Dita e Flamurit, 28 nëntori, sivjet ishte më ndryshe. Në këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar nuk pati festë si zakonisht, nuk u dëgjuan poezitë e këngët kushtuar flamurit, prijatarëve të pavarësisë së Shqipërisë, nuk pati gëzim, ngase vendin amë, një ditë para kësaj date të shënuar e kishte goditur një termet i rëndë, i cili la mbi 50 të vdekur e shumë shkatërrime.
Programme festive ishin përgatitur kudo dhe në nderim të atyre që nuk mundën t’i mbijetojnë termetit e duke u solidarizuar me familjet e tyre dhe të gjithë shqiptarët, të gjitha aktivitetet e parapara u shtynë.
Edhe në Gjimnazin Natyror « Xhavit Ahmeti » nxënësit dhe mësimdhënësit kishin përgatitur një program të pasur kulturor e artistik, ishte mbajtur « Java e Psikologjisë » e pati aktivitete bamirësie më pas, për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti.
Afërsisht, dy javë më pas nxënësit e Gjimnazit « Xhavit Ahmeti » dhanë programin e titulluar « Promovojmë trashëgiminë kulturore kombëtare ».
Udhëheqësja e shkathtë, që njëkohësisht ishte edhe rrëfimtarja, Ajola Bislimi, publikun e pranishëm e fuste në traditat dhe zakonet e popullit shqiptar, të ruajtur ndër shekuj, kurse nxënësit – aktorë, me lojën e tyre, të veshur me veshje tradicionale, në dhomat – odat e dikurshme paraqitnin jetën, traditat, lojërat popullore, festat e motmotit, por edhe aktivitetin atdhetar dhe përpjekjet shekullore për liri.
Nga tradita shqiptare, u paraqitën lojërat e dikurshme shqiptare « Loja e filxhanëve » dhe « Loja e kapuçave », në të cilët aktorët në odën e burrave paraqitën se si luheshin këto lojëra dhe se si u këndohej humbësve dhe si përqesheshin ata me anë të këngëve të ndryshme.
Dasma, gjithmonë ka zënë vend në traditën shqiptare, para saj nusja gjatë tërë vitit përgatiste pajën, familjet që përcillnin dhe merrnin nusen përgatiteshin për dasmë, nusja bënte ritualet tradicionale e dasmat nuk ndaleshin, bile as në raste lufte e vdekjeje, ngase në traditën shqiptare dasma ishte dasmë e vdekja ishte vdekje.
Vajzat e reja i këndonin nuses, skaj së cilës qëndronte vjehrra e me ardhjen në shtëpinë e saj të ardhme nusja bënte temenanë, që kishte qëllimin që ajo shtëpi të jetë e lumtur, me plotë fëmijë dhe me begati.
Krejt kjo traditë e pasur shqiptare u paraqit nga nxënësit, u paraqit edhe si nëna rriste fëmijën në djep, i këndonte atij ninulla dhe i këndonte për të ardhmen. E uronte të jetë trim si Skënderbeu e i urtë e i mençur si Naimi.
Shqiptarët, ndonëse bënin një jetë të vështirë, sofra e tyre gjithmonë ishte e begatë me ushqime tradicionale. Edhe atëherë kur skamja mbulonte shqiptarët, ata me bujarinë e tyre ofronin bukë, krip e zemër e vend të veçantë zinte mysafiri, të cilit i bëheshin nderimet më të mëdha.
Në përgjithësi, të gjithë shqiptarët bënin jetë të thjeshtë, por që të gjithë, kishin një qëllim, lirinë e atdheut, luftën për flamur e për liri, gjë të cilën me paraqitjen skenike e paraqitën nxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, kryesisht të klasave të dhjeta, cilët tërë këtë program e kishin realizuar falë mësimdhënëses së tyre të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Shqipe Sijarina -Jakupi.