Gjilan

Gjilani takon kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve për preventivë kundër COVID19

Gjilan, 16 mars 2020 – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Arbër Ismajli dhe kryesuesi i Komisionit emergjent për parandalimin e koronavirusit Covid-19, Selami Xhemaili, në konferencën për media, kanë bërë të ditur se sot në mëngjes kanë mbajtur takimin e përbashkët me kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve, derisa si Komision kanë vazhduar punën në terren në implementimin e vendimeve që kanë të bëjnë me parandalim.

Ismajli dhe Xhemaili kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në parandalimin e COVID19, por, pa panikë sepse gjendja bashkërisht do të tejkalohet duke respektuar masat mbrojtëse.

Nënkryetari Ismajli ka thënë se ky është një virus që tashmë është shpallur pandemi në nivelin botëror dhe duhet të merren masa mbrojtëse konform udhëzimeve të organeve kompetente, mirëpo pa shkaktuar panikë tek qytetarët.

“Është një virus që ka prekur numër shumë të madh të shteteve dhe njëkohësisht edhe vendin tonë. Lusim të gjithë qytetarët që t’i respektojnë në përpikëri masat mbrojtëse që kjo gjendje të mos eskalojë dhe e gjitha kjo të bëhet pa panik. Nga informatat ditore që kemi nuk ka vend për shqetësim në aspektin e furnizimit me ushqime, për çka edhe shpesh ka shqetësime të familjeve në Gjilan. Duhet të jemi vigjilent dhe ta tejkalojmë edhe këtë së bashku. Komuna tashmë ka bërë publik të gjithë numrat e telefonit në raste emergjente dhe ekipet janë të gatshme për intervenim dhe ofrim të shërbimeve profesionale”, ka thënë ai.

Ai ka falënderuar qytetarët e Gjilanit të cilët janë duke bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë dhe po i respektojnë vendimet e shtetit si preventivë ndaj këtij virusi dhe kjo e ka bërë më të lehtë edhe punën e Komisionit.

Ndërsa, Selami Xhemaili, kryesues i Komisionit emergjent, ka thënë se gjendja është nën kontroll dhe gjithçka është duke shkuar konform asaj që është porositur në nivelin qendror.

“Raste në komunën e Gjilanit nuk ka asnjë deri më tani dhe shpresojmë që të mos kemi as në të ardhmen. Preventiva është duke u mbështetur nga të gjithë qytetarët, komuniteti i biznesit dhe institucionet tjera. Sot kemi marrë mbështetjen e fuqishme edhe të kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve për kujdes maksimal”, tha Xhemaili.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbështetje me material mbrojtës dhe pajisje të tjera të domosdoshme, derisa ka njoftuar se kanë përfunduar një numër të madh të dezinfektimit të objekteve dhe janë në monitorim të gjendjes në mënyrë të vazhdueshme.

Për çdo rast, qytetarët mund të kontaktojnë këta numra, të cilët janë në dispozicion për 24 orë 112, 192. 193 dhe 194.

 

Qendra e Komisionit emergjent i Gjilanit, është vendosur të jetë në konviktin e shkollave të mesme, ku prej aty do të menaxhohet kjo situatë.

You Might Also Like