Trashëgimi

U promovuan dy libra që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore të Luginës së Preshevës dhe të viseve shqiptare

 

Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, këtë të shtunë janë provuar dy libra “Zejtaria dhe tregtia në Luginë të Preshevës dhe në viset shqiptare” dhe “Veshja shqiptare e Medvegjës dhe e viseve të tjera shqiptare” që janë botim i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore – Preshevë.

Në këtë promovim, fillimisht Xhemaludin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore – Preshevë foli për aktivitetin e kësaj shoqate dhe qëllimet e saj në aspektin shkencor dhe në fushat tjera me rëndësi për popullatën e kësaj ane. Sipas tij, në Luginë të Preshevës ka pasuri të madhe temash, të cilat nuk janë hulumtuar e trajtuar sa duhet. Salihu foli për aktivitetin e kësaj shoqate që nga viti 2010 e deri më tashti, duke thënë se falë aktivitetit të saj deri më tashti janë mbajtur 14 konferenca shkencore, janë promovuar 19 libra, janë mbajtur ekspozita, akademi, përurime  e aktivitete të tjera.

Agron Xhagolli, rencensent i këtyre librave ka theksuar se janë këto libra që  mund t’u shërbejnë studiuesve për studime të mëtejme. Sipas tij në punimet për librin e parë është shkruar për zejtarinë në Luginë të Preshevës dhe treva të tjera shqiptare. Ai tha se librat janë të pasura edhe me fotografi dhe se temat që trajtojnë ato janë trajtuar jo mjaftueshëm deri më tashti tek ne. Sipas Xhagollit në librin e parë janë trajtuar 21 libra për zejtari dhe një për tregti, derisa në librin e dytë “Veshjet…”, trajtohen veshjet popullore, që janë pjesë përbërëse e popullit shqiptar. Sipas tij, veshjet popullore pësuan ndryshime, ato ishin të veçanta dhe dëshmojnë për traditat e popullit shqiptar në krahinat veriore të popullit shqiptar.

Drita Halimi – Statovci, redaktore e librave, tha se autorët e punimeve sollën fakte nga terreni e nga literatura e bollshme, sollën tablo e informacione që nga shekulli XVI e deri më sot. Tek ne ka zeje që edhe më tej funksionojnë , kurse tematika që ngërthen zejtaria paraqet edhe efektet socio-kulturore të popullit tonë e që është me interes. Pasi ka përmendur temat që trajton libri “Veshjet…”, tha se ky libër ka material të bollshëm, por edhe fotografi, trajton tema të bollshme dhe të nduarndurshme, që dëshmon për një trashëgimi të begatë kulturore e trashigimore të kësaj treve dhe që dëshmon se kultura shqiptare është një dhe e pandashme.

Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, lexoi disa pjesë nga punimi i tij, duke treguar përvoja se si kanë punuar zejtarët e Hashanisë, që kryesisht ishin punues druri, kryesisht në punimin e nallaneve dhe në pemëtari, gjë për të cilat ishin të njohur jo vetëm në këto anë por edhe më gjerë. Dr. Qazim Namani, autor që është marrë me veshjet e Medvegjës, tha se kjo anë është e pasur me simbole kulti, veshje me simbolikë e kolorit që duhet çmuar dhe ka kërkuar që të fillojë nisma që kjo veshje të mbrohet nga UNESCO.

Në promovimin e këtyre librave folën edhe dr. Baftijar Kryeziu, Ismet Azizi, që ka kërkuar që diç e tillë të organizohet edhe për Sanxhakun, pastaj edhe Bahri Krasniqi./kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like