Libri

Vepra e Hasan Bunjakut “Një gjakim i pafat” vepër e rëndësishme me stil lapidar

Shkruan: Vlerë Krasniqi

Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” është përuruar vepra e doajenit të gazetarisë Hasan Bunjaku me titull “Një gjakim i pafat”. Ky organizm është bërë në  kuadrin e veprimtarive letrare të edicionit të 14-të të Manifestimit tashmë tradicional, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, që organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”.

Libri i parë i këtij personaliteti të kulturës dhe publicistikës gjilanase, “Një gjakim i pafat”, që mund të cilësohet edhe si roman dokumentar, është botuar kohë më parë nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” dhe është mirëpritur nga lexuesi dhe vizitorët e Panairit të Librit gjatë qershorit të këtij viti, mbajtur në Prishtinë, po edhe nga njohës të letërsisë, si akademik Mehmet Halimi, poeti e kritiku letrar, Mehmetali Rexhepi po edhe nga poeti e publicisti Dan Ibrahimi, të cilët edhe ishin pjesë referuese në këtë akt solemn përurimi.

Përurimin e drejtoi poetja e re gjilanase, Kaltrinë Berisha, ndërsa fragmente nga libri lexoi artistja e skenës letrare gjilanase, Elenë Hajdari.

Në përurimin e librit, Sabit Rrustemi, editor, ka thënë se Hasan Bunjaku i ka dhënë shumë gazetarisë, kulturës e artit gjilanas. Ai duke shkruar për historinë e një familjeje, shkruan edhe historinë nëpër të cilën kaloi populli i Kosovës. Në këtë libër, autori Hasan Bunjaku mrekullisht e përcjell gjuhën e Gollakut dhe ky është një libër dokumentar me të gjitha atributet.

Mehmet Halimi, akademik, ka thënë se autori me përvojë arriti që lëndën gojore t’a organizojë e sistemoj dhe të ndërtoj një vepër të veçantë të llojit të vet. Kjo vepër sjell risi në hartimin e veprave të tilla. Në këtë vepër autori ndjek fatin historik  e me të edhe fatin historik të popullit shqiptar.

“Kjo vepër do të shërbejë kudo ku shkruhet për gjuhën, kulturën, historinë e dialektologjinë”, ka thënë dr. Halimi, duke theksuar se kujtesa është gjah e shkrimi është kurth. Sipas Halimit, kjo është një vepër e suksesshme me vlera të rëndësishme letrare, të cilën autori e ka punuar me dashuri të madhe e përkushtim, duke thithur shprehje të arta.

Dan Ibrahimi, recensent i librit, ka thënë se kjo është një prozë e rrallë dokumentare dhe një pasqyrim interesant mbi trashëgiminë tonë gojore. Sipas tij, Bunjaku voli dhe sistemoi krijimtarinë tonë popullore, duke shpalosur kodin në të cilin jetonin shqiptarët, andaj ky është libër që do të zgjojë kërshërinë e lexuesee dhe një thesar i pakrahasueshëm.

Mehmetali Rexhepi, ka folur me lavde për veprën e Hasan Bunjakut, duke theksuar se ai thellohet në botën e personazheve dhe trajton një temë tejet interesante, duke thyer kornizat e llojit monografik me një prozë dokumentare e artistike.

Autori Hasan Bunjaku, ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në daljen e këtij libri, kurse një tekst falënderues të autorit, ka lexuar nipi i tij Saimir (Artan) Bunjaku. /kryelajmi.com/.

(Autorja është gazetare praktikante në Gazetën Online kryelajmi.com/.

You Might Also Like