Për hirë të informimit të drejtë të opinionit publik, Komuna e Gjilanit njofton qytetarët se kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka kërkuar disa herë që çështja e kompanisë “Eco-Higjienës” të mos politizohet nga partitë politike, pasi që situata në këtë kompani është e ndërlikuar, dhe atë si pasojë e marrëveshjes të cilën e ka lidhur pikërisht një parti, e cila akuzon Komunën që po e shkatërron kompaninë.
Kjo kontratë është lidhur në vitin 2012 dhe është dashur që nga ajo kohë të fillojnë investimet edhe në kohën e qeverisjes së PDK-së.
Tani, Komuna e Gjilanit vetëm është duke i bartur pasojat e kësaj marrëveshje, e cila, është lidhur në dëm të Komunës.
Komisioni i aksionarëve, përmes anëtarëve të bordit të pjesës publike si dhe me ndihmën e përfaqësuesve të Komunës, në vazhdimësi janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dy partnerët.
Komuna e Gjilanit nuk është e interesuar që të ndërpresë marrëdhëniet kontraktuale me partnerin austriak.
Mirëpo, qëndron prapa mbrojtjes së interesave të pjesës publike dhe përkrah pa rezervë punëtorët të cilët punojnë në këtë ndërmarrje.