Trashëgimi

Mulliri i Madh në Ferizaj

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Mulliri i Madh është ndër mullinjtë më të njohur në trevën e Ferizajt dhe më gjerë, për shkak të madhësisë së objektit si dhe 6 gurëve të blojës, të cilët lëviznin më ndihmën e turbinës e cila merrte fuqinë e nisjes nga lugu i mbushur me ujë. Mulliri ndodhet në afërsi të bifurkacionit të Nerodimes, pakëz mbi Mullirin e Nikës. Tashmë është i prishur dhe nuk punon, por me ato mure anësore, me jazin dhe pjesë muresh të brendshme duket një vepër shumë madhështore. Në të vërtetë, ana jugore është më e shkatërruara, ku arrihet të dallohet vetëm themeli i murit, në handrakun e shkaktuar nga bimësia dhe rrëzimi i murit. Tri muret e anëve tjera janë ruajtur më mirë, diku deri në hatullën e tretë.

Kryesisht muret janë punuar me gurë të madhësive të ndryshme dhe të papërpunuar, por mjeshtri i kohës ka nxjerrë faqen më të mirë të tyre në sipërfaqe. Megjithatë ka pjesë muresh që janë punuar me gurë shtuf, të lehtë për t’u dhënë formë. Me këta gurë është punuar një oxhak i madh që ndodhet në murin verior të objektit, ndërsa lartësia e oxhakut, i cili nuk është prishur fare është 4.25 m.

Sipas Rrahim Kashtanjevës, mulliri që ka rreth 200 vjet, është blerë nga gjyshi i tij Hamdi Avdyl Kashtanjeva (Kapuçi) prej një familje turke, në vitin 1912. Ajo që dinë familjarët për rregullin e punës në mulli është me interes më të gjerë. Me që familja e Hamdiut ishte e kamur, ajo kishte vendosur që një gur mulliri të bluante vetëm për të varfër dhe pa ujem. Pa ujem kanë bluar edhe familjet që kanë shpjerë për blojë më pak se 100 kg. drithë. Mulliri ka punuar deri në vitin 1989/90, ndërsa është djegur nga ushtria serbe natën e vitit të ri 1992.

Një grand i fituar nga komuna e Ferizajt në vitin 2012, i dedikuar për restaurimin e  Mullirit të Madh nuk kishte arritur të realizohej për shkak të kontestit pronësor në mes familjarëve. Tashmë kontesti nuk ekziston, ndërsa një restaurim i mundshëm do të thoshte shumë për trashëgiminë kulturore të Ferizajt.

You Might Also Like