Viti

U mbajt tryezë për bashkëpunimin institucional në çështjet e të drejtave pronësore të grave

Programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore (PRP), në bashkëpunim me Komunën e Vitisë, gjegjësisht Drejtorinë e Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë, ka organizuar sot në Letnicë tryezën e rrumbullakët me temën: “Bashkëpunimi ndër-institucional dhe shkëmbimi i përvojave në çështjet e të drejtave pronësore të grave. Mbajtja e kësaj tryeze, kishte për qëllim trajtimin e të drejtave pronësore të barabarta, bashkëpunimin institucional dhe prezantimin e përvojave e sfidave në realizimin e të drejtave pronësore të grave. Në cilësinë e nikoqirit të kësaj tryeze, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka theksuar se Institucionet komunale janë duke mbështetur dhe duke promovuar idenë e të bërit biznes, sikur edhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, rritjen e subvencioneve për gratë ndërmarrëse, e gjithashtu edhe forcimin e pozitës së gruas në proceset vendimmarrëse.

“Edhe çështja pronësore zë vend në listën e prioriteteve, sepse nëse kemi barabarësi si femrat po ashtu edhe burrat në pronësi, atëherë kemi një demokratizim të vendit, ngase është çështje nacionale dhe si komunë kemi obligim ta përmirësojmë dhe ndryshojmë këtë gjendje”, ka thënë kryetari Haliti. Ai më tej ka shtuar se me kënaqësi kanë nisur realizimin e përbashkët të projektit me USAID-in për të drejtat pronësore dhe jemi zotuar se do ti realizojmë objektivat të cilat i kemi para vetës. Ndërsa shefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës prof.dr. Murat Meha, ka thënë se sipas nenit 46 prona është e garantuar. Duke folur rreth fushës së të bërit biznes, ka thënë se Kosova është duke arritur progres në këtë drejtim dhe rangohet si e 66 në ranglistën e shteteve tjera.

Meha ka paraqitur edhe statistikat e Agjencionit Kadastral të Kosoës duke njoftuar se Kosova ka 2 milion e 095 mijë parcela me 5.500 pronar. Për programin e USAID-it rreth çështjeve pronësore, ka folur Miranda Jolicoeur, zv. drejtoresh e zyrës për demokraci dhe qeverisje pranë USAID-it, kurse Lulzim Beqiri nga Ministria ne Drejtësisë ka prezantuar strategjinë për të drejtat pronësore në Kosovë. Në këtë tryezë kanë folur edhe kryetari i Gjykatës Themelore dega në Viti Skender Shefkiu, Agim Sylejmani noter, si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të qëllimit të përgjithshëm të nxitjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ngritjes së çështjeve që kanë të bëjnë me pamundësinë e grave për ti ushtruar të drejtat e tuyre pronësore. Si rekomandime që dolën nga ky takim ishin që akterët pjesëmarrës të përkushtohen trajtimit më me efikasitet të problemeve që i pengojnë gratë për ti ushtruar drejtat e tyre pronësore plotësisht. Në këtë tryezë sektori kadastral i komunës dhe Zyra e Regjistrimit Civil, kanë paraqitur statistikat dhe informatat për regjistrimin e pronës dhe e diskutuan problemin e fshehjes së grave nga lista e trashëgimtarëve.Aziz Zuka

You Might Also Like