LAJME

VV: Edhe sa familjarë i kanë mbetë Lutfi Hazirit pa punë?!

Ditë më parë në Gjilan, u bënë publik emrat e 11 të punësuarve në Qendrën e Mjekësisë Familjare, emra këta që rezultuan të jenë të gjithë ose mbështetës të Lutfi Hazirit ose familjarë të tij.

Lidhur më këto punësime, ka reaguar sot Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, e cila kërkon nga kryetari Lutfi Haziri që të anulohet konkursi dhe të shpallet dhe një herë, në mënyrë që këto vende pune ti gëzojnë ata të rinjë që me të vërtetë i meritojnë dhe jo vetëm të afërm e familjarë të Lutës. Në konferencën e thirrur për media, ku foli kryetari i Qendrës Nevzad Isufi dhe asambleisti Xhelal Hajrullahu, u tha se për fat të keq punësimi në baza të nepotizmit po vazhdon jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë qendror, ku ato pak vende të reja pune, po plotësohen ekskluzivisht me të afërm të politikanëve.

“Pasi që qeveritë komunale nuk e kanë mundësinë që të rehatojnë njerëz si në Qeveri, si në Ministri e zv. Ministri, ajo kur i jepet mundësia punëson njerëz, që gjithmonë « rastësisht » qëllojnë të jenë militantë të partisë në pushtet, « rastësisht » qëllojnë të jenë të afërm të Kryetarit të Komunës, « rastësisht » qëllojnë të jenë familjarë të ndonjë ministri, të ndonjë drejtori a drejtorie, « rastësisht » qëllon që të punësuarit të jenë grua, burrë, kusheri, mik, djalë, vajzë i ndonjë prokurori a gjyqtari apo nga të lartpërmendurit, madje kjo ndodhë edhe kur në konkurrencë qëllojnë të kenë konkurruar qindra persona. Kjo ndodhë me konkurse të kurdisura, por edhe pa konkurse, me intervista e komisione të porositura. Kjo ndodhë me një minutë intervistë, me pyetje që të intervistuarëve u jepen më parë. Me pyetje të cilat s’kanë të bëjnë asgjë me vendin e punës për të cilin kanë konkurruar. Të tilla turpe bëjnë këto institucione që thirren se janë të të gjithë qytetarëve e në të vërtetë nuk janë as të të gjithë partiakëve të tyre, pra ata edhe brenda llojit të vet po bëjnë diskriminim”, ka thënë kryetari Isufi.

Ndërsa asambleisti Xhelal Hajrullahu, i cili është edhe anëtar i Komitetit për Shëndetësi, ka thënë se “në mesin e kandidatëve të pranuar janë emrat që kanë lidhje familjare dhe politike, si Bleranda Hasani – Qamili (kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Malishevë), Halil Halili(djali i shoferit të Komunës së Gjilanit dhe mbështetës i LDK-së), Avni Haziri (familjar i kryetarit të Komunës), Mustafë Mustafa(mbështetës i LDK-së në Gjilan), Labinota Zylfiu(mbesa e infermieres kryesore të QKMF-së në Gjilan), janë pesë infermierët dhe teknikët laborant të përzgjedhur sipas konkursit të 9 gushtit 2018.”

Hajrullahu ka shtuar se emërimet e punëtorëve shëndetësor nuk po bëhen në bazë të kritereve profesionale, por në bazë të kontributeve politike dhe njohjeve personale, duke kërkuar që kjo dukuri të marrë fund dhe ata që po bëjnë kështu të ndëshkohen, sepse po shkonë në dëm të të rinjëve dhe qytetarëve në përgjithësi.

Të gjitha këto veprime të paligjshme, të padrejta, bëjnë që njerëzit, të rinjtë, cdo ditë e më shumë të zhgënjehen dhe të bëhen mosbesues ndaj institucioneve përgjegjëse.

You Might Also Like