Nënkomiteti për Ekonomi i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, në debatin e organizuar në lidhje me zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit gjatë vitit 2016, ka konstatuar se komuna e Gjilanit është njëra ndër komunat që është karakterizuar si komunë me ngecje të theksuar ekonomike.
Projektet e shpallura si prioritete në vitin 2014 nga udhëheqja e kësaj komune si: rregullimi i shtratit Mirusha, trajtimi i ujërave të zeza, transporti publik e shumë projekte të tjera nuk janë realizuar as në vitin 2016.
Numri i vogël i projekteve të filluara, zvarritja e ekzekutimit të këtyre projekteve, mungesa e mbikëqyrjes, pranimi teknik i tyre përkundër cilësisë së dobët të punëve, e karakterizojnë punën në projektet kapitale.
Përkundër ankesave të komunarëve për mungesë fondesh për investime kapitale, edhe pse të njëjtit patën premtuar se do të sjellin shumë investime nga Qeveria dhe donacione nga jashtë, e që asnjëherë nuk erdhën në Gjilan, 20% e buxhetit për investime kapitale ka mbetur i pa shpenzuar.
Partneriteti publiko privat në Komunën tonë përherë është bërë në dëm të pronës publike dhe nuk i ka shërbyer interesave të qyteti, e as zhvillimit ekonomik të Komunës, por vetëm individëve të caktuar.
Komuna jo vetëm që nuk ka sjell investime që ndihmojnë zhvillimin ekonomik, por edhe ka lejuar shkatërrimin e atyre ekzistues, si që është rasti me mullirin dhe hambarin e qytetit i cili ka pas rëndësi ekonomike dhe strategjike.
Edhe subvencionet për bujqësi në Komunën e Gjilanit janë ndarë pa kritere dhe shpesh me vonesë të mëdha, e faktori kohë në bujqësi është shumë i rëndësishëm.
Arsimin në komunën tonë e karakterizojnë skandale të mëdha, mbyllja e shkollës së bujqësisë, shkurtimi i orëve të mësimit nga 45 minuta në 30 minuta, hapja e paraleleve të reja në shkollën e mjekësisë në nëntor, pa leje nga MASHT-i, cilësia e dobët dhe mungesa e punës praktike në shkollat e mesme profesionale.
Zyra e prokurimit në këtë komunë është jo transparente ashtu si është jo transparente puna e Komunës në përgjithësi.
Edhe pse situata ekonomike e Komunës është e rënd zyra e Kryetarit të Komunës i ka 29 të punësuar që gjatë vitit i kanë shpenzuar mbi 500 mijë euro edhe pse askush nuk e din se çka bëjnë për qytetarët e Komunës së Gjilanit gjithë këta njerëz në këtë zyrë dhe jo vetëm këta.