Libri

THELLËSIA E VËZHGIMIT – RRJEDHOJË E LEXIMIT TË VEMENDSHËM

Emin AZEMI

THELLËSIA E VËZHGIMIT – RRJEDHOJË E LEXIMIT TË VEMENDSHËM

( Për librin me shkrime kritike letrare të Sabit Rrustemit, “Vepra letrare, një grishje e përhershme”, e cila këto ditë doli prej shtypit përmes Shtëpisë botuese, “Beqir Musliu”

“[…] të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes
dhe i botës njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive” NADINE GORDIMER/1

Libri i Sabit Rrustemit “Vepra letrare grishje e
përhershme” ndriçon një fushëveprimtari tjetër
përballë poetit dhe tregimtarit, që e kemi njohur deri
më tani. Punimet që janë përfshirë në këtë vëllim
dëshmojnë për një vokacion tjetër, ku autori përpiqet
ta “destilojë” shijen e leximit deri në kufij të skajshëm,
deri atje ku ndodhen pranë e pranë procesi i të
shkruarit me aktin e vëmendshëm të leximit. Pra, me
parimet që zbaton në këtë vepër, autori na i rikujton
disa nga këshillat e Senekës, sipas të cilit “nuk duhet
as vetëm të shkruajmë e as vetëm të lexojmë: sepse, ajo
e para e brengos më tepër njeriun dhe ia rraskapit
forcën, meqë duhet të shkruajë, kurse e dyta e dobëson
dhe shkakton cektësinë dhe hutimin e shpirtit. Duhet
kaluar shkëmbyerazi prej njërës dhe njërën me tjetrën
duhet vënë në relacion të drejtë, kështu që pena në
tërësi ta përpunojë tërë atë që kemi mbledhur duke
lexuar….”/2
.
Ky lexim i vëmendshëm i Sabit Rrustemit e
shmang interpretimin e thjeshtëzuar, pra mundëson ta
përjetojmë letërsinë si një “krijimtari” e rëndësishme,
ku secili mund ta gjejë veten, pa frikën më të vogël se
mund të humbas në xhunglën e madhe të formulimeve
teorike-estetike. Për këtë arsye veprat që vëzhgohen në

këtë libër, vënë komunikim më të mirëfilltë dhe i vë-
rejmë vlerat në mënyrë më të lehtë dhe krejtësisht të

liruar nga barra e një lexuesi që paraprakisht (s’) duhet
të pajiset me fjalor shpjegues letrar. Këtë barrë na e heq
Sabit Rrustemi, shkrimtar me një shije të hollë për

“menynë” e përzgjedhur të vlerave letrare dhe me ni-
velin e lartë të kompetencës së gjykimit për veprën

letrare; shkrimtar i cili me këmbëngulje arriti të ndër-
tojë konturat e veta prej krijuesi autentik, ku, siç thotë

Borges-i, “[…] është e rëndësishme që libri ta takojë
lexuesin e tij, sepse nëse nuk e takon këtë lexues, ai
është shkruar kot/ 3”.
Për rrjedhojë, pesha e gjykimit të tij ka dyfish
vlerë: në njërën anë, veprën letrare e vështron nga
brenda, si një organizëm të cilit ia di çdo pjesë, mu si
një mjeshtër që i njeh edhe imtësitë, që për bazë ka
gjykimin e veprave të kolegëve shkrimtarë. Sabit Rrus-
temi e ka në ADN-në kulturën e refuzimit të animit të
shpifur letrar, prandaj edhe ky libër i tij na vjen mu në
kohën kur recensionet afirmative më shumë shkruhen
me porosi, e më pak me bindje që buron nga ndër-
gjegjja e pastër krijuese. Në kohën kur të shkruarit mbi
letërsinë, në përgjithësi dhe, mbi poezinë në veçanti,
ndjek njëfarë gjedhi, ku vlerat dhe jovlerat futen në një
thes, duke i atribuuar poezisë edhe misione krejt të
paqena, ndonëse një fenomen i tillë ishte stigmatizuar
që herët nga korifenjtë e mendimit botëror letrar. Hugo
Friedrich theksonte: “Poezia nuk dëshiron të matet me
atë që zakonisht quhet realitet, ndonëse atë e përdor si
trampolinë për lirinë e saj […] Realiteti është i ndarë
nga rendi hapësinor, kohor, real dhe shpirtëror; ai
mënjanon të gjitha ato dallime që janë të nevojshme
për orientimin normal në botë: midis së bukurës dhe
të shëmtuarës, afërsisë dhe largësisë, dritës dhe hijes,
dhimbjes dhe gëzimit, tokës dhe qiellit. Nga tre llojet e
mundshme të të kënduarit lirik – ndjenjat, vëzhgimet,
shndërrimet – kjo e fundit dominon në modernitet, si
në pikëpamje mbi botën ashtu edhe mbi gjuhën/4”.
I ndodhur mes harresës dhe kujtesës, njeriu ynë
sot harron dy herë nëse nuk i kthehet letërsisë së mirë,
siç vepron një shtegtarë i largët që natën vonë gjen
rehatinë e çastit në një bujtinë të harruar, të cilën e
vizitojnë vetëm të pasionuarit e rrugëtimeve të gjata.

Sabit Rrusetemi ka vendosur të shkruajë për au-
torë e tij të preferuar vetëm atëherë kur e ka kuptuar
se nuk mjaftojnë vetëm tribunat, promovimet e disku-
timet letrare që organizoheshin shpesh edhe nga ai
vetë.

Me këtë libër, ai jo vetëm që kontribuon në afir-
mimin e një plejade autorësh të shquar, por me këtë
bëhet edhe dëshmitar i një procesi letrar që u zhvillua
natyrshëm në kuadër të një sistemi të organizuar akti-
vitetesh botuese e krijuese në qytetin e Gjilanit, ndo-
nëse jo edhe pa ballafaqime e vështirësi, sepse siç e
thoshte Bertolt Breht “[…] ai që është i vendosur sot t’i
përvishet luftës kundër gënjeshtrës dhe padijes, për të
shkruar të vërtetën, duhet të dijë të kapërcejë të paktën
pesë vështirësi. Duhet të ketë kurajën për të shkruar të

vërtetën, atëherë kur atë e kanë mbytur kudo; zgjuar-
sinë për ta njohur, sepse ajo është fshehur kudo, mje-
shtërinë për ta shndërruar atë në një armë të përshtat-
shme; mprehtësinë për të zgjedhur pikërisht ata njerëz
në duart e të cilëve ajo bëhet e efektshme dhe dinakërinë
për ta përhapur atë në mes njerëzve të tillë/5”.
Në letrat shqipe s’janë të panjohur autorët që
lëvrojnë disa zhanre letrare, por të paktë janë ata, që
kanë arritur të jenë gjithëpërfshirës në pikëpamje të
vokacionit krijues dhe të ruajnë drejtpeshimin në mes
të krijimtarisë dhe kritikës letrare. Kjo mbase do të ketë
qenë edhe arsyeja pse Sabit Rrustemi deri më tani ka
hezituar të shkruajë mbi çështje teorike – estetike të
letërsisë, duke e gjetur te vetvetja zërin e brendshëm
krijues, ku edhe dha prova serioze në lëvrimin e
zhanreve të shumta letrare, sidomos të poezisë dhe
prozës.
Pa dashur të duket si një autor me prirje eklektike
mbi letërsinë, Sabit Rrustemi megjithatë i rreket punës
të përmbushë një detyrim intelektual e qytetar ndaj
disa autorëve që kishin ndikuar në dinamizimin e jetës
kulturore-letrare në rrethin e Gjilanit, prej nga vjen
edhe brumi i këtij libri, të ndarë në katër pjesë, ku se-
cila pjesë sjell natyrshëm veçantitë e prurjeve krijuese
të disa autorëve në zhanre të ndryshme: poezi, prozë,
dramë e kritikë letrare. Qoftë si burim informacionesh
letrare mbi vepra dhe autorë të ndryshëm, qoftë si re-
ferencë vlerësimi mbi specifikat dhe kahet e zhvillimit
të letërsisë sonë, ky libër është një udhërrëfyes i do-
bishëm që na ndihmon të qartësojmë gjykimin tonë
mbi prodhimin letrar që aktualisht gati nuk vërehet
nga kritika letrare, sidomos kur kemi të bëjmë me
autorë, bie fjala, si Agim Gjakova, Ibrahim Kadriu,
Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala, Albinë Idrizi,
Linditë Ramushi, Muhamet Halili e ndonjë tjetër, të
cilët janë aktivë dhe imponues me vlerat e tyre
krijuese.
Si çdo vepër e arrirë, edhe ky libër me vështrime
letrare i Sabit Rrustemit, do ta gjejë rrugën për të de-
përtuar në horizontet e pritjeve letrare, ndonëse kjo
rrugë vazhdon të jetë e vështirë në kohën kur globa-
lizmi dhe transformimi teknologjik mediatik i ka
zhvendosur disa përbërës në hierarkinë e vlerave kri-
juese e humane, aq më tepër kur “në rrugën e njeriut,
arti është paraqitur si pantera misterioze e Dantes.

Duke ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende dja-
llëzore të ngjarjeve njerëzore, arti mes lëvizjes zigzage

të egërsirës, orientohet nën yje dhe midis vullkaneve”/6

( Shkup, janar 2022 )

_________________

Fusnotat:

1 . Shkëputje nga fjala e mbajtur me rastin e nderimit me çmimin
Nobel për letërsi më 1999.
2. Seneka, Letra Lucilit. “Rilindja”, Prishtinë 1983, f. 88.
3. Jorge L. Borges, Biseda. Tirana Times, f. 231-232.
4. Hugo Friedrich, Struktura moderne lirike. “Stvarnost”, Zagreb,
1969. f. 6-7.
5. Bertolt Breht, Pesë vështirës për të shkruar të vërtetën. Shih “Studime
kritike”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri“, Tiranë, 1982, f. 33
6. Mirosllav Kërlezha, Kuptimi i poezisë. Shkëputur nga libri “Ese”.
Botoi “Rilindja”, 1982, f. 54.

You Might Also Like