Në Grykën e Karadakut
“TREKËNDËSHI POETIK …” RUAN VAZHDIMËSINË DHE VLERAT E ARTIT LETRAR
Për të dhjetën herë radhazi, e duke e sfiduar një kohë pandemie, asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu” me seli në Gjilan, në Grykën e Karadakut, përkatësisht në ambientet e restorant DUNAV –it ( ku edhe pat filluar para nëntë vitesh ), organizoi Manifestimin rajonal të Poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, i cili kësaj here iu përkushtua figurës së shkrimtarit të shquar shqiptar, Mirko Gashit, në 25 vjetorin e shkuarjes në amshim.
Manifestimin e shpalli të hapur, drejtuesi i këtij asociacioni, shkrimtari Sabit Rrustemi, duke I ndërlidhur vonesat e këtij Manifestimi si dhe reduktimin e programit të sivjem të këtyre takimeve rajonale poetike, me rrethanat e pandemisë botërore të Covid -19, tha se si pasojë e këtij virusi, u çrregulluan edhe veprimtaritë kulturore, ngjashëm si shumë veprimtari të tjera e angazhime të llojllojshme të jetës publike e private tek ne.
Me një këmbëngulje të pashoqe të Ars Clubit “Beqir Musliu”, po dhe një mbështetjeje nga Ministria për culture, rini e sporet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Komunës së Gjilanit, u arrit të ruhet vazhdimësia e këtij Manifestimi që u nis dhe mbahet në nderim të 12 Qershorit – Ditës së lirisë për Kosovën, po edhe ruajtja e vlerave të mirëfillta të artit letrar dhe dhe figurave të shquara të letërsisë sonë, si është rasti edhe me figurën e shkrimtarit tone të shquar, Mirko Gashi, të cilit edhe i përkuhstohet Manifestim i sivjemë i “Trekëndëshit poetic …”.
Më pas, para shrkimtarëve e artdashësve të ftuar, e bija e shkrimtarit Mirko Gashit, Zora Kurti, bashkë me piktorin e njohur Ahmet Ibrahimi, zbuluan surprizën e këtij shënimi , portretin e Mirko Gashit, të punuar po nga Ahmet Ibrahimi, autor edhe i disa portreteve tjera me figura të shquara të kombit.
Në tryezën letrare për shënimin e 25 vjetorit të shkuarjes në amshim të Mirko Gashit, fjalën kryesore e paraqiti prof dr. Anton Nikë Berisha, i cili me argumente të shumta që i paraqiti para auditorit të mbledhur me këtë rast, konstatoi se Mirko Gashi, me poezinë e tij dhe me opusin e tij poetik, që e botoi për së gjalli apo dhe la diçka në dorëshkrim, dësmoi se poezinë e kishte gjakim dhe detyrë të përditshme së cilës nuk iu nda deri në vdekje.
Sipas Anron Nikë Berishës, poezia e Mirko Gashit e lënë në dorëshkrim është një gjakim për njohjen dhe zbulimin e botës së poetit, e shqetësimeve dhe e dhembjes së tij, po dhe e botës së tjetrit, e mjedisit shoqëror dhe më gjerë, e pësimeve dhe e tragjikes që e përcollën në rrjedhën e gjallimit. Secili individ, pra dhe secili poet, brenda vetes, ka dhe cilësi e tipare të njeriut të tij, të kulturës e të botës që i përket; gjatë rritjes fizike e mendore ai përthithë dhe njëson në vete tipare e virtyte të prindërve, të anëtarëve të familjes, pastaj të pjesëtarëve të mjedisit ku jeton dhe arsimohet. Së këndejmi, poeti i vëren dukuritë dhe me “sytë” e të tjerëve; bota e tij poetike është edhe e krijuesve paraprakë ose e atyre të kohës së tij. Çdo gjë lidhen dikund, pra e ka një shkas të parë.
Edhe folësit tjerë si, Nexhat Rexha, Emin Azemi, Prend Buxhala, Sherafedin Kadriu, Afrim Demiri, Ibrahim Kadriu e Mehmetali Rexhepi, u përqëndruan në shumë veçori krijuese të Mirko Gashit, duke sjellur dhe shembuj nga opusi I tij, shembuj që dëshmojnë se ky poet solli vlera të mirëfillta poetike që nga libri I tij I pare, “Në vorbullën e ujit” e deri te ky I fundit, I botuar pas vdekjes së tij, “Blegërimë reshë”.
Poezi nga opusi i veprës së posabotuar, “Blegërimë resh” të Mirko Gashit, lexuan Hetem Kosumi, Alketë Spahiu e Sabit Rrustemi, ndërsa, para pjesmarrësve të kësaj Tryeze, u paraqit edhe e bija e shkrimtarit Mirko Gashi, Zora Kurti, e cila solli shumë kujtime, emocione e storje nga jeta dhe bëmat e Mirko Gashit, të cilat nuk janë të pakta po edhe mbeten të paharrueshme.
Nga kjo Tryezë, rodhi dhe propozimi për ngritjen e një përmendoreje këtij shkrimtari , në një hapërië diku në qendrën e Gjilanit, sepse siç u tha, Mirko Gashi I përmbushë katërcipërisht kushtet për t’u nderuar përmes një monumenti artistik, i cili do t’i bënte nder pikësëpari Gjilanit dhe qytetarëve të saj.
Në Tryezën letrare të këtij Manifestimi, u paraqit edhe revista e sapobotuar me punimet e edicionit të dhjetë, me poezitë e pesëdhjetë poetëve, revistë e cila sadokudoe zbutë mungesën e vetë poetëve kësaj radhe që t’ishin të pranishëm dhe pjesë e këtij Manifestimi, përfshirë aty edhe nga një poezi të Mirko Gashit e të Musa Ramadanit, të cilin gjithashtu vdekja e ndau prej nesh në javën e dytë të marsit të këtij viti.
Dunav, 12 shtator 2020