Libri

SORKADHJA FRANCEZE

  Muhamet HALILI

SORKADHJA FRANCEZE

***
Zemra më “udhëtonte” më shpejtë se trupi. Sytë e flakëruar tregoheshin të padurueshëm, donin ta shihnin sa më parë. Shpirti i trazuar krijonte tundime valore rrathë-rrathë, që ua falte një drithërim këmbëve e duarve, e zemra kishte gufuar gjoksin, sikur donte të dilte nga kallëpi i saj, pasi tani më të rrahurat i kishte sinkronizuar me ato tik-taket që tregojnë sekondat e parashpërthimin.
Vajza muzë, kishte paralajmëruar arritjen në aeroportin e Prishtinës, ku kisha arritur pa e kuptuar fare se si e bëra rrugën, por vetëm duke parë vetën në xhamat e fshirë xixëllimë të dyerve të mëdha të aeroportit, kah porta e ardhjeve, aty ku në një tabelë shkruhej me të madhe ARRIVALS.
Ishte francezja ime ajo që po e prisja të më vije, mu siç do të pritej një yll qielli, të të bije në duar! Quhet Gazelle dhe vërtetë është e tillë, mu sikur sorkadhe!
Natyrisht, meraku kishte bërë që unë të isha në aeroport para kohe. Në fakt, kur arrita, dielli ishte në zenit, kundrejt paralajmërimit se aeroplani me të cilën po vinte ajo, do të ateronte në 14 e 10 minuta.
– Oh, ani bre! – më guduliste zëri i brendshëm, me të cilin ngushëlloja vetën time, për pritjen që duhet bërë.
E rëndësishme që Gazelle po vinte në vendlindjen time, te unë, për mua, për “mon charmant albanais!”, siç e kishte zakon të më thoshte, sa herë që i vinte të qeshte me loçkën e zemrës, në situata hareje, apo pas ndonjë shakaje që ia rrëfeja me atë frëngjishten time që e kisha fituar nga njohuritë e mia të shkollës së mesme.
Fati i mirë, që si një tinejxher i djallëzuar, e kisha simpati profesoreshën e frëngjishtes, e që kishte ndikuar që në një farë mënyrë të kem dashuri edhe ndaj gjuhës frënge. Profesoresha ishte një femër jo fortë e re, por e pamartuar, e hajthme dhe e hijshme. Hatri i saj, në orë tregohesha tepër i interesuar. Besoja se po të isha nxënësi i saj i dalluar do të më përkëdhelte!
Nejse, i thash vetës, ta harroj tani mësuesen time, e t’i kthehem Gazellës, llavës sime! Dua ta kujtoj edhe njëherë se si e kam njohur…përjetimet…se si…!

***
Kisha zgjedhur të bëja plazh te “Rana e Hedhun”. Më kishte magjepsur reklamimi se këtu kishim të bënim me një plazh të mrekullueshëm që quhej shpesh edhe “i virgjër’, e vizitohej edhe nga turistë të huaj. Që në ditën e parë më bëri për vete ai peizazh magjeps. Plazhi, rëra, valët dhe uji i detit…madje edhe qielli në këtë pjesë, ishin të bëra si me penel. Më tërhiqte pa masë edhe pylli me pisha që e rrethonte këtë pjesë bregdeti shqiptar. Tamam një vend i përshtatshëm për dashuriçka, e në veçanti nëse zogëza do të ishte ndonjë italiane, gjermane, franceze… ku ta di?! Zaten, për atë edhe kisha shkuar aty.
I shtrirë në rërë, duke fantazuar në qiellin kaltërosh, forma trupash femrash, prisja fatin, që ndonjë figurë e portretizuar të më zbriste poshtë. Me të drejtë thuhet se s‘ka më mirë se ta shijosh flladin e pishave bregdetare nën “zhurmën” e valëve të detit, duke pirë birrë të ftohtë, dhe më pikantja, me një femër të nxehtë afër vetes. Kjo e fundit ishte e vetmja gjë që, për momentin, po më mungonte.
Ndonëse syrin e kisha te turistet e huaja, seç më kishin eksituar rrezet e diellit, andaj mendoja se sot nuk do të më prishte punë, po të më binte në rrjet edhe ndonjë lezhjane. Bile, ato mund të më shërbenin më shumë për shkak se, si vendëse, mund t’i dinin “skutat” më të këndshme, në Malin e Rrencit, ku shkruheshin novelat e dashurisë.
Dhe, deri sa kisha ngulur sytë në qiell, ku njërës prej portretit të imagjinuar po ia zvogëloja ca belin dhe zmadhoja kofshët, për një moment, m’u duk se më erdhi një zë nga qielli, një e qeshur e barasvlershme me komplet fjalët e një romani voluminoz me përmbajtje erotike.
U bëra vesh i tëri. Tani arrija t’i ndaja fjalët nga e qeshura. Kjo gjuha frënge, seç e ka një muzikalitet, si asnjë gjuhë tjetër, e sidomos kur rrjedhë nga një gojë femre, sa të bënë menjëherë për vete…!
– Mbrëmë kam bërë një gjumë të rehatshëm e sot plazhi po më kënaqë shumë. Edhe rrezet e diellit më vijnë më ndryshe. Po më shkrijnë edhe këto vale deti që po mi rrahin mollaqet. Por seç kam një ndjenjë që megjithatë diçka po më ngelet bosh, ndihem disi e paplotësuar, – rrëfehej në frëngjishte, një zë i hollë i sheqerosur femre.
– Si duket e dashur, krejt çfarë po të mungon, është seksi, – i erdhi përgjigja e menjëhershme, me një dozë çapkënllëku, po nga një zë femre, po ashtu i këndshëm.
Si një ushtar i disiplinuar iu binda unit që më “trimëronte”. U ngrita dhe e ktheva kokën ngadalë kah më vinin ata zëra magjepsë. Dy ngjala, njëra në shpinë, e tjetra barkas, kishin zënë “shtrat”, mu në pjesët ku vijëzohej ndarja e rërës së lagur, ngjyrë gri, me ujin e shkumosur të detit të kaltër, që vinte për të mbuluar trupat dhe tërhiqej, në një ritëm të ndikuar nga valët.
Trupi i vashëzës së shtrirë në bark, seç mu duk identike me atë që, pak më parë, po e vizatoja me mendje, në pëlhurën qiellore. Po e vështroja, për një moment, se si deti i kristaltë po luante këndshëm me atë trup, për të krijuar pamje idilike.
Deri sa vendosa t’i afrohesha asaj që më “greposi”, në kokë bluaja me shpejtësi njohurit e mia në gjuhën frënge, që sot ose kurrë mund t’ia shihja hairin dhe po ashtu të mendoja ndonjë hyrje nga manuali i tipit “Si ta zësh një femër!”.
Ajo që qëndronte në shpinë më kishte hetuar që nuk po ia shkoqitja dot sytë asaj që rrezonte në bark. Si duket e kuptojë se unë mund të isha ajo pjesë e mozaikut që po i mungonte shoqes së saj të disponueshme por të paplotësuar. I tha diçka në vesh. Sikur e paralajmërojë se survijohej nga një palë sy dhe buzagaz u ngrit e u nis në thellësi deti, pa e hequr shikimin nga unë. Po futej në det jo fortë për të notuar, sa për të treguar kulturën që kanë këto turiste, për t’i hapur rrugë njohjeve.
E, kapa mesazhin e saj dhe duke u treguar dhe unë djalosh fare, me një buzëqeshje të lehtë dhe një përshëndetje koke, ia përçova falënderimin tim. Pastaj, ktheva sytë e i ngula sërish aty ku i pata më parë. Por, tani edhe ajo kishte ngritur ca kokën dhe me shikim kah unë, duke më “matur”.
Kur edhe fytyra e saj u vesh me buzëqeshje, mua mu duk si ftesë dhe si moment i duhur për t’iu afruar.
I cytur nga njohuritë që kisha se femrat franceze ta “djegin shtratin”, isha i bindur se këtë rast assesi nuk duhej ta lëshoja, andaj edhe këmbët, pa i pyetur fare, veç i nisa kah ajo.
– “Bonjour!”, – e përshëndeta, por që ajo fjalë më doli asisoj sa mendova se nuk do të kem më nevojë t’i thosha që jam shqiptar.
Qeshi dhe ma ktheu përshëndetjen.
– Të pëlqen këtu, – e pyeta dhe zura vend ulur afër saj.
Një, “Oui!” habitore, – ishte përgjigjja e shkurtër e saj, sikur në të, të kishte edhe pyetjen rreth asaj se a duhej të merrja leje, apo jo, që të ulesha afër saj?!
Kur pa se ia kisha ngulitur sytë dhe pas përgjigjes së prerë që mora, nuk po flisja më, vazhdoi ajo.
– Je vendas? – më pyeti
– Oh më fal, – u shkunda, Jam turist ia ktheva, i bindur se të qenit turist tingëllon më aventureske.
– Shqiptar turist!? – ngriti vetullat lartë?!
– Jam kosovar, – sqarova, për aq sa mund të sqarohej, duke e menduar për ndihmë, kufirin më të pakuptimtë në botë, por që tani si duket më hyri në punë.
– Ahh! – ofshau lehtas, duke bërë me dije se tani e kishte të qartë.
– Kosovo, – e shqiptojë ndër dhëmbë, për të qeshur sërish.
Qesha edhe unë.
Ajo tani u ngrit e u kthye në pozicionin ulur dhe filloi ta shkund lehtas rërën që iu kishte ngjitur trupit, një gjë që unë po e përjetoja në xhirim të ngadalësuar dhe kjo e bënte këtë veprim të saj të thjeshtë, vepër artistike!
Tani edhe vështrimi i saj ishte pyetës.
– Më fal, nuk doja të të pengoja, por doja ta shuaja një kureshtje të madhe që kisha dhe nuk mundja dot i vetëm. U mundova, u mundova, derisa u binda se pa ndihmën tënde nuk e shuaja dot, – nisa të shpjegohem.
– Çfarë të mundon, si mund të të ndihmojë?! – më pyeti tani me një dozë mirësjellje, jo për të treguar gatishmërinë e saj për ndihmë, sa për t’u bërë pjesë e lojës ngacmuese.
– Sapo të shikova, më mundoi pyetja se si është e mundur që një ngjalë, kaq qetësisht i thith rrezet e diellit në plazh, pa u trazuar nga askush. Më pas, kur ta dëgjova zërin, ndërrova mendje, dhe i thash vetës: “vallë a është e mundur të jetë ajo që mendojë se është?!”.
Pasi vet nuk arrija në përfundim, t’u ofrova sepse doja të të pyesja se, sa ka mundësi që ju të jeni sirenë e që valët t’ju kanë hedhur këtu në breg?!
Blindoi disa herë me sy, i lëpiu ca buzët, ndreqi gjoksoret që ti akomodonte gjinjtë, që të shtypur për rëre, kishin ndërruar, për pak kohë, edhe formë edhe pozitë, pastaj i mblodhi dhe i ngriti këmbët, aq lartë, sa për të i shkundur nga rëra dhe duke vepruar mu si kur të ngiste biçikletë, më tha:
– Ja i sheh, janë dy këmbë, dhjetë gishta… pra nuk është bisht peshku. Më fal për zhgënjimin, – hodhi ujë në kureshtjen time dhe qeshi.
Vazhdimisht qeshte! Interesant, nuk kam parë femër si kjo që pas çdo fjalie që e thotë, në fund nuk i vë pikë, por buzëqeshje!
– Më fal, por unë u fokusova në fytyrën tënde det, kur më ngacmoi një enigmë e tillë, – vazhdova lojën, për ta mbajtur të freskët. në këtë temë, bashkëbisedën tonë.
– Ja që nuk jam sirenë! – vulosi sqarimin dhe sërish pedaloi me këmbë, duke bërë dhe me gojë tingullin e ngasjes së biçikletës “iju,iju, iju…”.
– Ah, kur mendova për sirenë nuk e kisha idenë fortë te bishti i peshkut sa isha i bindur nga zëri, sepse kur ta dëgjova zërin, i thash vetës: “Dëgjo, kjo edhe kur flet më duket se këndon hyjnisht” – vazhdoja ta veshja ngacmimin tim me komplimente.
– Eh, nëse do të isha sirenë, mund të të joshja me këngën time dhe kjo pastaj nuk do të ishte mirë për ty!? – ishte përgjigja e saj e mbështjellë me elementin e befasisë.
Kjo që më tha tani vetvetiu ma prodhoi pyetjen: Pse?!
– Do të fundoseshe mu sikur anijet e lundërtarëve, kupton, si në legjenda! – ma dha përgjigjen e prerë që e kishte në maje të gjuhës, për të vazhduar tutje.
– Por, rri rahat pra, se e pa që nuk jam as ngjalë, as sirenë, jam thjesht një zonjushë franceze, që i pëlqen të jetë në një sandviç, mes diellit e ujit, – më “qetësoi”, por kjo përgjigje qetësuese mu duk me hile, pasi menjëherë pas saj, mori rërë dhe e bëri pis barkun dhe një pjesë të gjoksit që nuk e kishin zaptuar gjoksoret, për t’i fshirë duart për kofshe.
Dhe derisa ia thithja çdo germë që prodhonte goja e saj, duke ia përcjellë edhe veprimet e fundit, shikimin e fokusova në qafen e saj që, herë pas here, e zgjaste, dhe dukej se këtë e bënte sa herë që donte t’i jepte fuqi fjalëve të thëna.
Duke e shikuar tani drejt në sy, ia zgjata dorën.
– “Je suis…” – ia thash emrin tim, me një dozë gëzimi që bashkëbiseda po më shkonte vaj.
– Gazelle, – ma ktheu me melodi, duke ma dhënë edhe ajo dorën e butë mëndafsh.
Sërish e ktheva shikimin në qafen e saj, ku ajo palosi shuplakën e dorës që “mezi “e shkëputi nga e imja, pasi butësia e saj më tërhiqte t’ia mbaja akoma.
– Atëherë nëse nuk qenke as ngjalë, as sirenë, më duhet të them se më ngjason në një sorkadhe. Nuk e di pse, por në kokë më sillet një insert nga “discovery channel”, kur një sorkadhe e etur që iu kishte ofruar burimit, nuk pinte vet, por donte që të pinte nga një dorë! Tani që më je fare pran, më dukesh mu si ajo, – vazhdova të luaja akoma në temë.
Qeshi dhe ma përsëriti emrin e saj edhe njëherë, duke pohuar ca dhe me kokë, sikur të më thoshte se, kur është në pyetje të qenit “sorkadhe”, edhe mund të ishte…!!!

***
Ditët kaloni e ne ofroheshim edhe me shumë mes vete, kalonin një pjesë të mirët të ditës së bashku. Freskoheshim në detin e kristaltë, shijonim rrezet, rërën, por edhe flladin e pyllit me pisha.
I pëlqente theksi im francez, sjellja e këndshme, humori im dhe shumë gjeste tjera, mjaftueshëm për t’u dhënë atyre një bujë të imagjinatës dhe të fillonin ndjenjat për mua.
Edhe mua më tërhiqte kimia e saj. Liria, mençuria, sensi për humor, trupi që kishte, Gjithçka ishte tërheqëse tek ajo. Sytë e gjallë dhe buzëqeshja ishin kapaku që unë ta ndjeja të përkryer. Fillova ta dashuroja.
Dikur erdhën shëtitjet në plazh, dorë për dore, në muzgun që reflektonte bukuri mbi ne. I tregoja legjenda të shumta për Kosovën e ajo për Francën. Luanim me rërë, laheshim, putheshim, rreziteshim e nxiheshim…
E paimagjinueshme sa e lehtë është gjuha e dashurisë. Edhe kur mungonte fjala, një ikonë zemre a buzësh në rërë, një mimikë trupore, një e qeshur, mbyllje syri.. e gjëra të ngjashme. dhe kuptohesh plotësisht. Edhe tani që e kisha para vete, sapo më mungonin fjalët, e përqafoja, shtrëngoja, puthja… dhe komunikimi vazhdonte…!

***
Vikendit, plazhi mbushej me më tepër vizitorë, një mundësi e mirë t’i drejtoheshim pyllit me pisha, për të ikur nga turma, e në kërkim të një ambienti për të bërë qejf. Së paku, për pak qaste donim të ishim larg syve të të tjerëve, por edhe eksitimi kishte arrirë kulmin për të kaluar nga paraloja në lojë. Në një derbi do të thosha! Andaj edhe ishte nevoja e intimitetit. E kishim caktuar këtë ditë për finale, madje i kishim vënë edhe emër. E quanim : “E shtuna për mbamendje!”.
Teksa e prisja, e pranoj se kisha emocione krejt tjera nga më parë. Ulur, luaja koti me rërë, sikur doja ta përfitoja qetësinë nga do drithërime shpirtërore që i kisha.
Dikur, trupi im befas u drejtua në këmbë. Gazelle u shfaq, porsi sorkadhe. Teksa ecte, qante plazhin në dysh. Hapin e bënte me takt, sikur të ishte në një arenë mode, duke defiluar.
Tani më isha qind për qind i bindur se i ngjasonte një sorkadhe, bile asaj që e kisha në mendje që e etur i drejtohej burimit, ku po e prisja t’i jepja ujë, me dorën time!
Teksa vinte, reflektonte hare. Përherë me pak rroba në trup, e buzëqeshur dhe e gatshme për të dhënë e marr dashuri. Ia shenjëstrova nga larg buzët, të trasha e me shkëlqim. Sytë e gjallë kësaj here i kishte futur nën strehë të kapelës së saj të kashtës që e kishte vendosur në kokë paksa pjerrtas. Bluzën e bardhë pa krah, e kishte ngjeshur fortë për trupi, sa që thimthat e qartësonin faktin që nuk po mbante gjoksore, por edhe që po i zaptonte së tepërmi gjinjtë.
Poshtë belit kishte zgjedhur një kostum të lehtë si të ishte shami, lidhur rreth ijëve, që e jepte pamjen e një fundi veror, e që po kombinohej bukur shumë edhe me një palë sandale të sheshta. Në dorë mbante një çantë shumëngjyrësh e kyçin e asaj dore po ia hijeshonte edhe bylyzyku me një nuancë së lehtë të së kaltrës. Rrezatonte bukuri, e kjo bënte që edhe unë të ndihesha bukur.
Trupi, veshja…, tërësia!, ia nxirrte në pah hiret e saja, por ajo që po ma humbiste barabartin, si gjithnjë, ishte sërish gjoksi. Sikur u ndjeva borxhli, të ndihmoja këtë herë që ai gjoks të lirohej e t’i mundësohej njëherë të tundej lirshëm, mu sikur kur tundej adoleshenti që ka ndjenjën se e tërë bota është bërë e tija.
Zumë vend te një trup i trashë pisheje. Boll kisha duruar. Bluza e saj u tretë gjelbërimeve përskaj. duke bërë që të frynte era e lirisë, Po të kishin gjinjtë gojë, sigurisht në atë momente do të jehonte kushtrimi, Libeeeeeeerté!
Ato, për një nuancë dallonin nga pjesa tjetër e trupit ku lëkura ishte më e nxirë. Kjo, pashpjegueshëm ma krijonte një ide të paprekshmërisë së tyre, por edhe të një krenarie që po depërtoja aty ku edhe rrezja e diellit e kishte më të vështirë.
Deri sa shikimi im dhe i saj po e përcillnin gishtin tim tregues, që po vijëzonte, nga gusha drejt fund-barkut, sikur donte të shënjonte kështu një kufi atij lugu të zhveshur, seç mu kujtua miku im piktor, të cilin përherë e komplimentoja deri në qiell, për portrete femrash që bënte, pasi më dukej se me imagjinatën e pafund që kishte, i bënte “amazonë”, e veçmas gjinjtë ua bënte, të një forme të tillë, që mund t’i kishin vetëm femrat e përsosura.
Por, tani që kisha para vetes, Gazellen time dhe që, përkundër formës së shtrirë të trupit, gjinjtë e saj po e ruanin gati në tërësi formën e tyre, teksa i shijonin çastet e të qenit të pazaptuara, u binda që miku im i mirë, duhej ta linte artin e të merrej me ndonjë gjë tjetër që mund t’i shkonte më përdore, pasi mund të thuhej se nuk e paska pas fare idenë se kujt mund t’i thuhet vërtetë, “cicë” e përkryer.
Tani edhe këmisha ime e lehtë u “përla” diku me bluzën e saj, e pantallonat e shkurtra i ranë sipër fundit të saj, disa metra larg nesh, e u rrit edhe volumi i çdo zëri në pyll.
Po shndërrohej kjo pjesë e bukur në një skenë Holivudi. Në atë koncert zërash, dallonin veçmas ai i frymëmarrjeve, fëshfërimat e gjetheve dhe në veçanti cicërima e një zogu, që ndjehej afër diku, ndoshta edhe mbi kokat tona!
Cicërima kishte atë rrjedhje, sikur zogu ta kishte një pult përpara, mbi të një pentagram, nga po i lexonte saktë notat, për ta prodhuar atë zë.
E, unë, i ngjasoja atyre personazheve që i kemi në ato legjendat tona me kreshnikë. I kërleshur, këndoja “këngë betejash”, deri në qullosje djersësh. Edhe ajo, si një soprano me nam, e destinuar të këndojë vetëm nëpër oborre mbretërore, nxirrte tingullin më ëmbëltues që mund ta prodhojë një femër e përkryer:, “oui…, oui…, oui…!
Luhej dueti i frymëmarrjeve, melodia e gjetheve dhe po ashtu edhe zogu vazhdonte pandërprerë ushtrimin e tij, crrrrrrr, crr, crr, crrrrrr, crr, crr…!

***
Ajo cicërimë zogu, me takt, dalëngadalë po e humbte fuqinë, pasi atë po e mundte tani një gumëzhinë normale e një aeroporti, duke i dhënë fund kështu lundrimit tim nëpër kohë, e për të më kthyer në realitet.
Gjëja e parë që bëra, ishte ajo kur ia lëshova sytë orës. Kur pashë të dyja akrepat te dyshi, edhe për pak sekonda u ktheva te pylli me pisha, sikur të kisha harruar ndonjë gjë të vogël pa e bërë, për t’iu rikthyer sërish dimensionit real.
Brofa në këmbë, për t’u nisur drejt dyerve nga dalin udhëtarët që vijnë, ku edhe ashtu ishin mbledhur njerëz të shumtë që dalin për t’i pritur, secili dikë, dhe nga ku veç kishin filluar të shfaqeshin ardhjet e para.
Sikur të ishte e programuar me regji dalja e saj, pasi ishte lënë e fundit. Kjo bëri që tani nga ajo pjesë të ishin shpërndarë ata që erdhën me ata që i prisnin. Pritej skena të pushtohej vetëm nga unë e Gazelle. Dera u hap si me telekomandë kur fillojë të shfaqej përsosmëria!
U lëshuan valixhet, u kalua pengesa, u shpejtuan hapat, u hapen duart, e u shtrënguan në përqafim dy trupa, duke u bërë si një i vetëm!
Nga sytë e saj poezi, u derdh shikimi i saj i rimuem. Buzëqeshja i gufoi si qumështi. Nga goja hoje, nxori fjalën “bonjour, mon cheri”, që më erdhi si varg i flladshëm që nxitonte me vrap për t’u puthur me çdo pore të trupit tim, tani më, me lëkurë të rrëqethur. I ngjasoja një besimtarit që ndodhej para portës së parajsës, pas lajmit të përcaktimi, për të…!
Të gjithë në aeroport po lëviznin drejtimeve të ndryshme, si të ishin fjalë të një tetëkahore. Vetëm unë e Gazelle po qëndronim në një vend, akoma të përqafuar. Nuk thonë kot përqafimi është në preambulën e kushtetutës së dashurisë.
Në kokat tona zhvilloheshin shpejtueshëm inserte përjetimesh, shpaloseshin aventurat e shumta, bisedat e këndshme, të qeshurat, momentet kur falnim dhe merrnim dashuri në mënyrën më të paimagjinueshme, e çka jo tjetër…!
Si një mendje, si një zemër.., vazhdonim t’i përzgjidhnim të gjitha ato momente të lumtura që i kishim përjetuar së bashku, që nga njohja e deri në përqafim…!

You Might Also Like