit letrar. Do të thotë që kritiku e analizon veprën, duke u përqendruar në perceptimin e ndjenjave të dashurisë dhe në mënyrën se si autorja i shpreh ato në poezitë e saj, pasi lidh fjalën “përsiatje” me procesin e mendimit të thellë dhe të gjatë për temat dhe mesazhet që përfaqësohen në librin poetik të Linditë Ramushit-Dushkut.
Me këso ritmesh vazhdon edhe me krijimet poetike të krijuesve tjerë, si ato të Xhevat Latifit dhe të Kushtrim Ymerit. Te i pari shquan reflektimin e thellë të realitetit shoqëror dhe politik, me sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë në kontekstin e luftës dhe pasluftës. Po ashtu, dallon reflektimin e përvojës personale poetike dhe lidhjen me poetë të tjerë, një temë mjaft e rëndësishme për trajtim. Te libri i parë me poezi të Kushtrim Ymerit, dallon dashurinë si motiv mbizotërues. Vihet në pah vlerësimi i kritikut për prirjen e Kushtrimit për t’i shprehur përjetimet dhe mendimet nëpërmjet vargjeve të pjekura mirë, duke shfaqur një nivel të lartë të imagjinatës dhe stilit poetik.

5. Kritika e përsiatjes

Te pjesa e dytë që i kushtohet prozës, e nis me dy punime për romanet e Anton N. Berishës. Punimi i parë “Kultivimi i së bukurës në rinimin e shpirtit” – rreth romanit,” Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, në perceptimin e kësaj vepre Sh. Kadriu shfaqet thellësisht analitik dhe me plot me detaje të rëndësishme. Përpjekja për t’i shpjeguar strukturën, temat, karakteret dhe gjuhën e përdorur, është e admirueshme. Kuptimi i ndërthurjes së realitetit dhe irealitetit në roman, si dhe roli i tyre në shprehjen e shpirtit poetik të romansierit, është tejet interesant. Ky kontrast midis sferave të dukshme dhe atyre imagjinare shërben për ta përforcuar shpirtin poetik të autorit dhe për të krijuar një përvojë të pasur leximi për publikun. Ja si reflekton për strukturën e veprës kritiku:
“Subjekt-çështja e këtij romani nuk formësohet nga ato nënshtresat tradicionale, prandaj del më e ngatërruar, më e komplikuar – origjinale do të thoshim. Një kompozim të këtillë N. Fraj do ta krahasonte me një gotë argjendi në vitrinën e dyqanit, e gatshme për t’u thyer edhe nga pakujdesia më e vogël, dhe jo vetëm një pjesë e saj, po e tëra; e që të mos ndodhte diçka e tillë, Anton Nikë Berisha është kujdesur deri në fanatizëm për strukturimin dhe kompozimin e veprës së tij.” Edhe përdorimi i gjuhës dhe neologjizmave në roman, me vlera të mirëfillta artistike, me qëllim të qartë të pasuruar fjalorin e gjuhës shqipe dhe për të sjellë një eksperiencë leximi më të thellë për lexuesin. Përdorimi i historisë së Maqit dhe legjendave të tij për t’i përshkruar ngjarjet dhe karakteret e romanit, e thellon identitetin kulturor dhe emocional të veprës. Analiza e kësaj ndërthurjeje është e zgjuar dhe ndihmon në nxjerrjen e kuptimeve më të thella të mesazhit dhe qëllimit të autorit.
Romanin e karakterizon një strukturë komplekse që integron me mjeshtëri realitetin dhe irealitetin. Përmasat e kësaj ndërthurjeje janë të shumta, duke filluar nga ngjarjet e sotme të Maqit, një fshat arbëresh, dhe duke vijuar me legjendat e hershme të këtij vendi. Berisha e përshkruan me detaje jetën e banorëve të Maqit në mënyrë të natyrshme, duke i ngarkuar ngjarjet e tyre me nuancat e kohës dhe kulturës së tyre. Ndërsa ndërthurja e mëtejme realitetit dhe irealitetit në roman, apo edhe kur “kombinimet e panumërta të mikrostrukturave, të cilat në fund të fundit përbëjnë makrostrukturën e veprës”; i përcakton temat kryesore dhe zhvillon karakteret në mënyra të ndryshme. Për shembull, kjo ndërthurje ia krijon mundësinë autorit të qëmtojë temat e identitetit, dashurisë, traditës dhe shpirtit njerëzor në kontekstin e historisë së Maqit dhe legjendave të tij. Ky gërshetim ka një efekt të fuqishëm mbi lexuesin, e frymëzon kritikun letrar të reflektojë mbi temat dhe mesazhet që trajtohen në roman, posaçërisht kur vepra e tillë shquhet për shtresat e tekstit poetik: “Për të qenë një roman poetik, duket se e ka të domosdoshëm zhvillimin e linjës ireale”… Kritikut i jepet mundësia t’i zbulojë thellësinë e kulturës dhe trashëgiminë arbëreshe. Së këndejmi, bota arbëreshe që shfaqet në romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” është një pjesë thelbësore e strukturës së tij narrative dhe e realizon kuptimin e veprës së Anton Nikë Berishës. Kultura arbëreshe dhe tradita, gjuha dhe folklori, historia dhe trashëgimia, konfliktet dhe sfidat bashkëkohore, janë punkte të poetizuara dhe të romanësuara, kurse këtë procedim krijues Sh. Kadriu e përveçon edhe te punimi tjetër “Prozë e mbrujtur me poezi” kushtuar romanit “Bimorja” (botimi i dytë) rë Anton Nikë Berishës.
Referencën “përsiatje” autori e përdor edhe te ky shkrim. Kritiku është peng i thellësisë së veprës. Sipas këtij leximi kritik, romanin e karakterizojnë elemente të misterit, historisë, dhe filozofisë, duke e bërë atë një përvojë të pasur për lexuesin. Romanin e fillon me elemente misterioze dhe përrallore, për t’i përfunduar me ngjarje historike. Kjo ndërlidhje e elementeve të shpeshta të përbindshme me fakte historike, i jep një dimension shtesë veprës. Për shembull, trajtimi i vdekjes së personazhit kryesor, Pjetrit të Bogdanëve, si dhe përpjekjet për ta zbuluar varrin e tij, shërbejnë si një model i rrëfimit që flet për historinë e vërtetë dhe të imagjinuar. Veçohet edhe një strukturë shumështresore. Berisha ndërton një fabul të gjallë dhe komplekse që nxit një dialog të hapur me kritikun lexues. Personazhi i Bogdanit përfaqëson një shembull të idealizuar të heronjve kombëtarë dhe interpretohet si një figure që përjeton një udhëtim të brendshëm dhe të jashtëm nëpër ngjarjet dhe sfidat e jetës. Kurse kritiku fokusohet në elementet e brendshme gjuhësore, në strukturën narrative dhe në mesazhet themelore të shprehura në roman.
Punimi “Estetikja e prozës moderniste të Ymer Shkrelit” (1992), e analizon dhe interpreton veprën e Ymer Shkrelit, duke e vlerësuar si një kontribut të rëndësishëm për prozën moderne shqiptare. Shquan qëndrueshmërinë dhe kreativitetin e autorit në letërsinë shqipe të shekullit të XX, duke e krahasuar atë me krijues të tjerë të gjeneratës së tij, si Anton Pashku dhe Ramadan Rexhepi. Autori i tekstit kritik e vlerëson romanin “Pikëpjekja” si një vepër cilësore, e cila dëshmon prirjen e Shkrelit për të trajtuar tema të rëndësishme shoqërore dhe historike me një gjuhë poetike dhe një qasje të re në strukturën narrative. Po ashtu, ai vlerëson romanet “Shpendkeqja” dhe “Ura e Xhehenemit” si vepra të rëndësishme, të cilat e përforcojnë pozicionin e Shkrelit si një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Teksti kritik gjithashtu analizon karakteristikat e stilistikës së Shkrelit, duke i vënë theksin në gjuhën poetike dhe në mënyrën e tij të ndërtimit të fabulës. E përshkruan Shkrelin si një shkrimtar që përpiqet të përforcojë lidhjen midis realitetit dhe fiksionit, duke krijuar një atmosferë përplot me tensione dhe ngjarje të padukshme. Kadriu përfundon se proza e Ymer Shkrelit ka një thellësi të veçantë dhe një larmi të elementëve që e bëjnë atë të dallueshme në skenën letrare. Këto tema përfshijnë pavarësinë kombëtare, kompleksitetin e jetës njerëzore dhe analizën e psikologjisë së personazheve. “Pikëpjekja” shquhet për rrëfimin lirik dhe gjuhën poetike që shpalos nëpërmjet vetës së tretë, duke e bërë atë tërheqëse estetikisht. Ndërsa “Shpendkeqja” e shkruar në formë ditari, sjell një intimitet të veçantë dhe një perspektivë të qartë nga vetë personazhi. “Ura e Xhehenemit”, në anën tjetër, shfaq një rrëfim të gjallë dhe autentik, duke materializuar ambientet në një mënyrë të jashtëzakonshme. Temat si hakmarrja dhe pasojat e gjakmarrjes, si dhe sfidat e jetës së mërgimtarit, janë të përqendruara në veprat e tij. Shprehja e dhimbjes dhe vuajtjeve të personazheve nëpërmjet situatave të ndryshme dhe sfidave të jetës, krijon një lidhje të fuqishme mes lexuesit dhe veprës.

6. Leximi eseistik i veprës letrare

„Figura që vë në lojë karaktere të pathyeshme” quhet punimi për romanin “Ata dy të burgjeve”, të shkrimtarit Ibrahim Kadriut. Edhe ky shkrim mban referencën “meditim”. Do të thoshm se në këso rastesh, tipin e tillë të shkrimit do ta quanim kushtimisht si lexim eseistik të veprës letrare, si një metodë të interpretimit që përqendrohet në ligjërimin eseistik, si një formë reflektimi dhe interpretimi për veprën letrare. Ky lloj leximi përfshin një qasje të strukturuar dhe të thellë, duke përfshirë analizën kritike dhe personale të tekstit. Në këtë rast, analiza ka për qëllim të shpjegojë strukturën dhe temat që trajtohen në libër, duke përfshirë karakteret, ngjarjet dhe ndikimin e tyre në historinë dhe shoqërinë tonë.
Në disa pjesë të analizës, diskutohet stilistikisht si autori përdor gjuhën për të përshkruar situata, karaktere dhe dialogë në roman. Gjithashtu, analiza ndërlidh ngjarjet dhe karakteret me historinë dhe realitetin shoqëror në të cilin ata jetojnë. Veçohen edhe disa fragmente të tekstit për të ilustruar këto ide dhe për të treguar si autori përdor gjuhën për të përshkruar situata dhe për të zhvilluar karakteret. Në fund, analiza përfundon me një vlerësim të përgjithshëm për romanin dhe për mënyrën sesi autori përfaqëson historinë dhe shoqërinë nëpërmjet fiksionit letrar. Ky vlerësim përfshin edhe një analizë të stilistikës së autorit dhe mënyrën sesi ai e shfaq botën e tij letrare përmes veprës.
Teksti kritiko-letrar mbi romanin “Përsëri mars” të shkrimtares Albina Idrizi, ofron një analizë të nuancuar të strukturës, temave dhe stilit të veprës. Ngjarja është e strukturuar në një mënyrë lineare me retrospektiva të natyrshme. Kjo qasje lejon një zhvillim të ngjarjeve në mënyrë të rrjedhshme, duke përfshirë skena të ndryshme të jetës që e bëjnë romanin të gjallë dhe të ndjeshëm. Përshkrimi i jetës në një qytezë në Kosovë në periudhën e pasluftës paraqet një kontekst të rëndësishëm social dhe ekonomik. Romani trajton temën e ngecjes dhe zhvillimit të shoqërisë së pasluftës, duke nxitur meditim dhe gjykim mbi këto çështje përmes poetikës së fshehur. Kjo temë aktuale reflekton realitetet e kohës dhe vendit të përshkruar, duke shpërfaqur kontradiktat dhe absurditetet e shoqërisë. Personazhet paraqiten me kontradiktat e tyre, disa prej të cilëve arrijnë të mbijetojnë dhe të tejkalojnë çoroditjet e kohës, ndërsa të tjerët bien pre e absurditetit. Kryetari i komunës dhe Agimi janë dy personazhe që përfaqësojnë egoizmin dhe ambicien ekstreme, të cilat shpesh përfundojnë në veprime jo morale. Romani shfrytëzon satirën për të shënjestruar absurditetet që shpesh përfundojnë në akte jo morale. Kjo përqasje e bën romanin një krijim të mprehtë dhe kritike të shoqërisë, duke theksuar psikologjinë dhe sjelljet e personazheve. Dialogët janë të ndërtuar me një ndjeshmëri të veçantë, duke reflektuar karakterin dhe profesionet e personazheve. Përshkrimet e detajuara të natyrës dhe të gjendjeve emocionale të personazheve shtojnë në ndërtimin e një bote të gjallë dhe të ndjeshme. Konflikti ndërmjet dëshirave personale dhe realiteteve të ashpra të shoqërisë është një element kyç i romanit. Kontrasti midis aspiratave të larta dhe absurditetit të realitetit krijon një tension dramatik që mban lexuesin të angazhuar. Teksti kritiko-letrar e përshkruan këtë vepër si një roman koherent dhe aktiv, që mbart një strukturë dhe qëllim estetik të realizuar me sukses.
Romani e sfidon lexuesin të mendojë dhe të reflektojë mbi temat dhe ngjarjet e përshkruara, duke e lënë me pyetje dhe me një ndjenjë të thellë përjetimi edhe pasi ka përfunduar leximin.
Teksti kritik mbi romanin “Përsëri mars” të Albina Idrizit bart disa vlera të rëndësishme, si letrare ashtu edhe sociale. Duke trajtuar temën e ngecjes dhe zhvillimit të shoqërisë së pasluftës, teksti kritik ndihmon në ndërgjegjësimin mbi problemet dhe sfidat sociale që janë ende aktuale. Kjo përqasje e bën tekstin kritik jo vetëm një analizë letrare, por edhe një reflektim mbi realitetin social dhe ekonomik. Kjo ndihmon në ngritjen e vetëdijes dhe vlerësimit të veprave letrare të autorëve shqiptarë në një kontekst më të gjerë. Duke theksuar përdorimin e gjuhës, poetikës dhe përshkrimeve, teksti kritik vlerëson teknikën e shkrimit të autores. Ky vlerësim ndihmon lexuesit ta njohin dhe të vlerësojnë më mirë mjeshtërinë e autores në krijimin e një atmosfere dhe ndërtimin e një rrëfimi të fuqishëm. Duke trajtuar elementët njerëzorë dhe emocionalë të romanit, si përshkrimi i lidhjeve familjare dhe personale, teksti kritik thekson rëndësinë e këtyre elementëve në krijimin e një vepre të ndjeshme dhe të lidhshme për lexuesin.
Për tregimet e veprës “Mëkati që (s’)e bëmë” të Sabit Rrustemit, e përkufizon që në titull të shkrimit: “Tregime që dëshmojnë vlera të mëdha poetike”. Shkrimi shpalos mënyrën se si autori e përdor tregimin si një mjet për të shprehur idetë, përjetimet dhe realitetin shoqëror e historik të Kosovës. Disa pika kyçe që dalin në analizë janë: vlera artistike, komunikimi poetik, struktura dhe kompozicioni, ideja dhe simbolizmi, si dhe dialogu e karakterizimi. Meqë e vlerëson prozatorin me një nivel të lartë të shkëlqimit artistik në trajtimin e tregimeve, duke i dhënë thelbin jetës dhe historisë së Kosovës nëpërmjet elementëve poetikë të përdorura në rrëfimin e ngjarjeve dhe në zhvillimin e personazheve.
Analiza thekson mënyrën sesi autori komunikon me lexuesin nëpërmjet metaforave, simboleve dhe përdorimit të gjuhës së pasur. Kjo bën që lexuesi të identifikohet me ngjarjet dhe personazhet në mënyrë të thellë. Tregimet karakterizohen nga një strukturë e rëndësishme dhe një kompozicion i mirëfilltë, i cili ndihmon në përmbushjen e qëllimit artistik të autorit. Nëpërmjet një organizimi të veçantë të tekstit dhe përdorimit të elementëve të ndryshëm si ironia dhe humori, autorit ia del të kapë vëmendjen e lexuesit. Tregimet shpalosin idetë e thella dhe përdorin simbole të ndryshme për t’i përmbledhur mesazhet që autori dëshiron të komunikojë. Kjo bën që kritika t’i ndihmojë lexuesit të shohë përtej ngjarjeve të dukshme dhe të reflektojë mbi dimensionet e thella të jetës dhe historisë. Dialogu dhe karakterizimi i personazheve janë veçori të rëndësishme të tregimeve të Rrustemit.
Proza e Rrustemit shfaq një përqendrim të fortë në temat e dashurisë dhe përjetimeve njerëzore. Ajo përmban imazhe të pasionuara dhe metafora të thella që e bëjnë atë të shkëlqejë në zhanrin e poezisë erotike. Kadriu analizon veprën e Rrustemit, për ta shpalosur një kuptim të thellë të shprehjes artistike dhe temave të trajtuara. Përmes analizës së gjerë të stilistikës dhe përmbajtjes së veprës së tij, ato sjellin në pah vlerat e tij estetike dhe thelbësore. Rrustemi, i njohur më parë si poet me tema erotike, këtu paraqitet si një prozator i aftë për të trajtuar tema të ndryshme me një stil të veçantë dhe të thellë.
Ideja qendrore shpesh lidhet me besimin dhe ëndrrat shekullore të popullit shqiptar. Për shembull, tregimi “Arka e Vjetër” trajton temën e zbrazëtisë dhe amanetit në një kontekst socio-etnik, duke sjellë një harmoni ndërmjet kombeve dhe feve. Dialogu është një element kyç në tregimet e tij, duke krijuar dramacitet dhe duke ndihmuar në ndërtimin e tensionit dhe kontekstit emocional të tregimeve. Për shembull, në tregimin “Nën maskën e mysafirëve,” dialogu përmbush një funksion të rëndësishëm për të shfaqur ndjenjat e vetëshkatërrimit dhe qëndresës.

7. Një sintezë (meta)kritike

Kritikat për këto tekste të ndryshme janë të shkruara në mënyrë të tillë, për të paraqitur një vlerësim të thellë dhe të shtrirë të cilësive letrare të secilit autor, vëllimeve poetike dhe prozës. Kritikat shqyrtojnë temat dhe motivet themelore të secilit tekst, duke identifikuar thelbin e tyre dhe ndikimin që ato kanë tek lexuesit. Vlerësohet e interpretohet se si autorët trajtojnë tema si dashuria, historia, identiteti dhe filozofia nëpërmjet poezisë dhe prozës. Punimet shqyrtojnë ndikimin e këtyre teksteve në kulturën dhe letërsinë tonë, si dhe marrëdhënien e tyre me kontekstin historik dhe shoqëror. Përqendrohet në rëndësinë e tyre si një pjesë e trashëgimisë letrare dhe si një shprehje e kohës së tyre.
Gjuha e ligjërimi në këto punime kritike, vlerësohet për nivelin e saj të lartë të profesionalizmit dhe analizës së thellë të teksteve letrare. Kritikat përdorin një gjuhë të qartë, të përpiktë dhe të rafinuar për të përshkruar karakteristikat dhe vlerat letrare të secilit tekst. Analizat janë të strukturuara në mënyrë të qëndrueshme, duke filluar nga identifikimi i temës kryesore dhe paraqitje e mënyrës së trajtimit të saj nga autori. Kritikat përdorin terminologji letrare të specializuar për t’i përshkruar stilin, teknikat dhe elementët e përdorura në poezi e prozë, duke siguruar një kuptim të thellë për lexuesit.
Ky lexim i tillë kritiko-letrar përforcon strategjitë parësore për të krijuar kriteret e atij lexuesi që kërkohet.
Kur autori përdor që në titull sintagmën vlerësuese thellësi poetike, atëherë poetikja ose shtresa poetike është një koncept thelbësor në analizën e poezisë dhe prozës letrare. Kjo kategori letrare përfshin mënyrën se si gjuha dhe struktura e tekstit përdoren për të krijuar një efekt estetik dhe emocional te lexuesi. Në këso rastesh, ndërthurja e poezisë dhe prozës bën që kufiri midis poezisë dhe prozës bëhet i paqartë, siç është rasti me prozat poetike ose poezitë në prozë. Këtu, shkrimtarët përdorin elemente të të dyjave për të krijuar një efekt të veçantë letrar.
Një tekst me një shtresë të thellë poetike krijon një përjetim të veçantë ose atmosferë që thellon përvojën e lexuesit. Bie fjala, përdorimi i një gjuhe të errët dhe të ngarkuar, krijon një ndjenjë melankolie ose tensioni. Tekstet me shtresime poetike të pasur, ofrojnë interpretime të ndryshme në varësi të përvojave dhe këndvështrimeve të lexuesit. Kritiku letrar në kërkim të thellësive poetike fokusohet në analizimin dhe interpretimin e shtresave të thella poetike në veprat letrare. Termi “thellësi poetike” përdoret për t’i përshkruar thellësinë dhe kompleksitetin emocional, intelektual dhe estetik të një poezie a proze. Ky koncept përfshin dimensione të fshehta, kuptime të thella dhe ndjenja të komplikuara që shprehen nga një tekst caktuar.

8. Në dalje: përqasje për një debat

A thua, në këtë kohë krizash të leximit, a do të thotë kjo se ka vetëm dy palë: në njërën anë krijuesit letrarë e, në anën tjetër, vetëm kritikët si lexues?! Pyetja (metakritike) ngre disa çështje të rëndësishme për të ardhmen e letërsisë dhe marrëdhëniet e saj me publikun. Është e vërtetë që në periudha të krizës së leximit, roli i krijuesve dhe kritikëve shfaqet më i dukshëm. Krijuesit vazhdojnë të krijojnë vepra artistike, ndërsa kritikët t’i analizojnë dhe vlerësojnë këto vepra, duke u përpjekur ta mbajnë gjallë diskutimin letrar dhe ta frymëzojnë interesin për lexim. Pavarësisht krizës, ekzistojnë gjithmonë lexuesit e thjeshtë që e shijojnë letërsinë për kënaqësinë personale. Megjithatë, numri i tyre është në rënie për shkak të faktorëve të ndërliqshëm, si teknologjia, ndryshimet kulturore dhe shoqërore, si dhe ndryshimi i shijeve dhe interesave.
Teknologjia dhe mediat sociale kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit konsumojnë informacion dhe argëtim. Ky fakt ndikon në rënien e interesit për leximin e librave dhe veprave letrare, duke bërë që roli i kritikëve të bëhet më i rëndësishëm në mbajtjen gjallë të interesit për letërsinë. Arsimi dhe institucionet kulturore mund të luajnë një rol kyç në promovimin e leximit dhe zhvillimin e një kulture të leximit. Iniciativat për të inkurajuar leximin, ndihmon në rritjen e numrit të lexuesve të rinj.
Pavarësisht krizës, letërsia ka mbijetuar dhe evoluar nëpër kohë të ndryshme historike. Risitë dhe formacionet letrare, apo edhe formatet tjera si platforma të reja librat elektronike, audiobooks-et, dhe platformat digjitale për shkrim dhe lexim, sjellin lexues të rinj dhe rinovojnë interesin për letërsinë. Këto mundësi ende janë në diskrepancë, meqë letërsia jonë fare pak i plason veprat letrare në platformat e reja. Leximi është, në fund të fundit, një dialog i përhershëm, pa marrë parasysh rrethanat shoqërore e historike. Fjala ka lindur nga nevoja, dhe është shkruar gjithmonë: në shkëmbinj, pergamenë, në fletën e shtypit të Gutenbergut apo në fletën elektronike. Dhe gjithmonë është lexuar e vlerësuar.

You Might Also Like