Libri

Vështrim analitik për librin “Re përrallore” të autorit Jean-Yves Carlen

Shkruan: Halim Halimi

Libri me tregime “Re përrallore” i autorit Zhan Iv Karlen (Jean-Yves Carlen) i përkthyer në gjuhën shqipe nga profesor Tahir Dalipi, realizohet në gjashtëmbëdhjetë tregime, të cilat zhvillojnë linja të ndryshme të rrëfimit artistik të cilat parimisht i lidhë një ide kryesore, shpërfaqja e karakterit të Kosovës. Një titull metaforik i figurshëm që shënjon rrugën e një leximi koonotativ me kuptime të shumta, të cilat modifikohen në suaza të tekstit, rrjedhimisht shtresohen dhe krijojnë mundësi të shumta interpretimi, varësisht nga potenciali kreativ i lexuesit i cili heton ndjeshëm këto kualitete të brendshme letrare. Situatat dhe narracioni i tërësishëm janë të qasshme në leximin e parë strukturor dhe analitik, por janë modeluar mjeshtërisht struktura të thella semantike, të cilat jo shpeshherë bëhen sipërfaqësore. Rrëfimet letrare të këtij libri sinkretizojnë faktin e fiksionin në realizimin e tërësishëm tekstual; ku këto domene koekzistojnë krejtësisht afër njëra-tjetrës, aq sa kufijtë mes tyre shpeshherë janë krejtësisht të padukshme.

Libri ka parabazë përvojën dhe lidhjen emocionale e të komunikimit të autorit me shoqërinë dhe kulturën shqiptare, specifikisht atë të Kosovës. Njeriu para së gjithash është qenie kulturore e cila kultivohet në vazhdimësi drejt objektivave qytetare e sociale të cilat e determinojnë mënyrën e jetesës dhe organizimin e saj. Perspektiva e vlerësimit dhe e venerimit është tipikisht kultura tjetër e diferencuar ajo që paraqitet nga vetë autori si rrëfim dhe përjetim në drejtim të kulturës sonë dhe rrjedhimisht depërtimi gradual brenda saj, duke hetuar dukshëm vlerat dhe shenjat burimore të identitetit nacional e shoqëror siç paraqiten specifikisht në tregimin “Simbole të gjalla”. Perspektiva të tilla të rrëfimit nuk i kanë munguar kulturës sonë duke veçuar: Bajronin, Durhamin, Hanhin, etj.

Faktografia si dimension i mëvetësishëm, që përbën një pjesë interesante për mënyrën se si autori i njeh dhe i zotëron plotësisht faktet historike, që integrohen si referenca të ngjarjeve me ndikim me karakter të luftës ose momentumeve të rëndësishme historike/politike vendimtare mbi fatin kolektiv shqiptar.  Toponimia është në dominantë e realizuar në qytete, fshatra rurale, hapësira malore konkrete të cilat specifikohen me emër tipik nga harta e Kosovës, duke potencuar edhe karakteristikat që e veçojnë atë vend ose banorët e asaj zone. Me një vetëdije letrare autori i bartë ato duke i modifikuar dhe modeluar brenda botëve fiktive të tregimeve në arritjen e një niveli artistik të realizimit të tekstit letrar.

Kultura ashtu siç e koncepton dhe Todorov: vëzhgohet detajshëm dhe natyrshëm si proces dhe funksion për të krijuar një gjykim të pastër mbi konditat njerëzore nivelin e qytetërimit jetësor, pa e paragjykuar, duke e racionalizuar dhe shquar si konceptim filozofik të vetë jetës brenda një rendi të caktuar shoqëror që manifestohet si botëkuptim dhe interpretim përvojash dhe vetëdijesh njerëzore në krijimin e idesë së të qenurit ndryshe. Në mënyrë atipike,  tipizohet diferenca që pasqyrohet nga fatet e individëve potencialisht intelektual që paraqesin realitetin brenda një konteksti dhe më gjerë me format e ndryshme të reagimit në botë, mit dhe literaturë. Gjuha konceptohet si sistem komunikimi dhe sistem modelues, ku nga këta parametra në vazhdimësi kërkohet, esenca konkrete e lidhjes me gjuhën si element I qenësishëm jetësor dhe tradicional ku evidentohen vepra “Çeta e Profetëve” e Bogdanit dhe teoritë e prejardhjes së gjuhës shqipe që ka lidhje me ilirishten.

Dimensioni lokal dhe universal zhvillohen dhe lëvizin paralel njëra me tjetrën, duke iniciuar ngjarje me tematikë që burojnë nga një lokalitet i vogël e deri tek problematikat e mëdha të cilat lidhen me vetë njeriun dhe konceptin e tij mbi jetën. Dimensioni lokal zhvillohet si situatë iniciuese brenda një konteksti të caktuar kohorë, veçmas kur bëhet fjalë për ngjarje specifike , ndërsa dimensioni universal arrihet kur shpaloset ana e brendshme e karakterit që tejkalon suazat e çdo rrafshi lokal e nacional. Në rrafshin universal, kërkohet gjithmonë ideali jetësor individual: dashuria, paqja shpirtërore, pasuria, karriera ose specifikat e karaktereve neurotike të cilët kërkojnë rehabilitimin e vetvetes nga komplekset e ndryshme të cilat burojnë nga fëmijëria, familja, shoqëria deri tek lufta si pasojë faktoriale e prodhimit të gjendjeve të tilla posttraumatike, ku nuk janë të pakta karakteret që vuajnë nga kjo situatë, ku autori na paraqet fatet e tyre si kohë dhe situata specifike për mënyrën se si i përgjigjen kërkesave që shoqëria ka për ta dhe këta kanë për shoqërinë.

Tregimi i parë, titullin e së cilës e bartë edhe vetë vepra “Re përrallore” zhvillon një modalitet unik të rrëfimit për mënyrën se si arrin t’i shkrijë autori, natyrën dhe njeriun në një sfond, ku diametralisht në të dy relacionet janë simbolika të figurshme që njëra paraqet të përhershmen si natyrë, ndërsa njëriu paraqet të përkohshmen si qenie e vdekshme. Elemente kozmogonike, natyrës, brenda kësaj sekuence nxjerr jetën e pastër të diferencuar nga cdo preokupimi ose vizioni urban/karierist duke e definuar qenien tejet të ngjizur me natyrën si frymë e universalitet. Paralelizmi figurativ zë hapësirë tejet të madhe në lojën që vendoset, ku konceptualisht karakteri jeton pjesërisht në qiell e pjesërisht në tokë si kërkim i vazhdueshëm për definim dhe vetëpërkufizim si pasojë e asaj që njeriu nuk arrin ta njoh ose ta dij mbi të ardhmen dhe fatin e tij të ardhshëm të cilin mundohet t’a projektoj.

Arbeni modelohet si karakteri më tipik që në mënyrë figurative, metonimike, zbulon brezin e tij dhe në mënyrë të përshkallëzuar pothuaj  fatin e përgjithshëm kolektiv. Gjithçka për Arbenin fillon si kërkim i mirëqenies dhe lumturisë në jetë, i cili niset me qëllimin më të pastër drejt botës e cila përmbytë gjithçka nga ajo që ishte e tija që transformohet radikalisht, ndërsa vetëm qielli që asocion natyrën qëndron vetvetja. Jeta Arbenit jepet në gjitha pamjet e mundshme, në relacion me: vdekjen, dashurinë, lakminë, tradhtinë, idealin jetësor, familjen dhe kthimin tek fillimi.

      “Qysh në fillim, trupat qiellorë ia kishin mbërthyer vëmendjen. Dielli ia zgjaste krahët e vet prej floriri e prej drite. Ndonjëherë hëna atij I buzëqeshte. Ndërsa retë, retë përrallore rrëshqitnin, vargoheshin, fluturonin sikur zogj të mbartur nga krahët e erës”.

Jean-Yves Carlen

Si në rastin e Arbenit në tregimin “Re Përrallore” po ashtu dhe në tregimin “Qërim hesapesh” me karakter Ymer Shehun, autori i dënon me një fund zhgënjyes dhe të rëndë këta protagonist të cilët për shkak të vizioneve për jetën dhe lakmisë së madhe, harrojnë origjinën e tyre, identitetin, vendin dhe familjen.

Kulmi i rrëfimit artistik arrihet në tregimin “Dalja nga Ferri” ku nga perspektiva narrative e djallit paraqitet ambienti shqiptar i Kosovës në përjetimet kulminante të tmerrit të luftës dhe gjendjes së saj pas përfundimit të asaj katrahure çnjerëzore. Ku si përfundim vetë natyra e djallit, që identifikohet me të keqen dhe smirën dhe potencialisht është keqdashës, pas atyre që sheh dhe dëgjon, zhbën natyrën e tij dhe i solidarizuar dhe mishëruar largohet përfundimisht drejt ferrit.

     “Ai që aq shumë kishte dëshiruar ta shihte me sytë e vet një vend të vuajtjes e të gjakut, ja që tani po ndiqte një skenografi të filmuar, i vetëm në zemrën e një toke të martirizuar. As që bëhet fjalë për kënaqje me spektaklin; shejtani filloi  të dënesë. Po, I shkreti dreq i vogël, veç pak vite më parë, do të kishte mundur të kënaqej e ngazëllehej në këtë pjesë të botës së mallkuar, ai, dashamiri I gjakut, I vuajtjes e luftës”.

Se përkthimi është leximi më i thellë që mund ti bëhet një vepre, këtë na e dëshmon dhe përkthimi i këtij libri i cili realizohet kaq fuqishëm gjuhësisht dhe semantiksht nga profesor Tahir Dalipi. Dalipi shfrytëzon gjithë arealin kulturor gjuhësor të gjuhës shqipe nga standardi, dialektet e krahinorizmat në krijimin sa më kuptimplotë të tekstit dhe qëndrimin sa më besnik ndaj tij si një rikrijim i bërë rishtazi në sublimimin e figuracionit letrar e narrativ.

You Might Also Like