Qendra për Art Bashkëkohor nga Gjilani, “Varg e Vi”, në mbrëmjen e së dieles, e shndërroi garazhën private të automekanikut në një galeri arti, duke hapur ekspo-performancën “Art lovers are present” (Artdashësit janë prezentë).
Jeton Muja u prezantua me një set të vizatimeve të peshoreve, me titull “Matu”, duke i bërë thirrje njeriut t’ia dijë hallin vetvetes dhe ta kuptojë drejt sa peshon. “Sa më shpesh që njeriu matet, vjen më lehtë edhe si trup, edhe si mendje, do të thoshte edhe ndonjë fjalë e urtë popullore. Prandaj thirrja ime është se entuziazmi i tepruar në mbivlerësimin e vetvetes duhet ndalur. Thjesht, matuni njerëz, ta dini sa peshoni!” – është shprehur Muja, në një prononcim për portalin “kryelajmi.com”.
Kushtrim Sylejmani si artist mysafir nga Zvicra, ka prezantuar një pikturë të bërë prej leshit. Edhe vetë piktura e tij titullohet “Pikturë e leshit”, për të ironizuar me zhvleftësimin e përditshëm kur njerëzit theksuakan se “nuk ka vlerë, sa një lesh, shko në lesh, etj.”, dhe shndërrimin e asaj që zhvleftësohet shpesh në një vepër arti.
Din Azizi vjen me “X-Ray”, duke e kthyer teknologjinë mjekësore në vepër artistike, duke përçuar mesazhin se nëse rentgeni depërton në brendësi të trupit tonë, artisti depërton në shpirtin e njeriut, në thellësitë më të mëdha të qenieve njerëzore, si dhe tregon me zinxhirët e çelësat e tij, se sa shumë artistit i dalin pengesa në të gjitha anët, në realizimin e vetvetes.
Kushtrim Zeqiri prezanton para publikut një video, ku shokon shikuesit me pamjen e vetëvarjes së artistit në një degë peme bashkë me përpjekjet e fundit e të kota të qenit për të shpëtuar e ngulfatur në të njëjtën kohë, duke kritikuar përpjekjet e politikës për ta ngulfatur artistin, ndonëse pa sukses. “Politika, është ky qeni” – shprehet shkurt Zeqiri.
Avni Shkodra vjen me një performancë “Art lovers are present”, ku kërkon nënshkrimet nga audienca, e jo sikur ndodh rëndom, audienca të vrapon e të merr nënshkrimet nga artisti, shkrimtari, etj.
Avni Rudaku prezantohet me veprën “Njeri shumë i mirë, ama po i shkelke bubrrecat”, duke ironizuar edhe me njerëzit e cilësuar si shumë të mirë, por që kanë vese. “Zakonisht njerëzit flasin vetëm për njerëzit e këqij. Unë vendosa të flas edhe për njerëzit shumë të mirë, si njerëz me vese, si njerëz po ashtu të këqij” – është shprehur Rudaku.
Ekspo-performanca “Art lovers are present” është sidomos edhe kritikë ndaj mungesave të mirëfillta të hapësirave për artbërje dhe ekspozim të veprave artistike.
Në fund është shtruar një koktell i qëllimshëm për mysafirët.