Enver Sadiku
Nga pikëpamja e zejtarisë dhe tregtisë, banorët e kazasë së Gjilanit me rrethinë nuk ishin të zhvilluar në fillim të shekullit XX. Shumica prej tyre merreshin me zeje manifakturore si: bakalli, terzi, kundraxhi, kovaçë, qilimxhi e litarxhi. Tregtia bëhej edhe me gjë prej leshi e lini.[1] Në fillim të shekullit XX, në Gjilan ishte formuar shtresa shoqërore e tregtarëve dhe zejtarëve të imët, me çka kishte ndryshuar shtresa sociale e popullsisë së qytetit, e një numër i tregtarëve gjilanas ishin me origjinë nga familjet e pasura feudale, që krahas tregtisë merreshin edhe me bujqësi e blegtori.[2] Importet në këtë qytet përbënin kryesisht sende koloniale, ndërsa eksportet ishin drithë, lëkura, lesh e litarë. Rrushi dhe duhani vinin nga kazatë aty afër. Në këtë kohë, Gjilani kishte 30 mijë dynymë* katrorë pyje.[3]
Në këtë qytet, më 15 maj dhe më 20 qershor për çdo vit bëhej nga një panair (pangjyri) për gjënë e gjallë, ku vinin tregtarë e zejtarë nga rrethina dhe nga vise më të largëta.[4] Pjesa më e madhe e banorëve të kësaj ane merrej me bujqësi e blegtori, ngase Kazaja e Gjilanit që shtrihej përgjatë lumit Moravë e Binçës kishte tokë pjellore, gjë që bujqësinë e bënte degë kryesore me të cilën merrej popullata. Toka e punueshme ishte shumë prodhuese dhe në këtë kohë, nuk kishte cep toke që nuk punohej. Veprimtari kryesore bujqësore e banorëve ishin prodhimi i drithërave të zakonshme. Fshatarësia ishte aktive në punë, kurse veglat e punës ishin private. Fshatarët visheshin me stof-pëlhurë që i endnin gratë. Në Kazanë e Gjilanit, numri i fshatarëve që merrej me bujqësi sillej në rreth 15 mijë vetë, prej të cilëve 12 mijë ishin vetë pronarë e 3 mijë ishin ortakë.[5]
Në viset kodrinore-malore të Gollakut e Karadakut, që ishin kryesisht më të varfra, popullata merrej me blegtori. Në këto anë ende nuk kishin depërtuar marrëdhëniet feudalo-çifligare, andaj fshatrat kishin ruajtur pronën e vogël private me pak tokë të punueshme, e edhe prania e pushtetit osman ishte më formale.[6] Në rrethin e Gjilanit kishte një numër të madh të minierave.[7] Sipas shënimeve të sallnamesë të Vilajetit të Kosovës për vitin 1899, në Kazanë së Gjilanit gjendeshin këto miniera: Novobërda, Jasenoviku, Mareci, Zhitia, Uglari, Koretishta, Kishnapola dhe Sllakoci. Aty nxirrej kromi, llasteri, plumbi, nikeli, ari etj., një pjesë e të cilave eksploatoheshin dhe xehja bartej në Lypjan për bartje të mëtutjeshme me tren, nga ku bartej në vende të tjera.[8]
Në këtë kohë Kazaja e Gjilanit kishte një kapital prej 23.440 groshëve, kurse Arka e bankës së Bujqësisë 1.063.022 groshëve dhe ajo e jetimëve 83.251 groshëve.[9]Në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX, gjendja ekonomike e Gjilanit me rrethinë ishte mjaft e vështirë. Gjendja ekonomike ishte keqësuar shumë nga luftimet e zhvilluara viteve të fundit si kundër pushtetit osman, ashtu edhe kundër atij serb. Popullsia e kësaj treve vazhdonte që veprimtari kryesore ta kishte bujqësinë e blegtorinë. Si karakteristikë e Gjilanit, për dallim nga viset tjera, ishte edhe kultivimi i duhanit. Në qytetin e Gjilanit popullsia vazhdonte të merrej edhe me zejtari e tregti. Në Gjilan ushtroheshin zeje të ndryshme, por më së shumti kishte: saraçë (lëkurëpunues), orëndreqës, tyfekxhinjë, nallbanë, vorbëtar etj.[10] Me pushtimin e Vilajetit të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga pushteti serb në vitin 1912, pos shpërnguljes së një pjese të popullsisë për në Turqi, në Shqipëri e gjetiu, pasoi edhe një shkatërrim i ekonomisë, plaçkitja e pronave shqiptare nga pushteti dhe kolonët serbë, që tashmë po vendoseshin në vendbanimet shqiptare e të tjera.[11] Kështu pas hyrjes së forcave serbe në territorin e Kazasë dhe viset tjera shqiptare, përpos vrasjeve u bënë edhe plaçkitje të shumta. Oficerët e trupat serbe vetë lëvdoheshin për mënyrën se si kryenin plaçkitjet e këtë e dëshmojnë të dhënat e kohës, të bartura nga vetë autorët e këtyre akteve: “Gratë shpesh i fshihnin stolitë e veta dhe nuk donin të na i dorëzonin. Në të tilla raste e vrisnim një anëtar të familjes dhe menjëherë na i dorëzonin të gjitha sendet me vlerë”.[12]
Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i autorit Enver Sadiku
[1] Selmani, A. art. i përm., f. 281 – 291.
[2] Selmani, A., vep. e përm., f. 42.
* Dynym (turq.) – njësi matëse e sipërfaqes së tokës në kohën e P. Osmane (1 dynym është sipërfaqja e barabartë me 1000 m2).
[3] AIH, A-IV-93, f. 36.
[4] AIH, A-IV-93, f. 36.
[5] Po aty.
[6] Halimi – Statovci, D., 1974. Gjilani, struktura dhe funksioni si qendër regjionale. Në Kosova III. Prishtinë: Instituti i Historisë, f. 304.
[7] AIH, A-IV-93, f. 36
[8] Osmani, J., 2004. Vendbanimet e Kosovës 6 – Gjilani, Prishtinë: Shkrola, f. 42.
[9] AIH, A-IV-93, f. 36-37.
[10] Rushiti, L., vep. e përm., f. 89 – 90.
[11] Osmani, J., vep. e përm., f. 42.
[12] Freundlich, L., 2010. Golgota e Shqipnisë akuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar, Prishtinë: Rrokullia, f. 37.