Libri

TE LIVADHI LEKËS

 Muhamet Halili

***
Nuk kishin nevojë për orë, kur linin takim. Mjaftonte të thuhej “Kur të dali Hana…”, “Mbasi të bien kambanat…”, ” “Kur ta mbyll dyqanin…” apo “Mbas darke…”,…. dhe dy shpirtra të trazuara nga një dashuri magjike, e gjenin njeri tjetrin në përqafim te vendi i preferuar.
Takoheshin “Te livadhi Lekës”, një vend ky për të cilin, sa herë i përmendet emri, gulfojnë legjenda e gojëdhëna të shumta.
Zakonisht legjendat për vende të veçanta lidhen me dashuri të ndaluara, dashuri të fshehta, që sado platonike, kanë tragjiken përbrenda vetës. Pastaj, pendim i mëkatarit, lë shenjë në atë vend ku ishte kryer “krimi” ndaj dashurisë, me ndonjë kishë, urë, muri, burim uji… dhe duke u mallkuar kushdo që do të pengonte një dashuri të re, futej urata në një ritual, për të sjellë mbarësi për të dashuruarit e të ardhmes, për ata që do të besonin në legjenda të tilla.
Me “Te Livadhi Lekës”, ishte krejt ndryshe. Aty energjia pozitive kishte krijuar fushën e saj magnetike qysh nga periudhat e hershme, edhe atëherë kur, sipas gojëdhënave, vendi quhej “Shtroja e Teutës”, apo “Shtrati i Dardanit”.. apo edhe emra të tjerë të ngjashëm, deri te emërtimi i tanishëm, e që ndërlidhen me histori të mira dashurie, sa që, për vrullin rinor, ishte bërë vend pelegrinazhi në kërkim të fatit për t’iu prirë në lidhje.
Legjenda më e përfolur dhe që kishte prekur edhe banuesit e tanishëm të kësaj ane, kishte të bënte me pjellori e paqe mes qiftit, të cilat mund t’i kishin kushdo që dashuronte fort dhe që i përfillte rregullat e pashkruara të legjendës, por të transmetuar gojë më gojë.
Qenësorja që përcillej brez pas brezi, kishte të bënte me atë që kur kësaj pjese të natyrës i dorëzohesh ashtu siç të ka fal perëndia, e ku natyra e gjallë e qiftit shkrihet në vetë natyrën dhe kur dëlirësia e tyre puq tokën me qiellin, atëherë qëllimi do të arrihej. Prandaj, shumë qifte për herë të parë, e preknin qiellin nga ky livadh.
Sado, që në momentin e parë, syri mund ta kapte thjesht atë si një fushë e rëndomtë me bar, si gjithë livadhet tjera, seç kishte një magji në vete ajo blertësi, sa që po e shikove pak minuta ma gjatë, të le gojëhapur për nga bukuria. Aty edhe lulet qelin e rriten të eksituara.
Nuk ta merr mendja, sa hapësira unike të qifteve janë piketuar nga ndriçimi i hënës, sado që livadh mund të dukej jo edhe aq i madh…!

***
Hëna sonte po i bëhej dëshmitare një qifti të ri që po bëheshin gati ta përtërinin legjendën. Për hënën, çdo qift identifikohej me “Adami dhe Eva”, si nismë e asaj që do të kishte jetëgjatësi, deri sa të kishte jetë.
Ky trup i zjarrtë qiellor seç e mbështolli me flakën vezulluese të saj, qiftin e ri të përqafuar, pranë një burimi.
Një vend i përkryer që natyra e kishte bërë tamam si shtrat nusërie. Bari aty, si të ishte shtrojë e hekurosur, e lulet në atë pjesë ishin të përzgjedhura edhe për ka vendi ku kishin çelur, por edhe për nga ngjyrat dhe aroma. Gurgullima e ujit të burimit, si pllakë e gramafonit luante me hitin e preferuar të qiftit. Një pemë e rritur asistoji si ta kishte punuar një arkitekt i enterierit kishte marrë pozicionin mbrojtës mbi shtrat, por me mundësi zhbirimi, nëpër degë, drejt qiellit, për t’ia mundësuar qiftit ta shihte hënën, e asaj ta shihte vlimin shpirtëror njerëzor.
Dy shpirtra të rinj, “Adami dhe Eva”, për sa ishin me këmbë në tokë, po aq preknin shpirtërisht qiellin. Shtrirë në barin e blertë, hëna u dukej ma ndryshe se nga cilido vend tjetër. Shpeshherë u dukej aq afër, sa u hidhej mendja se po ta zgjasnin pakëz më tepër dorën edhe do të mund ta kapnin!
Çfarëdo që i thoshin njëri-tjetrit, po t’i radhitnim në vargje a strofe, me atë fantazi poetike, do të bëhej dramë shekspiriane.
Dy trupa peshonin mbi njëri tjetrin si shiu i butë pranveror kur bie në tokën e etur, e shkopsitja e kopsave ishte art në vete.
Shkopsitej kopsa e këmishë së saj prej qumështi, një nga një, sikur kur deshifrohen numrat mbyllës të një kasaforte, ku ruhej diçka tejet me vlerë.
Çdo kopsë, kaptinë në vete!
E para lironte lugun e fytit të saj, që frymëmarrja t’i rridhte ujëvarë, e ofshamat të rrëshqisnin jashtë lehtësisht, por kumbueshëm.
Bashkë me kopsën e dytë lirohej gjoksi, që kur hapej para hënës, e linte vitin pa stinën e fundit, e dy kopsa të tjera shpalosnin barkun liqe me kërthizën vorbull që të përthithte brenda…!
Te kopsa e parafundit trupi dridhej mu si thupër!
Kjo e detyronte atë ta pyeste, në ka të ftohtë?!
Përgjigja e shpejtë frymëmarrje, lë të kuptohej se ajo e kishte atë në majën e gjuhës.
– U dogja flakë! – përgjigjeshin buzët e etura, për t’u përmbyllur me psherëtimën, – oh!
Shkopitja e kopsës së fundit paralajmëronte kërcimin nga “Ura e fshejt”!
Një stil “dallëndyshe”: do të zinte vend në ndriçimin e hënës, e cila dalëngadalë po e linte ngjyrën e ndezur, e po e merrte të kuqërremtën, për të filluar procesin e zbehjes deri në ikjen e plotë.
– Ah! – po të kishte mundësi kësaj here, do të donte të dilte edhe në vend të diellit…!
Mbi Livadhin e Lekës, në agun e mëngjesit fluturojnë veçse shqiponjat. Thonë, janë engjëj mbrojtës, e tani edhe të dy shpirtrave pranë burimit, që janë akoma zgjuar, në përpjekje për t’i akorduar frymëmarrjet e tyre…!

You Might Also Like