Mr. sc. Naim MUSLIU
Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), territori i Gjilanit përveç se ishte zonë kufitare me Serbinë kuislinge, një pjesë e tij ishte nën sundimin e Bullgarisë së madhe Fashiste, e cila u formua nga Blloku Qendror. Mbrojtja e kufirit verilindor të Shqipërisë, në radhë të parë i takonte trevës së Gjilanit dhe viseve përreth, ku mobilizimi i vullnetarëve bëhej në fshatrat shqiptare përreth kufirit me Serbinë. Një pjesë e fshatarëve, nën ndikimin e propagandës së pushtetit dhe nga frika e sulmit eventual të çetnikëve të Drazha Mihajlloviqit, por edhe të njësiteve partizane që ishin koncentruar përreth kufirit, u mobilizuan në njësitet ushtarake vullnetare.
Me kërkesën e ministrit Iljaz Agushi, pushteti lejoi që të formohen 36 grupe vullnetare, të vendosura gjatë gjithë vijës së kufirit me Serbinë kuislinge. Vetëm në rajonin e rrethit të Gjilanit u formuan 6 grupe, në komunat e Strezocit, Hajnocit dhe të Hogoshtit nga dy grupe në secilën. Komandantë të grupeve vullnetare të Strezocit u emëruan: Mehmet Jashari i Krilevës dhe Nazim Sejda i Budrikës, të Hajnocit Bajram Ameti i Tygjecit dhe Sylë Zarbinca, ndërsa në grupet e Hogoshtit u caktuan Sylë Kopernica dhe Lam Shahiqi.
Pas kapitullimit të Bullgarisë më 9 shtator 1944, forcat nacionaliste shqiptare të ndihmuara nga Komanda e ushtrisë gjermane ia bashkuan shtetit të Shqipërisë territorin që ishte në zonën okupuese bullgare në Kosovë. Rrjedhimisht, kufiri i Shqipërisë shtrihej nga ana e majtë e Vardarit dhe vazhdonte deri në vijën hekurudhore Kumanovë-Preshevë-Bujanoc. Kjo vijë kufitare ruhej nga vullnetarët shqiptarë, që kryesisht ishin nga nënprefektura e Gjilanit. Përgjegjës ushtarak për vijën e kufirit Shkup-Kumanovë-Preshevë-Bujanoc ishte Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Veprimet luftarake, që u zhvilluan ndërmjet forcave të UNÇJ-së në njërën anë dhe atyre gjermane e vullnetare shqiptare në anën tjetër, nga gjysma e shtatorit deri në gjysmën e nëntorit të vitit 1944, bëheshin për të hyrë në Kosovë, përfshi edhe nënprefekturën e Gjilanit. Më 16 nëntor 1944, rreth orës 12, Brigada e 25 e Divizionit 46, Brigada III e Kosovës dhe një pjesë e Divizionit të Dytë të Kavalerisë Bullgare, duke kaluar nëpër fshatrat e Anamoravës hyjnë në Gjilan. Në anën tjetër forcat nacionaliste në rrethanat e krijuara filluan të bëjnë përgatitjet, për të kundërshtuar pushtetin e dalë nga Lufta Nacional Çlirimtare. Në anën tjetër, Lidhja e Dytë e Prizrenit në tetor vitit 1944, në mbledhjen e mbajtur në Prizren, bëri riorganizimin e forcave vullnetare shqiptare dhe e ndau Kosovën në katër zona. Krerët e forcave nacionaliste të territorit të Gjilanit, Kaçanikut dhe Ferizajt dhe veçanërisht përfaqësuesit e zonës së katërt të Mbrojtjes së Kosovës, u takuan në fund të nëntorit të vitit 1944 në Tërpezë të Vitisë. Aty u vendos që të sulmohen njëkohësisht Ferizaj dhe Gjilani. Sipas planit të përgatitur, Gjilani parashihej të sulmohej nga forcat vullnetare të Gollakut dhe të Moravës së Poshtme. Për realizimin e këtij plani u angazhuan Mulla Idriz Gjilani dhe Muharrem Fejza, të ndihmuar nga Shyt Mareci dhe Sylë Zarbica, të cilët u zotuan se do të grumbullonin forca të konsiderueshme. Me këtë rast u formua edhe Shtabi që do të udhëhiqte aksionin për çlirimin e Gjilanit. Në krye të këtij Shtabi u zgjodh Mulla Idriz Gjilani, ndërsa sekretar Muharrem Fejza dhe anëtarë Sylë Zarbinca e Shefki Hajdini.
Për të shtypur qëndresën e forcave nacionaliste shqiptare, Shtabi kryesor i UNÇJ për Serbi angazhoi tri batalione të Brigadës VIII, të cilat, më 18 dhjetor 1944, u futën në drejtim të Hogoshtit, Poliçkës e Velegllavës. Gjatë këtij marshimi këto forca nuk hasën në ndonjë qëndresë, sepse popullsia e kësaj ane e posaçërisht meshkujt ishin larguar nga shtëpitë e tyre.
Brigada e XVII Maqedonase, më 19 dhjetor 1944, marshoi në drejtim të Desivojcës që të shpartalloj luftëtarët shqiptarë, që strehoheshin në thellësi të Malësisë së Gollakut. Batalioni i parë i kësaj brigade, që shkonte në drejtim te Çarrit, u nda në Rogoçicë te vendi i quajtur Katushnicë. Kurse Batalioni i tretë i Brigadës XVII Maqedonase u nis në drejtim të Vruçevcit dhe Batalioni i Dytë në drejtim të Desivojcës.
Me ardhjen e kësaj Brigade në Malësinë e Gollakut filloi organizmi i rezistencës së armatosur. Udhëheqës të rezistencës ishin Sylë Zarbinca, Shefki Bunjaku-Desivojca, Aziz Surdulli, Muharrem Fejza, Dulah Hajra e Hysen Zhuja, të mbështetur nga popullsia e Desivojcës dhe fshatrat e kësaj treve. Ndërsa arriti në Lajçiq te shtëpia e Rexhë Kamberit, Brigada XVII Maqedonase filloi veprimet e dhunshme ndaj popullsisë. Ajo dogji edhe shtëpitë e Aziz Surdullit dhe ia vranë vëllanë. Me të dëgjuar se Brigada Maqedonase sulmoi Desivojcën, Shtabi i prirë nga Mulla Idrizi, me bashkëluftëtare u nis drejt Desivojcës. Me të arritur në vendin e quajtur Podinë, Sylë Zarbinca urdhëroi fillimin e sulmit, ngase Podina ishte e mbushur me pjesëtarë partizano-çetnikë të kësaj Brigade. Vullnetarët shqiptarë udhëtuan natën dhe pasi arritën te “Laki i Kezit”, me të dëgjuar se nëpër shtëpitë e kësaj lagjeje kishte pjesëtarë të Brigadës XVII Maqedonase, me urdhrin e Aziz Surdullit hapën zjarr në drejtim të Brigadës. Ky sulm i detyroi partizanët të largoheshin drejt lagjes së Zhigolëve.
Nga Podina luftëtarët e Shtabit shkuan drejtë lumit të Desivojcës dhe aty u informuan se Brigada XVII Maqedonase po gjuante me armë nëpër lagjet e tjera të Desivojcës, por më e rrezikuara ishte ajo e Zhigollëve. Luftëtarët e Shtabit pasi dëgjuan të shtënat u nisën drejt kësaj lagjeje. Disa prej luftëtarëve të Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare më parë kishin arritur te shtëpia e Adem Halit Bunjakut, ku brenda në dhomë kishte gra dhe fëmijë. Luftëtarët e Mulla Idriz Gjilanit ndërmorën çdo gjë që ishte e mundur për shpëtimin e popullsisë së pafajshme. Ndërkohë ata u nisën në drejtim të shtëpisë së Shaban Zhigollit, të cilën pjesëtarët e Brigadës XVII Maqedonase e kishin djegur dhe rrafshuar me tokë. Pasi iu afruan lagjes nga rojet e kësaj brigade u kërkua që të ndalen luftëtarët e Mulla Idrizit, duke u sulmuar me armë. Po ashtu edhe vullnetarët ua kthyen pushkën dhe meqë ishte natë dhe toka pakëz e mbuluar me dëborë, me shumë mund arritën t´i shmangen vdekjes nga kjo pritë. Po atë mbrëmje në mëhallën e Zhigollëve u dogjën shumë shtëpi, ndërsa u torturuan banorët e kësaj lagje.
Luftëtarët e Mulla Idriz Gjilanit, të cilëve iu printe Sylë Zarbinca, Aziz Surdulli, Shefki Desivojca dhe Muharrem Fejza, vlerësuan se nuk kanë mundësi ta shpartallojnë dhe ta kthejnë mbrapa Brigadën XVII Maqedonase, prandaj vendosën të tërhiqen derisa t´i konsolidojnë radhët e vullnetarëve. Ata pritnin ardhjen e Sylë Zarbincës me luftëtarët e tij që ta fillojnë sulmin e paraparë nga ana e Gagicëve. Ai, priste për të sulmuar herët në mëngjes. Gjatë tërheqjes nga sulmi kundër Brigadës XVII Maqedonase në lagjen e Zhigollëve, Aziz Surdulli me disa shokë ndahen. Një pjesë e shokëve së bashku me Aziz Surdullin kthehet nga lagjja e Surdullëve, për të vëzhguar gjendjen në këtë lagje dhe sërish takohen me shokët e tjerë te “Përroi i dhive”.
Pra, më 20 dhjetor 1944, Sylë Zarbinca me bashkëluftëtarë, prej Gagicëve i sulmoi partizano-çetnikët te kodra e Zhigollëve. Kështu, ai arriti t’u shkaktoj humbje të mëdha Brigadës së XVII maqedonase, e cila përfundimisht u detyrua të tërhiqet. Kurse ushtarët e brigadës së XVII maqedonase të zënë robër nga vullnetarët shqiptar u dërguan në Shtab që ishte vendosur në Hogosht. Në një rast pasi vullnetarët shqiptar menduan se e gjithë brigada maqedonase u shpartallua, rastësisht vullnetarët shqiptar që ishin nën udhëheqjen e Aziz Surdulli si Murat Surdulli e Zenel Surdulli deri sa pushonin afër një lisi. Në atë lis ishte fshehur një ushtar maqedonas ku i gjuan me pushkë, por shpejt arrijnë të drejtojnë pushkët dhe nga frika ushtari maqedonas e gjuan pushkën dhe dorëzohet. Në këtë rast Zeneli ndër tjera i thotë në gjuhën serbe se “…, unë me opinga e ti me çizme, nuk mundet” dhe ia merr çizmet ushtarit maqedonas dhe ia jep opingat. Pas kërcënimeve ndaj ushtarit maqedonas se ku janë shokët tjerë, ai tregon vendin ku ishin fshehur edhe 17 ushtarë tjerë maqedonas. Të 18 ushtarët maqedonas të zënë rob ia dorëzojnë komandantit të tyre Aziz Surdullit. Në shenjë hakmarrje nga disa vullnetarë shqiptar kërkohej që t’i vrisnin robërit por komandanti i tyre Aziz Surdulli edhe pse kjo brigadë ia vrau vëllanë nuk i lejoi ti vrisnin dhe vendosi që robërit të dërgohen në Shtab në Hogosht. Ndërkaq Batalioni që kishte shkuar në drejtim të Çarrit, sulmohet dhe shpartallohet me humbje të mëdha nga luftëtarët e Muharrem Fejzës. Kjo brigadë pësoi po ashtu humbje të mëdha nga sulmet që i udhëhoqi Sylë Zarbinca nga lindja, Riza Shkodra nga jugu, Aziz Surdulli nga veriu me trimat e lagjeve Koman e Bunjak, dhe nga sulmet e Muharrem Fejzës në Çarr.
Shkatërrimi i kësaj brigade ishte një fitore e madhe për forcat vullnetare të qëndresës së armatosur dhe ngriti moralin tek luftëtarët shqiptarë. Forcat nacionaliste, duke ndjekur njësitë e shpartalluara të brigadave maqedonase, më 22 dhjetor 1944 arritën në Ropotovë. Nga aty vullnetarët shqiptarë të udhëhequr nga Mulla Idriz Gjilani, Sylë Zarbinca etj., u ndalën në fshatin Përlepnicë, për të bërë përgatitjet e fundit për të sulmuar Gjilanin, i cili do të fillonte të nesërmen më 23 dhjetor 1944.