Arti pamor

Varg e Vi hap të hënën hap pavijonin me 17 artistë në Tregun e Ri

Varg e Vi hap të hënën (nesër) pavijonin me 17 artistë në Tregun e Ri

Të hënën, më 11 korrik 2022, në Tregun e Ri të qytetit të Gjilanit (Tregu i Gjelbër), Varg e Vi vjen me projektin më të ri të artit bashkëkohor, përkatësisht pavijonin artistik “Visual”, me disa nga artistët dhe artistet më kreative të Gjilanit dhe të Kosovës. Hyrja në çdo çast do të jetë e lirë dhe falas, prej orës 16:00-23:00.

Nga viti 2011 i themelimit, Varg e Vi ka realizuar projekte të shumta të artit bashkëkohor dhe mbetet organizata më aktive në Rajonin e Anamoravës e më gjerë.


Projekti “Vizual” është i menaxhuar nga Avni Shkodra, me bashkëkoordinim të artistëve nga Brilant Milazimi, me kurator të pavijonit Din Azizin, me tekste të Avni Rudakut, me dizajn, fotografi e komunikim me publikun, Migjen Fazliun dhe me sfond muzikor nga DJ Tino Deep.

Projekti është mbështetur nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe me lejen e shfrytëzimit njëditor e të përkohshëm nga Ndërmarrja “Tregu”. “Visual” është përkrahur pas aplikimit në thirrjen e fundit publike për projekte kulturore-artistike nga individë e OJQ, ku kanë marrë përgjigje pozitive dhjetëra prej tyre.

Pavijoni “VISUAL”

(koncepti gjeneral)

17 artistë në një vend të pavijueshëm, që do të thotë, në një vend që ndërpritet, që nuk vijon, sepse sapo e vizitoni garazhin me numër 30, kaloni me nr. 31, 32, e kështu me radhë, duke parë në një hapësirë të njëjtë, 17 botë të ndryshme, por që i bashkon bashkëkohorja, çadra e madhe, mundësia për të ndarë me njëri-tjetrin vetëm hapësirën e përbashkët, por jo idetë. Koekzistencë. Diversitet. Individualitet i skajshëm, por brenda botës. Jo ikje në vetmi, shpellë, tempull, por shpalosje imagjinate afër njëri-tjetrit, por kurrë pa u shkrirë në njëri-tjetrin. Afërsi po, por jo puqje. Diskutim, debat, bisedë, po, por jo pajtim me çdo kusht, aq më larg servilizëm, nënshtrim, nënçmim, përbuzje, mohim, ironi, tallje e “tjetrit” veçse nuk është si ti.

***

Pavijon, pavion, pavilion, paviloun, garazh, tezgë, ndarje e veçantë, repart, salla të caktuara për t’i paraqitur veprat a krijimet e ndryshme në ekspozitë. Pavijoni “Visual” është vend i përkohshëm për ekspozitat e artistëve të ndryshëm. Para se të funksionalizohet plotësisht Tregu i Gjelbër pas rinovimit, transformohet për një ditë të vetme, në pavijon artistik. Nga treg mallrash, në pavijon krijimesh. Nga vend i materializimit, konkretizimit të skajshëm, pragmatizmit, kthehet në hapësirë të imagjinatës, fantazisë, kreativitetit, origjinalitetit, konceptualizmit, ekzistencializmit… Qëllimi i pavijonit “Visual” ka qenë funksionalizimi i objekteve të papërdorshme, të zvarritshme, të lëna pasdore, të braktisura, të boshatisura, të lëna shkretë, ose të tejvonuara, në mënyrë që artistët ta shfrytëzojnë hapësirën, nëse nuk po e shfrytëzuaka dikush tjetër, ose në rastet kur një objekt nuk bëhet aq i gjallë, aq i vizitueshëm, të rikthehet në vëmendje në mënyra më tërheqëse.

***

Pavijoni “Visual” e kthen vëmendjen kah qendrat e mëdha tregtare në tregun e hapur e tradicional. Duke iu rikthyer të vjetrës, e vjetra ripërkufizohet dhe rivizitohet. Duke iu rikthyer pazarit, artisti nuk e ndjek turmën dhe masën, por e bën masën të kthejë sytë kah artisti, kah po shkon. Artistët nuk shkojnë veç kah shkon masa, por janë për të bërë pyetje. Janë për ta drejtuar masën edhe në perspektiva të tjera. Janë për ta kthyer vëmendjen edhe aty ku ishte shkuar dikur e nuk shkohet më. Artistët nuk shkojnë pa kushte në qendra tregtare, nuk komercializohen skajshëm, nuk janë për “të gjithë ngapak”, “për gjithçka në një vend”, por për vlera dhe ide sa më origjinale, unike, të papërsëritshme sikur NFT, por në një botë reale, fizike, lëndore. Pavijoni “Visual” nga konsumatorë, na bënë vizitorë, nga blerës, në përjetues, nga kërkues në krijues, nga komercialja në ideale apo imagjinare. Pavijoni “Visual” bëhet vendtakim social i artistëve bashkëkohorë dhe vizitorëve, duke respektuar veçantitë dhe individualitetet e çdonjërit dhe çdonjërës artiste. Respekton imagjinatën e secilit, idetë, konceptet, stilin, punën dhe perspektivën, por ato i ndërlidhë me njëri-tjetrin në koekzistencë, në tolerancë, në bashkëndarje. Pavijoni “Visual” ia mundëson artdashësve të gjejnë gjithçka në një vend, paradoksalisht, si në qendër tregtare. I heqim blerësit nga qendra tregtare dhe i sjellim në pazar, por në anën tjetër, e transformojmë pazarin në qendër tregtare për një natë, duke i dhënë mundësi vizitorëve, të gjejnë çdo formë arti në një hapësirë të përbashkët, në një hapësirë të koncentruar. Në një pavijon. Bëhet një çadër e madhe që mbulon kiosqet, shtëpizat, garazhet më të vogla të çdo artisti dhe artisteje.

 

 

 



 

 

 

 

You Might Also Like