Libri

VEPËR (MONOMENTALE) E PROFESOR TEFË TOPALLIT PËR 126 KRIJUES NGA TËRTHORET SHQIPFOLËSE

Shkruan: Dr. Bahtijar Kryeziu
(Tefë Topalli, Krestomaci e Albanologjisë I, AShSh, Tiranë, 2022, botuar në fund të vitit 2024)
Kohë më parë, pikërisht, më 21.11.2024, Prof. dr. Tefë Topalli, “Profesor Emeritues” në Universitetin e Tiranës, në adresën time elektronike, më dërgoi një sihariq të mirë e të pritshëm, me këto fjalë: “Si detyrim miqësor, po ju lajmoj se libri “Krestomaci e Albanologjis-1” – me zërat e gjuhëtarëve të hapësirës Shqipfolëse, doli para një jave dhe është magazinuar në fshatin Lundër, jashtë Tiranës. E ka shtypur Enti Botues “FILARA” dhe besoj që këto ditë vjen në librarinë “LIBRI AKADEMIK”, në oborrin e Akademisë së Shkencave.
Numri i kopjeve nuk mjafton për zërat e përfshirë nga Arvanitasit, Arbëreshët e Italisë, gjuhëtarët shqiptarë të RMV, si dhe linguistët vendës…”.
Me të mësuar këtë lajm të mirë, kisha kureshtjen sesi të siguroj sa më parë këtë libër, në 13 faqet e të cilit, lakohet edhe emri im, faqe të cilat, të skanuara, veç m’i kishte dërguar akademik Gjovalin Shkurtaj, kurse librin, pas pak ditësh, pa porosi, për befasinë time, ma solli kolegu im i nderuar, prof. dr. Begzad Baliu, të cilës vepër edhe po i rrekem në këtë vështrim modest.
Për shumë kë, termi krestomaci, është i rrallë e madje edhe i panjohur, meqë në jetën e përditshme nuk përdoret dhe aq, edhe pse fjalorët e shqipes e kanë këtë shpjegim për këtë fjalë: “Krestomaci f. libr., Përmbledhje studimesh shkencore ose pjesësh të zgjedhura letrare nga autorë të ndryshëm, që bëhet sipas një programi të caktuar mësimor dhe shërben zakonisht si tekst për shkollat. Krestomaci e autorëve të Rilindjes”.
Në botën e dijes te ne dhe më gjerë janë përdorur termat: fjalor, leksikon, biobibliografi e ndonjë term tjetër, e që të gjithë këta terma kanë një bazë, nëse jo të njëjtë trajtimi e shpjegimi, të përafërtë – po.
Prof. Topalli, Parathënien e librit të tij “Krestomaci e albanologjisë I”, me 126 “zëra gjuhëtarësh të hapësirës Shqipfolëse” të shtrirë në 1668 faqe, e fillon me këto fjalë: “Ky libër mund të ishte hartuar edhe në kufijtë e një Leksikoni, ku të përmbaheshin të dhjënat e gjuhëtarëve shqiptarë dhe albanologëve të huaj, të cilët edhe i kanë nisur studimet për shqipen e shqiptarët, duke filluar nga shekulli XVIII dhe përgjatë shekullit të 19-të, kur po njihej populli ynë dhe lëvizja e tij për pavarësi kombëtare”.
Pa vajtur tutje, kur është fjala e studimeve të të huajve, të cilët, studimet për ne e gjuhën tonë, si të parët e më të moçmit që jemi, jo të gjithë dhe jo gjithherë, këtë e bënë për nder, respekt, dashamirësi e interes të shqiptarëve, por, madje, më tepër se për ne, i mëshuan shqipes e shqiptarëve, si një popull me një gjuhë ndër tri gjuhët më të vjetra të kontinentit (Këtë të dhënë e mbështesim në faktin që e sjellë gazeta pres¬tigjioze amerikane “New York Times (29 gusht 2914), e që më 28 korrik 2023 edhe gazeta “Tema”, e cila, në një artikull të nxjerrë nga “Science”, dëshmon se, të studiuara me metoda të sofistikuara “origjina e gjuhëve indo-evropiane dhe e gjuhës shqipe, e cila, bashkë me armenishten dhe greqishten, konfirmohet se është një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-evropiane që fliten ende, vërteton përfundimisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme shkencërisht që, si populli shqip¬tar, ashtu dhe gjuha shqipe, janë të paktën 6 mijë vjet të vjetër dhe autoktonë në këto troje”), për interesat e tyre, për punë krahasimi të gjuhëve të tyre me gjuhën shqipe. Megjithatë, assesi nuk mund të mohohet kontributi i shumë historianëve, gjuhëtarëve, albanologëve, indoevropianistëve në këtë fushë, pa studimet e të cilëve do të ishim shumë më të vonuar se që jemi sot. Ndër ata të cilët u morën me shqipen e shqiptarët, e do puna të përmendim vetëm disa, si: historiani suedez, Hans Thunman, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik, diplomati gjerman, Johan Georg fon Han, gjuhëtari slloven Franc Miklosiç, gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer, gjuhëtari danez Holger Pedersen, gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski, gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe etj., (përkrahës të tezës ilire të prejardhjes së gjuhës shqipe); filologu gjerman Karl Pauli, filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek; filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt, gjuhëtari ruso-gjerman Maks Vasmer, gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand, gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni, gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik Bariq, historiani gjerman Gotfrid Shram (përfaqësues të tezës trake të prejardhjes së shqipes); Norbert Jokl, Paul Kreçmer, linguisti italian Vitore Pisani, filologu e ballkanologu serb Milan Budimir, gjuhëtari gjerman, indoevropianisti, keltolog, sllavist, mik i shqiptarëve Rolf Këde¬riq etj. (ithtar të tezës
iliro-trake të shqipes) si dhe disa të tjerë të mendimeve të tjera për shqipen (https://lajmpress.org-/shqipja-dhe-shqiptaret-ne-studimet-e-studjesve-te-huaj/ 17 gusht 2020.. Por, le të mbetet kjo temë për ndonjë rast tjetër të veçantë.
Librat si ky që e kemi në dorë, kanë zanafillë të hershme, andaj edhe Krestomacinë e profesor Topallit e quajtëm edhe si libër monumental, ku do të kujtohen zëra studiuesish tanë me vite e shekuj, në të mirë të dijes, historisë, filologjisë, kulturës e traditës sonë. Sigurisht se edhe para këtij libri kemi pasur leksikone (si lloj fjalorësh), si p.sh. Leksikoni Suda ose Siuda (në gjuhën greko-bizantine) me mbi 30 mijë zëra, nga më shumë fusha të dijes; Lexikon altilyrischen Personennamen (Leksikon i emrave të njerëzve në ilirishten e vjetër), 1929; Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001″, me 2600 zëra shkrimtarësh, hartuar nga Hasan Hasani; dy fjalorët e letrarit e përkthyesit, albanologut të shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, mikut të shqiptarëve: “Fjalor historik e Kosovës” (Historical Dictionary of Kosovo), “Fjalor historik i Shqipërisë” (Historical Dictionary of Albanien); Jusuf S. Vatovci, Leksikon i magjistrave dhe i doktorëve të shkencave në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë 1430-1995, Prishtinë, 1998, te i cili dominojnë vetëm jetëshkrimet (biografitë) e magjistrave dhe doktorëve të shkencave, jo edhe bibliografitë, një komponent shumë i rëndësishëm për lexuesit dhe studiuesit, Dr. Bahtijar Kryeziu “Biobibliografi e magjistrave dhe e doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës I”, Prishtinë, 2003, me 144 intelektualë të këtij rangu, të cilët kanë gjetur vend në 582 faqe të kësaj vepre, ku përveç biografive, është dhënë edhe bibliografia e tyre dhe burimet e literaturës e së shpejti, po nga i njëjti autor, pritet të botohet edhe libri tjetër edhe më gjithëpërfshirës, për 173 intelektualë, nga të cilët 93 janë doktorë shkencash fushash të ndryshme, “Leksikon i masterave/magjistrave dhe i doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës II”, të shtrirë në 862 faqe teksti, 24 cm. diplomuar pas datës 1 janar 2001 e deri më 31 dhjetor 2023.
Natyrisht se në gjuhën tonë nuk mungojnë as leksikone e as fjalorë të tjerë enciklopedikë – shumëzërash, porse libri “Krestomaci e Albanologjisë – I”, të cilin e kemi bërë objekt trajtimi kësaj radhe, është një prurje e veçantë që dallon për nuancat e caktuara që e karakterizojnë këtë vepër nga leksikonet e edhe nga fjalorët e botuar deri më sot. Në këtë vepër ai ka punuar ndryshe, me një metodologji – teknikë tjetër pune, krahasuar me botimet e prezantuara deri më tash, siç do të shohim pak më poshtë.
Profesor Tefë Topalli, si një pedagog i spikatur e i përkorë në punën e tij të mësimdhënësit, pas punës së tij në arsimin parauniversitar: në rrethin e Kukësit dhe të Shkodrës, në Plan të Dukagjinit e në Zadrimë, angazhohet në Universitetin e Shkodrës, Tiranës, Korçës, Podgoricës dhe Beogradit; kualifikohet në Universitetin e Bolonjës, Pizës e Barit (1997-2000); e shohim të jetë hartues programesh e ligjëratash për lëndë të reja kurrikulare në degën Gjuhë shqipe – Letërsi; të angazhuar si pjesëmarrës dhe koordinator në trajnimin e pedagogëve të universiteteve ballkanike, me qendër në Gjermani (2001-2003); pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore; bashkëpunëtor në organe të ndryshme shkencore në vend dhe jashtë vendi: Prishtinë, Shkup e gjetiu, e për të gjitha këto të arrira, profesor Topalli mund të quhet, pa ngurrim, një erudit në shkencat albanologjike dhe “Profesor Emertiues”, e si dëshmi e bagazhit të tij profesional-shkencor, flasin edhe këta libra të botuar, si:
1. Antologji letrare (ushtrime sintakse, 303 faqe, Shkodër, 2006).
2. Gramatika nëpërmjet tekstit (318 faqe, Tiranë, 2007).
3. Kërkime gjuhësore (vëllimi I, II, 1067 faqe, Shkodër, 2011).
4. Gjuhë teksti (monografi, 400 faqe, Shkodër, 2011).
5. Sintaksa e fjalisë (sprovë monografike, 746 faqe, Shkodër, 2011).
6. Leksikoni: gjuhëtarë shqiptarë dhe albanologë (800 faqe, me bashkautor, Shkodër 2012).
7. Leksikon istaknutih Albanskih lingvista (në dy gjuhë, Podgorica – Skadar, 2013).
8. Fol shqip (Shkrime nga “Posta e Shqypnisëˮ, 1916-1918, Lezhë 2018).
9. Ushtrime për stilistikën e gjuhës shqipe (626 faqe, Lezhë, 2019).
10. Zadrima letrare (1168 faqe, Lezhë, 2020).
11. Sapa (562 faqe, Tiranë, 2021).
12. Krestomaci e albanologjisë -1 (1668 faqe, AShSh, Tiranë, 2022, botuar më 2024).
Me botimin e librit të fundit, botuar në fund të vitit 2024, profesor Topalli ka bërë një punë të vyer, të rëndësishme për dijen tonë. Në këtë Krestomaci, siç e ka titulluar ai veprën e vet, ka marrë në syzim 126 personalitete, kryesisht gjuhëtarë me emër, disa nga të cilët i ka radhitur në dy grupe, e që në grupin “e parë zënë vend gjuhëtarët tanë – thotë prof. Topalli, ndër më të njohuritë me rendiment shkencor, që nga Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiri (Demiraj – B. K.)… deri tek një brez më i ri: Androkli Kostallari, Ferdinand Leka, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Hajri Shehu, Rami Memushaj, Ludmila Buxheli, Ali Jashari, Valter Memishaj, Shezai Rrokaj, Bardhyl Demiraj, etj., të cilët kanë hartuar vepra themelore me rëndësi të veçantë për studimet albanologjike” (Jetëshkrimi dhe veprimtaria shkencore e të gjithë gjuhëtarëve që nuk përfshihen në FESh (botimi i fundit akademik), është ndërtuar mbi CV-të e vetë atyre, përshtatur nga autori i veprës, në masën e duhur të këtij libri).
Pa dashur të japim mend për metodologjinë e pëlqyer të punës dhe arsyeve që ka pasur parasysh autori i veprës (e që ky venerim yni nuk i ulë vlerën veprës assesi), kujtojmë se në grupin e parë, kanë pasur vendin e tyre së pakut edhe dy akademikët tanë, këndej kufiri (Akademik Idriz Ajeti dhe Akademik Besim Bukshi), kurse në grupin e dytë (për shkak të moshës), Akademik Rexhep Ismajli, Prof. dr. Shefkije Islamaj, Prof. dr. Qemal Murati, Prof. dr. Begzad Baliu e ndonjë tjetër.
Hartimi i kësaj vepre, dallon nga disa fjalorë enciklopedikë e leksikone, ngase te çdonjëri gjuhëtar, janë përzgjedhur nga 3-4 e më tepër fragmente vlerësimi nga studiues të ndryshëm, për akëcilin studiues të përfaqësuar në faqet e Krestomacisë I, e ky është një tregues – sinjal i mirë për të fituar bindjen apriori, çdokush, se në ç’nivel është e çfarë përgatitje ka ai zë që ka vendin në këtë vepër. Këtë metodë – teknikë pune e konsideron të qëlluar, me të drejtë, edhe profesor Topalli, kur nënvizon se për këta gjuhëtarë, “janë dhënë fragmente të veprave themelore, por që nuk mungojnë edhe analiza konkrete të thelluara, që kanë bërë vetë autorët, apo konsiderata e vlerësime të të tjerëve, të cilat janë mbajtur në tubime e veprimtari dhe janë botuar në revista të ndryshme shkencore. Në këtë mënyrë, libri merr formën e një krestomacie, me lexime të shkurtra, që zbulojnë natyrën dhe fushën e kërkimeve gjuhësore të zërave të paraqitur”.
Gjuhëtarët e përfshirë në këtë vepër (madhore), janë radhitur sipas moshës së tyre, nga më i madhi me moshë (Konstandin Kristoforidhi, Elbasan, 22 maj 1827 – 7 mars 1895), deri tek studiuesja më e re (Ajten Hajdari – Qamili, Strugë, 3 shkurt 1979). Kjo bie në sy, me të hapur faqet e Krestomacisë I (faqe 5 – 7) e që pas çdo emri, shënuar jo sipas ABC-së, por sipas moshës së tyre, lexuesi mund të gjejë emrin e akëcilit gjuhëtarë, kurse në fund të faqeve të veprës, faqe 1663- 1669, është shënuar Indeksi i emrave, sipas rendit alfabetik A – Zh, dhe pas emrit janë dhënë edhe faqet e citimeve të veprave të ndryshme për të cilat ka shkruar çdo gjuhëtarë, kjo një punë shumë e mirë për të hyrë më lehtë në botën e dijes e të shkencës (për veprat e ndryshme, të cilat i ka zënë në gojë autori i një studimi). Edhe diçka tjetër dallon në shënimin të zërave të përfshirë në këtë vepër: të shkruarit e emrit dhe mbiemrit, jo sipas një standardi tanimë të pranuar përtej modelit tradicional shqiptar: mbiemri, inicialja e parë e prindit dhe emri, por emri dhe mbiemri, siç edhe e përdorim ne në jetën e përditshëm në ligjërimin e folur e në të shkruarit e zakonshëm. Nuk di nëse një model i këtillë pune është më i pranueshëm në ditët e sotme apo jo, krahasuar me atë europian e më gjerë?
Sido që të jetë, kemi bindjen e thellë dhe të padyshimtë se profesor Tefë Topalli, na ka dhuruar një libër të vlefshëm, i cili, me lëndën e përzgjedhur në këtë mënyrë të paraqitjes së tij, i ka munguar literaturës shqipe.
Urojmë profesor Tefën, ashtu siç edhe ka paralajmëruar, se ky libër është vetëm botimi i pjesës së parë, që për aq sa është e mundshme më shpejt, t’i rreket pjesës së dytë, ku do të përfshiheshin edhe shumë gjuhëtarë të tjerë, të cilët për një arsye ose një tjetër kanë mbetur pa u përfshirë në pjesën e parë, e që për të gjithë gjuhëtarët e përfaqësuar në pjesën e parë dhe ata që do të përfshihen në pjesën e dytë, profesor Tefë Topalli, nëse jo nga një shtatore, po ju skalit nga një bust, për t’i bërë të tillët të pavdekshëm për shumë mote e shekuj!
Përgëzime profesor Tefë!
Gjilan, 2 janar 2025

You Might Also Like