Futboll

Kush do të luaj të shtunën Drita apo Gjilani

Drita dhe Gjilani përveçse janë në garë për titullin kampion të këtij edicioni në elitën e futbollit kosovar, gjithashtu janë në garë për terminet e ndeshjeve të fazës së tretë të garave, raporton Gazetasheshi.com.

Kalendari për fazën e tretë të garave i ka vënë këto dy klube pranë një sfide të vështirë, pasi që ndeshjet i zhvillojnë në të njejtin stadium. Përplasja e parë ka ardhur qysh në javën e parë, teksa dy klubet pretendojnë që ndeshjet t’i zhvillojnë në të njejtën datë.

FC Drita dhe SC Gjilani kanë bërë kërkesë zyrtare në Federatën e Futbollit të Kosovës që ndeshjet e tyre për javën e 23-të ti zhvillojnë të shtunën (14 mars).

Kërkesën e dy klubeve për të luajtur në të njejtën datë, tashmë e kanë pranuar edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës, teksa po synohet që të gjendet një zgjidhje për këtë situatë.

Abdyl Bellopoja, kryetar i Komisionit të Garave, në një prononcim për gazetën “Sheshi” ka deklaruar se Komisioni të cilin ai e drejton do të vendos të martën (11 mars) në mbedhjen të cilën do ta kenë nga ora 11:00. Madje, ai ka ftuar dy klubet që të jenë të pranishme për ta gjetur gjuhën e përbashkët.

“Komisioni i Garave do të mblidhet si zakonisht të martën për ti regjistruar ndeshjet e fundjavës. Gjithashtu do të shikojmë edhe diskutojmë kërkesat e dy klubeve (Dritës dhe Gjilanit) të cilat kanë ardhur për t’i zhvilluar ndeshjet në të njejtën datë. Ne kemi ftuar dy klubet që të jenë prezent në takim dhe ta gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket kësaj çështje. Rregullorja e garave nuk e përcakton se cila nga skuadër ka të drejtë, apo nuk ka të drejtë, prandaj e udhës do të ishte takimi i përbashkët dhe kompromisi”, dekaroi Bellopoja.

Drita refuzon takimin, mbetet e palëkundur në kërkesat e veta

Valon Zymberi – zv.drejtor i përgjithsëm te FC Drita

Drejtuesit e Klubit Futbollistik “Drita” kanë vendosur që mos të shkojnë në takimin e thirrur nga Komisioni i Garave.

Valon Zymberi, zëvendës-drejtor i përgjithshëm dhe drejtor sportiv në këtë klub, ka deklaruar për gazetën “Sheshi” se i takon Dritës të zgjedh datën se kur do ti zhvillojë ndeshjet në shtëpi përpara skuadrës së Gjilanit, pasi që është më lartë në renditjen tabelare dhe se dy klubet kishin një marrëveshje për këtë gjë vite më parë.

“Mund të ju konfirmoj që FC Drita nuk do të merr pjesë në atë takim. Ne kemi bërë kërkesë zyrtare që ndeshjen ta zhvillojmë ditën e shtunë dhe mbetemi prapa kërkesës tonë. Ne ftojmë edhe Klubin Futbollistik “Gjilani” që ta rrespektojë marrëveshjen e bërë disa vite më parë, që skuadra që përfundon më lartë në klasifikim në fazën e dytë të ketë të drejtën ta kërkojë orarin e stadiumit”, deklaroi fillimisht Zymberi.

Më pas ai shtoi se Drita nuk e sheh fare problem këtë situatë dhe vetëm kërkon zbatimin e marrëveshjes nga ana e ‘fqinjëve’ të tyre.

“Nuk nuk e shohim si një problem të madh këtë punë, pasi që nuk besojmë që Gjilani provon të kërkojë diçka të cilën e kemi rrespektuar tani e disa vite. Ne kemi koordinim të mirë edhe sa i përket termineve për seancat stërvitore. Kështu që vetëm duhet të rrespektohet marrëveshja. Nëse Gjilani do të kishte përfunduar më lartë se ne në tabelë, të jeni të bindur që ne do ta rrespektonim marrëveshjen”, përfundoi Zymberi.

Gjilani mohon marrëveshjen me Dritën, vendos Komisioni i Garave

Sevdail Robelli, drejtor i përgjithshëm te SC Gjilani

Edhe te SC Gjilani po kërkojnë që kjo situatë të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Sevdail Robelli drejtor i përgjithshëm në Sport Club “Gjilanin” ka deklaruar për gazetën “Sheshi” se çështja se cila skuadër duhet të ketë përparësi për caktimin e orarit në ndeshjet kur luajnë si vendas të bëhet me kompromis.

“SC Gjilani tashmë ka bërë kërkesë zyrtare për zhvillimin e ndeshjes ditën e shtunë. Federata e Futbollit e Kosovës na ka njoftuar që edhe Drita gjithashtu ka bërë kërkesë për të zhvilluar ndeshjen në të njejtën ditë, prandaj edhe na kanë ftuar në takim për të gjetur kompromisin e nevojshëm. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Dritën për këtë çështje, madje nuk e kemi diskutuar asnjëherë këtë temë”, deklaroi fillimisht Robelli.

I pari i ekzekutivit te ky klub thekson gjithashtu se renditja tabelare mund të ndryshojë nga java në javë dhe kjo nuk është zgjidhja më e mirë për këtë çështje.

“Renditja tabelare mund të ndryshojë nga java në javë dhe të ketë përparësi skuadra e cila ndodhet më lartë në tabelë nuk është një zgjidhje e mirë, prandaj duhet të gjejmë një kompromis për këtë gjë. Ne kemi propozuar që fillimisht ne të luajmë këtë javë së pari, pastaj javën tjetër të luajë Drita. Ne do të jemi prezent në takimin e ftuar nga Komisioni i Garave dhe do të pranojmë çdo vendim të tyre”, përfundoi Robelli.

Drita do të përballet me Ferizajn në kuadër të xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës në futboll, ndërkohë Gjilani me Trepçën ’89.

Orari për këto dy ndeshje, si dhe xhiron e 23-të në përgjithësi do të caktohet ditën e martë nga Komisioni i Garave.

/Gazeta Sheshi/

You Might Also Like