Futboll

Altin Klaiqi, futbollist i pamëshirshëm para portave kundërshtare

Në Ligën Rajonale të Gjilanit për kategori të reja, garat sivjet kanë qenë tejet interesante. Shumë lojtarë kanë shkëlqyer, duke paralajmëruar një gjeneratë të artë që po vjen. Fatosat, pionierët e kadetët kanë nisur të mbushin shkallët e Stadiumit me bari sintetik në Gjilan, kurse kanë nisur të dallohen shumë lojtarë.

Sivjet pionierët e FC Drita ishin të parët në këto gara, që gjithsesi se për punën dhe përkushtimin që dha meriton lëvdata trajneri i tyre Ardian Latifi, dikur shtyllë e mbrojtjes të KF Drita e tashti trajner në akademinë e këtij klubi.

Lojtari më i shquar i gjeneratës U15 te FC Drita pa dyshim ishte Altin Klaiqi, një superlojtar, që nuk di të huq para portave kundërshtare.

Altini në nëntë ndeshje kampionale sa ka zhvilluar ka shënuar 18 gola, apo mesatarisht dy gola për ndeshje, derisa në ndeshje miqësore ishte edhe më efikas, ngase në 12 ndeshje shënoi 28 gola.

Altin Klaiqi, konsiderohet e ardhmja e Shkollës së Futbollit të FC Drita e këtë e pranon edhe trajneri i tij, Ardian Latifi, i cili ka fjalë miradije për katërmbëdhjetëvjeçarin, i cili kontribuoi që ekipi i tij të shpallet kampion vjeshte.

“Altini është një lojtar modern, njëri ndër lojtarët më të mirë në këtë moshë në Kosovë, i shpejtë, me një teknikë të përsosur dhe me një të ardhme të ndritur”, shprehet Ardian Latifi.

 

Edhe Altini ka dëshira. Siç shprehet ai, për fillim ëndërr e tij është që në të ardhmen t’i prijë sulmit të Dritës e më pas edhe të vesh petkun e përfaqësueses së Kosovës dhe të jetë pjesë e ndonjë klubi të madh evropian.

 

Altin Klaiqi është një emër futbolli që po vjen, andaj të investohet më shumë në futbollistët e rinj, në gjeneratat e të ardhmes që do të bartin barrën kryesore në futbollin tonë.

 

You Might Also Like