Shkruan: Dr. sc. Enver Sadiku
Më 16 korrik 1913, revista “Journal des voyages et des aventures de terre et de mer” (Gazeta e udhëtimeve dhe aventurave të tokës dhe detit), në tekstin me titull “Shqipëria e injoruar” dhe nëntitullin “Në Ballkanin piktoresk” të autorit J. Titon, shkruan se Shqipëria është e vendosur në mes të maleve të Karadakut, Malit të Zi, Fushës së Kosovës dhe Adriatikut, vend të cilin ai e cilëson jo mikpritës për evropianët. Sipas artikullshkruesit, këtë vend e kishte vizituar Guy de Lubersac[1] (Gi dë Lybersak), në shoqërinë e zotit Taigny[2] (Tenji), ish-ministër francez në Karakas, zotin Steeg, delegat francez në Komisionin Evropian për Reformat në Maqedoni dhe kapiteni de Caraman, që kishin udhëtuar disa muaj më parë, në këtë vend, të cilin ai e quan “pothuajse të egër” dhe nga i cili sollën fotografi kurioze dhe mbresa krejt të reja, të cilat ai pati mirësinë t’i paraqiste në revistën “Journal des Voyages”.
Në bazë të asaj që është shkruar në këtë revistë, mund të kuptohet qartë se udhëtimi i këtij delegacioni francez ka ndodhur para Luftës së Parë Ballkanike, në kohën kur në këto troje ende po qeveriste Perandoria Osmane, kurse përshtypjet nga ky udhëtim janë botuar në verën e vitit 1913, kur rrethanat në terren kishin ndryshuar.
Një fshat në Karadak.
Ai shkruan se pas një qëndrimi të shkurtër në Shkup, duke e cilësuar atë një qytet mjaft i madh dhe gjysëmevropian, ku ishte organizuar karvani, ata ishin nisur duke kaluar kodrat e Karadakut dhe pas gjashtë orë udhëtimesh, ata ishin ngjitur në majën prej ku mund të shihej fusha, të cilën ai e quan ushqyese të racës shqiptare.
Një xhami në rrugën Shkup – Tetovë.
Ai flet për qytetet si Prizreni, Gjakova dhe Peja, që i cilëson qytete të famshme, qytete këto që me të madhe ishin përmendur muajve të fundit, shkaku i të cilave për pak sa nuk iu vu flaka Evropës së vjetër. Sigurisht se autori këtu e ka fjalën për çështjen e këtyre qyteteve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Ai thotë që ky grup të jenë ndalur në një han, ku ishin grumbulluar shumë insekte dhe më pas duke vazhduar rrugën, pas një udhëtimi disaorësh nëpër shtigje shkëmbore, ata kanë parë Prizrenin, në të cilin mund të shihen silueta të minareve, plepave dhe kështjellës së rrënuar. Ata Prizrenin e quajnë qytet shqiptar, që nuk ka karakteristikat e veta, ngase siç kishin vërejtur ata, në të gjitha qytetet shqiptare e duan gjelbërimin dhe ujin e ngjashëm ishte edhe Prizrenin nëpër të cilin rridhte lumi Lumbardh (Bistrica), skaj të cilit ka plepa me gjethe të errëta. Ai thekson se zoti Lubersac është shoqëruar nga një detashment i fortë kalorësie, i siguruar me detyrim nga komiteti xhonturk në Shkup dhe ai bashkë me shokët e tij janë nisur drejt Gjakovës.[3]
Zotërinjtë Steeg dhe Lubersac gjatë pritjes te një prijës shqiptar.
Ata sapo kishin kaluar shtratin e thatë të një lumi, duke lënë në të djathtë mbetjet e një rruge të lashtë romake, para tyre, në një kodër ishte shfaqur nga larg një trupë kalorësie që dukej se po i priste. Teksa u afruan, vunë re se kjo trupë përbëhej nga të rinj, të gjatë dhe të hollë, të veshur me rroba leshi të ngushta të bardha, me kapele të ngjashme në kokë dhe me jelekë në gjoks me ngjyra të ndezura. Të gjithë ishin të armatosur me pushkë, pistoleta dhe kama të gjata në brez. Ata ishin djemtë e bejlerëve kryesorë, zotërinjve të mëdhenj të Gjakovës që erdhën për t’i pritur dhe për t’u bërë mikpritje. Kjo kalorësi i shoqëroi deri në rezidencën e beut më të rëndësishëm. Udhëtarët zbritën dhe, duke u përkulur nga një derë shumë e ulët, hynë me ushtritë e tyre në një stallë të madhe. Që andej, nga një shkallë shumë e pjerrët prej druri, në të vërtetë më shumë se një shkallë, ata arritën në katin e dytë në një dhomë të bardhë të gjerë.
Një kullë në fshatin shqiptar.
Në Shqipëri, siç shpjegon zoti de Lubersac, familjet feudale banonin në një lloj kulle katrore prej graniti rozë dhe gri dhe hapjet e vetme të të cilave janë dritaret e kullës, të bëra vetëm nën një çati me tjegulla të shtruar pothuajse të sheshtë. Nuk ka derë tjetër të hyrjes përveç asaj të stallës apo derës kryesore.
Ai përshkruan edhe si është shërbyer ushqimi, duke e cilësuar atë si një festë e vërtetë që shqiptarët u ofruan katër francezëve. Aty pati të paktën tridhjetë pjata kryesore, kurse mikpritësi u kërkoi falje që i bëri gjërat kaq modeste, duke thënë se ishte vënë në dijeni shumë vonë për ardhjen e mysafirëve.
Më pas, ai përshkruan si ishin ulur për të ngrënë në tryezën shumë të ulët (sofër E.S.), enët ishin të gjitha nga bakri. Të ulur në dysheme, të mbuluar me dyshekë, pothuajse të gjithë të ftuarit i kishin këmbët zbathur, kurse ata i përdornin thikat dhe gishtat për shkëputur copat e mishit të një deleje të pjekur që të tërën e kishin sjellë në sofër. Për pije, të gjithë merrnin me lugë druri kos nga një enë e mbushur ose pinin ujë nga një kënatë, nga e cila e hidhnin në gotën e ndarë nga të gjithë të pranishmet. Në fund të ushqimit mysafirët u gostitën me një racion frutash të të gjitha llojeve dhe një lloj limonade.
Të nesërmen, vizitorët i çuan nëpër rrugicat e Gjakovës, ku në dyqanet prej dërrasave që përbëheshin nga një përdhese, tregtarët, të kërrusur në thembra, punonin filigranë prej ari e argjendi, bënin kama ose lëkurë të prerë. Nga vendi në vend, ai thotë se gjurmët e lëna të zjarrit na kujtonin pezullimin e besës. Në Shqipëri, ligji i vetëm në fuqi mbetet në marrjen e drejtësisë në duart e veta: nëse një shqiptar vret një tjetër, të gjithë të afërmit e viktimës, kanë të drejtën në çdo kohë dhe në çdo vend t’i marrin jetën vrasësit, me përjashtim të një periudhe të kufizuar kohore të quajtur besa.
Sapo u larguan nga Gjakova, udhëtarët francezë u mahnitën nga pasuria e pakrahasueshme e fushës që ndan këtë qytet nga ai i Pejës. “Është një Normandi e vërtetë, ku, nën një diell flakërues, uji rrjedh nëpër kullota të mbushura me pemë, që përkulen nën peshën e frutave.”[4]
Aty kullosin tufa të tëra bagëtish dhe delesh. Në një luginë të këtij rajoni të mrekullueshëm, qëndron manastiri i famshëm ortodoks i Deçanit, një manastir i fortifikuar, i rrethuar me mure dhe kanale, i pajisur me ura lëvizëse si ato që kishin në mesjetë, një manastir shumë i pasur, mikpritja e të cilit, ndaj udhëtarit, ka vetëm një gabim: mungesa e pastërtisë.
Në Pejë pritja ishte krejt tjetër. Rrugët ishin bosh, dyert e mbyllura. Me gjithë nxitim, udhëtarët dhe shoqëruesit u futën në kazermat, të cilat ishin të barikaduara dhe francezëve iu desh të kalonin mbrëmjen dhe natën në një dhomë. Të nesërmen ata kishin mësuar se i kishin futur aty ngase shqiptarët i kishin marrë për agjentë të taksave osmane, andaj kishin nxituar t’i strehonin aty nga shqiptarët.
Shtëpi e një beu në Pejë.
Më pas për të harruar këtë ndodhi dhe për t’u kthyer humorin, për nder të tyre në shtëpinë e një beu pati gosti e festë, kurse oficerët e regjimentit turk të garnizonit në Pejë madje u ofruan darkë. Gjatë kësaj darke, njëri prej tyre, një komandant turk i rritur në Gjermani, i mori në detyrë në mënyrë miqësore, duke i qortuar për mendimin e pafavorshëm që qeveria franceze kishte krijuar për xhonturqit dhe ai për këtë ishte bazuar në një artikull që ishte botuar në Gazetën “Le Temps” dhe megjithëse Lubersace kishte tentuar ta sigurojë se në Francë gazetat nuk marrin urdhra nga Ministria e Punëve të Jashhtme si në Gjermani, oficeri turk mbante qëndrimin e tij se kjo gazetë mbante qëndrimin zyrtar të Francës.[5]
Kryelajmi.com
[1] Louis Guy Marie Jean de Lubersac një politikan francez i lindur më 20 janar 1878 në Paris, vdiq më 15 prill 1932 në Paris. Ishte kryetar komunae i Faverolles më 1904. I mobilizuar në aviacion gjatë luftës dhe pati më tepër se 40 lufta ajrore gjatë kohës sa ishte aktiv dhe ishte i plagosur disa herë.
[2] Olivier Taigny i lindur më 12 nëntor 1863 në Paris, vdiq më 18 gusht 1941 në Paris. Ishte një diplomat dhe koleksionues i artit francez. Atashe i legatës në Stamboll më 1888, në Tanger më 1891, sekretar i ambasadës Franceze në Meksikë 1893, në Uashington 1895, më pas në Bruksel dhe Athinë. I ngarkuar me punë në Ambasadën e Francës në Karakas më 1905, por ishte dëbuar pas prishjes së marrëdhënieve në mes dy shteteve, por edhe më pas pati funksione politike.
[3] J. Titon, “L’Albanie ignorée” – “Les Balkans Pitoresques”, Journal des voyages et des aventures de terre et de mer, Tome 34 “nouvelle serie”, Souplement au nr. 887 du 30 novembre 1913. f. 99.
[4] Po aty.
[5] Po aty, faqe 100.