Haziri premton qeverisje mbi parimin e barazisë dhe solidaritetit në katër vitet e ardhshme Gjilan, 22 dhjetor 2016 / Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të premten mbledhjen themeluese, të cilën e ka udhëhequr anëtari ë i vjetër, Hevzi Xhelili e ku e kanë dhënë betimin 35 anëtarë të përbërjes së re si dhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili është zgjedhur për një mandat të dytë, përkatësisht të katërt, që prej pasluftës në Kosovë. Me këtë rast, Lutfi Haziri ka mbajtur edhe një fjalë rasti, ku pasi është falënderuar për besimin e dhënë nga qytetarët që t`i prijë Gjilanit për katër vjet të tjera, ndër të tjera ka premtuar se edhe në këtë mandat do të punojë me përkushtim dhe në frymën e barazisë me të gjitha subjektet politike, pa dallim, duke e vendosur interesin e qytetarëve mbi gjithçka tjetër. “Ne e kemi për detyrë ndaj njerëzve tonë, qytetit tonë dhe shtetit tonë që të punojmë në parimin e barazisë dhe parimin e urtësisë, duke integruar barazinë e partive politike, barazinë e gjinore, barazinë e grup-moshave, barazinë e grupeve sociale, barazinë para ligjit dhe para zotit”, ka thënë kryetari Haziri. Haziri ka thënë se parimi i dytë mbi të cilin do të bazohet qeverisja e këtij 4-vjeçari, do të jetë parimi i solidaritetit, që do të thotë solidaritet mes gjeneratave, mes grupeve dhe mes atyre që kanë nevojë më shumë për dorën tonë, për mbështetjen e shtetit tonë, për mbështetjen e Komunës e të anëtarëve të Kuvendit, që janë përfaqësuesit më të lartë, të cilët mund të rrezatojë solidaritet përmes barazisë për të gjithë ata që sot kanë nevojë për ne. Ai i ka ftuar anëtarët e rinj të Kuvendit Komunal që të punojnë bashkë për të zhvilluar qytetin tonë, për të ndërtuar infrastrukturë e nevojshme në qytet e fshat, për një jetë më të mirë dhe për mundësi më të mira zhvillimore për të gjithë qytetarët dhe për të rinjtë në veçanti. “Natyrisht që zoti na e ka falë këtë pjesë të tokës, e cila njihet edhe si qyteti më juglindor i Republikës tonë, qytet ky i cili ndahet nga vargmalet, por bashkohet nga njerëzit e mirë të Preshevës, Bujanocit, Kumanovës, të Karadakut të Gjilanit dhe Shkupit, të Gollakut e Moravës, që pa dallim asnjëherë, përkundër barrierave, kanë punuar bashkë, kanë rezistuar bashkë, janë kryengritur bashkë dhe kanë ndërtuar paqen bashkë. “Do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë, pa dallim etnie, feje apo partie politike, me gjithë këta përfaqësues të komunave në këtë mikro-regjion ma 17 komuna, me mbi 100 këshilltare komunalë, që ta zhvillojmë regjionin tonë, ta zhvillojmë qytetin tonë, për një mundësi më të mirë të integrimeve dhe zhvillimit të përbashkët. ”. Ai ka falënderuar edhe institucionet e shtetit, policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, duke thënë se ky është trekëndëshi i suksesit në komunën tonë që nënkupton siguri më të madhe për qytetarët, mirëqenie më të madhe, e cila garantohet nga funksionimi i drejtë i ligjit. Haziri ka përmendur edhe sfidat që e presin këtë Kuvend Komunal dhe qeverisjen komunale në mandatin e ri. “Kemi sfida jashtëzakonisht të mëdha për të luftuar çdo lloj krimi, çdo lloj korrupsioni, çdo tendencë korruptive që është kancer dhe sëmundje e shoqërisë tonë”. Kryetari Haziri ka premtuar bashkëpunim dhe transparencë me Kuvendin Komunal, për të luftuar çdo tendencë të tillë dhe çdo anomali në shoqërinë tonë ta largojmë, që të vazhdojmë të jemi shembulli më i mirë i përfaqësimit qytetar dhe përfaqësimit institucional, duke punuar bashkërisht për një Gjilan më të mirë se sa është sot. Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka 35 këshilltarë, që përfaqësojnë 9 subjekte politike, përfshirë edhe komunitetet. Faton Bislimi, Bardhyl Syla, Antigona Kqiku, Avdyl Aliu, Fejzulla Berisha, Fitim Guda, Gentrit Murseli, Ramiz Ramadani, Teuta Suliqi, Shpresa Kurteshi, Rina Ahmeti-Kasumi (LDK), Nehat Osmani, Xhelal Hajrullahu, Nevzad Isufi, Arianit Sadiku, Festa Shabani, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arijeta Rexhepi (LVV), Riza Abdyli, Bujar Nevzati, Hevzi Xhelili, Shefik Surdulli, Erlehta Osmani, Imran Thaqi (PDK), Ibish Ibishi, Nazim Gagica, Mimoza Kadriu-Qerimi, Arta Nuhiu (AAK), Vjollca Matoshi, Shemsedin Ramushi (AKR), Anila Kastrati, Enver Hajrullahu (Nisma), Mefail Junuzi (Vatra), Kadir Hysenin (KDTP), Milivoje Stojanoviq (LS).