LAJME

Hapësira që s’po e shfrytëzojnë shkollat

Sa e sa protesta ishin bërë para ish-ndërtesës njëkatëshe të Agjencionit Pyjor në Gjilan, duke kërkuar që kjo hapësirë që është në brendi të kompleksit të shkollave të mesme të lirohej dhe t’u jepej në shfrytëzim shkollave. Një betejë të gjatë për disa vite e kishte zhvilluar edhe komuna e Gjilanit me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke e cilësuar këtë pronë të komunës dhe që do të duhej t;i jepej në shfrytëzim shkollave. Pas shumë vitesh shtyrje, u arrit që ndërtesa të largohej prej aty dhe të rrënohet e tëra, por çuditërisht që nga atëherë, kjo pjesë ka ngelur jashtë grilave të kompleksit të shkollave të mesme, duke u shndërruar në një hapësirë të pashfrytëzuar.

Mësimdhënësit e Gjimnazit Natyror „Xhavit Ahmeti“, që dikur pikërisht aty afër e kishin hyrjen, tash duhet të sillen rreth e rrotull për të mbërri deri te objekti i tyre, kurse përkundër kërkesave e premtimeve të vazhdueshme aty kurrë nuk u hap një hyrje për profesorë.

Fillimisht e shndërruar në një hapësirë me barishte të mëdha, më pas kjo hapësirë nisi të shfrytëzohej nga një hulajë për fëmijë, më pas për të ndërruar destinacion dhe tashti aty janë sjellë vetura me rrymë, të cilat nuk ndalin qarkullimin as tashti, kur ka kaluar afërsisht një javë që kur ka filluar mësimi.

Mësimdhënësit e Gjimnazit Natyror „Xhavit Ahmeti“ kërkojnë që aty të bëhet një zgjidhje, derisa edhe Fehmi Sylejmani, anëtar i Komitetit për Arsim në Gjilan, thekson se aty në vend se të rregullohet një kopsht gjelbërues i shoqëruar me një fontanë freskuese dhe një hyrje e veçantë për stafin mësimor të gjimnazit natyror, fatkeqësisht është vendosur një mekanizëm argëtues e joshës për nxënësit e kampusit të shkollave të mesme.

„Ndonëse ka një javë që ka filluar procesi edukativo-arsimor, këndi i lodrave për fëmijë , përkatësisht ngasje e veturave vazhdon të qëndron edhe më tutje para gjimnazit natyror dhe përballë shkollës ekonomike. Nuk jemi kundër bizneseve, por duhet dituar saktë, se ku duhet dhënë leja këtyre veprimtarive afariste. Gjithashtu është e çuditshme se si drejtuesit e dy shkollave më të afërta të kompleksit, por edhe të tjerave nuk e kanë ngritur fare zërin për këtë çështje bizare“, thekson Fehmi Sylejmani, i cili një gjë të tillë e quan absolutisht e tmerrshme?!

Sipas Sylejmanit, nuk ngritët cilësia e arsimit me këso veprimesh të pamenduara mirë dhe duke heshtur ndaj së keqes.

You Might Also Like