Libri

SUPA E FTOHTË, VITHET E NXEHTA DHE VAJI I ULLIRIT

/Muhamet Halili/
SUPA E FTOHTË, VITHET E NXEHTA DHE VAJI I ULLIRIT
Miqtë e afërt i sugjeruan ta bënte një pushim të vogël në një vend me të panjohur. Të tjerë, si profesionistë të fushave adekuate për të dhënë këshillime, ia sugjeruan angazhimin për së paku një vit në një profesion tjetër që do të përfshinte më tepër angazhimin fizik sesa atë intelektual. Kishte edhe të tillë që i kërkuan të bënte përpjekje për të vazhduar atë që dinte më së mirë, t’i shprehte ndjenjat dhe mendimet e tija artistikisht.
Koka iu kishte bërë lëmsh, e durimi për të gjetur një zgjidhje të kësaj “bllokade’ po i sosej.
Porsa pa çantën e tij të pushimeve iu duk si çantë dezertorësh, andaj mbylli mendimet për të ikur nga fushëbeteja në të cilën kishte ngecur tani e sa kohë dhe u nis drejt kuzhinës.
Mori tenxheren me ujë dhe e vendosi në zjarr. Një supë e mirë do ta kthjellte, mendoi. Kur uji filloi të vlonte, ia shtoi përbërësit në të si dhe mëlmesat e duhura. Aroma që filloi të lëshonte supa, të cilën nisi ta trazonte me garuzhdë, bëri që t’i lëpinte buzët.
Derisa po vazhdonte ta përziente supën, u thellua në mendime duke tërhequr një paralele mes supës dhe atyre pak faqeve shkrimi që kishte shkruar tani e ca javë.
– Pse “aroma” e tyre nuk po më dehë si dikur?! – mendoi
– Çfarë po u mungon?!
– Faji është te përbërësi apo te mëlmesa?!
Këto e ca pyetje të tjera u ndërprenë nga avulli i supës që ia avulluan syzet. Ajo ishte bërë gati.
Sapo futi në gojë lugën e parë, sikur iu tretë magjia e ndjerë përgjatë përgatitjes.
Iu duk supë pa shije.
Tani sërish dilemat e pushtuan. Ishte faji i supës apo i gojës?!
U ngritë dhe u afrua te dritarja, për pak shikoi qiellin e kaltër dhe ca re që loznin në të. I hapi ato për të marrë edhe zërin përveç pamjes. Zëra fëmijësh që luanin poshtë banesës u kombinuan bukur mirë me lojën e reve.
– Shpirti! – belbëzoi ndër vete.
I mungon shpirti, përsërit tani vetën e tij me zë dhe kjo sikur e vloi përbrenda mu si ujë supe, sa që u nis drejt derës, mori pallton, u përkujdes që të mos i harronte cigaret dhe doli jashtë me nxitimin sikur ta kishte zënë vona.
E gjeti vetën në banakun e kafenesë së tij të preferuar, ndërsa rruga e përshkruar nga shtëpia deri aty, ishte e zbrazët në kujtesë, mu si letra e bardhë e word-it në laptopin e tij.
Porositi një birrë, ndezi një cigare dhe sytë i shkuan në ekranin përballë.
Titrat në fund të tij tregonin për numrin e atyre që kanë humbur sot betejën me virusin Covid19. Një tekst ndihmës rrëshqiste nëpër një shirit të kuq nga e djathta në të majtë, duke treguar për lëkundje të forta toke në Pakistan dhe Indi, mandej për një operacion të shtrenjtë të hundës të një personaliteti nga shoubizi, për garën e madhe në Formula 1, që parashihej të organizohej në Bahrejn, por që ishte shtyrë për vitin tjetër…
Mjaftoi një e ngritur vetullash duke ia ngulur sytë telekomandës, që banakieri i shkathët ta kuptonte lutjen për të ndërruar kanal.
Përmbajtja e kanalit muzikor që iu shfaq në qastë, para syve, ia rikujtoi lajmin e pakmëparshëm për dridhje toke, vetëm se tani po tundeshin ca prapanica.
– Kush po i dëgjo sot këto se?! – iu drejtua banakierit.
Me një nënqeshje dhe duke e përdorur afërsinë që kishin, ia ktheu.
– Zoti shkrimtar, nëse nuk të llogarisim ty, ne të gjithë të tjerët, po!
Solli kokën në atë mënyrë sikur ta komplimentonte veten për mençuri, për të vazhduar.
– Jemi në shekulli njëzetenjë dhe muzika sot bëhet edhe për sy.
Banakieri po vazhdonte të fliste akoma, por mospërfshirja e shkrimtarit në bashkëbisedë duke qëndruar i heshtur, e bënte atë të monologonte.
– Milionat i ka kjo. Veç në maje të toplistave rri. Njëmend, e pistë është nga goja, po kjo po shitet sot, o zoti shkrimtar…
– Më thirr Bardh, – ia ndërpreu monologun.
– OK, zoti Bardh!
– Vetëm Bardh, të lutem, mjafton.
– Ani, Bardh, Bardh! Ti je myshteriu, – tha si ndër vete, për të vazhduar t’i fshinte për tharje filxhanët dhe gotat.
– Njëmend a e di që thonë nuk bënë me ia prish myshteriut se, siç është ajo shprehja: “Të duhet kohë e gjatë me e nxënë një, e sekonda, fijuuu, me e humb!”…!
Sot si shumë i etur për bashkëbisedim po tregohej banakieri.
– Shiko Bardh, kështu qysh po e lajë këtë filxhan, ashtu e kisha la, kokë e këmbë, këtë këngëtare, – vazhdoi të fliste banakieri, duke i zgurdulluar sytë në ekran.
– Edhe ti më je njëfarë meraklie, por te tregimet e tua, “ncuk!” – ia bëri, duke shkundur kokën dhe treguar se ia ka lexuar veprat, por të cilave e konsideron që, pikërisht kjo u mungon!
Banakieri nuk ishte pa njohuri në fushën e letërsisë, por ishte ca i bezdisshëm.
Në këtë moment, Bardhi kishte nevojë për një bashkëbisedues që vet të kishte mundësi të rrinte sa më shumë në heshtje, por njëkohësisht të mos ishte atmosfera e qetë përreth. Qetësia nganjëherë di të jetë shumë e zhurmshme!
– Çfarë po më sugjeron, o kafexhi?! – e pyeti Bardhi, jo për marrje mendimi, sa për ta shtyrë banakierin të fliste akoma.
– Leje abstrakten. politikën, shkrimet hermetike, ato për elitën. Shkruaj për masën Bardh!
Shkruaj për dashuri, për seks. Lëvroje erotikën në shkrimet tuaja, ngacmoje moralitetin qytetar.
Lexuesi i do provokimet, personazhet e ngjarjet në të cilët e kërkon vetveten. Rrëfime të tilla i do dhe se jashtë kësaj teme çfarëdo që shkruash, pena është e barasvlershme me impotencën!
– Po thua që kemi të bëjmë me lexues të eksituar në vazhdimësi?!
– Vetëm Adami e Eva janë krijesa të bëra prej Perëndie, të tjerë e te poshtë janë punë eee…!
Këtu e ndërpreu sqarimin, për ta vazhduar atë që deshi ta thoshte me gjeste, pasi me njërën dorë bëri një rreth duke bashkuar gishtin tregues me të madhin dhe tre gishtat e tjerë të shtrirë, ndërsa në atë vrimë të krijuar, futi e nxjerri, disa herë, gishtin e mesëm të dorës tjetër.
Edhe këngët e radhës në kanalin që transmetonte muzikë lirisht meritonin, së paku, vërejtjen “plus gjashtëmbëdhjetë”.
Por, pikërisht ky ishte një aleat i banakierit për ta përforcuar tezën e tij.
– Ja inspirimi, – i tha duke e drejtuar gishtin tregues kah ekrani.
– Banaliteti dhe falsiteti nuk mund të jetë asnjëherë inspirim, – ia ktheu Bardhi
– Ani ja ku i ke të gjalla, – u kthye tani ka tavolinat e lokalit me myshterinj.
– E sheh atë imcaken në kënd?!
Sa bukur ia prekin buzët e kuqe cepin e filxhanit të bardh në të cilën si ujëvarë derdhet përbërja, e kafët në të argjendtë, e makiatos, për të rrugëtuar gjuhës së saj e rrëshqitur teposhtë si një gurgullimë e ujit në guralecë të lëmuar lumi.
– Po shoqja e saj që peshon gjoksin mbi tavolinë?!
Pse të digjesh për diçka që nuk mund t’i kesh?!
Në rrëfime mund të flasësh për to, t’ia nxjerrësh jashtë sa herë të duash, e të mos flasim për lojën me to. Këto të bekuara ose janë për foshnje ose për burra! Nëse nuk qohet edhe pak, do ta ftojë shërbimin për deminim, ta nxjerre jashtë, që të shpëtojmë nga ndonjë shpërthim i mundshëm, – vazhdoi banakieri të fliste me gjuhën e tij seksiste, duke u munduar ta përfshinte dozën e humorit dhe sarkazmit në çfarëdo që thoshte.
– Jo! – ia preu Bardhi, për të treguar se nuk ndjeu asnjë ngacmim.
– Po kjo flokëkuqja që po hynë tani?! – ishte pyetja që e detyroi Bardhin ta kthejë kokën kah dera e hyrjes.
Si lulja e parë e çelur që gjallëron pemën, ashtu edhe ajo, si rreze vere, u fut në lokal dhe e gjallëroi atë.
Hapat e saj drejt një tavoline të lirë bëheshin me ritëm të tillë sikur të një blete punëtore që kalon nga njëra petale në tjetrën, duke krijuar kështu një botë tingujsh “tak-takësh” nën këmbët e saja, që ngjasonin në melodinë e këndshme që krijohet kur një mjeshtër me nam, i bie ngadalë dhe lehtas, me dorë, lëkurës së tendosur mirë të një daulleje.
Teksa ulej dhe i largonte kufjet nga veshët, natyrshëm tërhiqte shikimet e të tjerëve, ndërsa kamerieri veçse iu vizatua pranë, mu si buzëqeshja e këndshme fytyrës së saj.
Një kafe, një ujë dhe pasin e Wi- Fi-së, ju lutem, – rrodhën fjalët e saja përmes atyre buzëve fletë trëndafili që bënë sigurt kamerierit t’iu dridhen këmbët. Eho-ja e asaj porosie pushtoi edhe veshin e Bardhit, për ta ngritur nga karrigeje.
– Sa të kam borxh?! – i doli pyetja si me rrokje, – për të nxjerrë bankënotën prej dhjetë eurosh dhe lënë në banak, e për t’u larguar me të shpejtë, pa pritur përgjigje nga banakieri.
Tani rruga nga kafeneja për në shtëpi, ishte krejt e kundërta me rrugën që kishte bërë kur doli nga shtëpia për të ardhur në lokal. Koka e tij u pushtua nga fantazitë që do të derdheshin n’letër për flokëkuqen, në tematikën e preferuar nga banakieri.
Hapat e tij, nga ato të një pensionisti tani u shndërruan në të një atleti.
Porsa hyri në brendësi të ndërtesës, këmbët e orientuan drejt shkallëve në vend se drejt ashensorit. Sikur e ndjeu se shkallëve do të ngjitje më shpejtë dhe do t’i shmangej pritjes së padurueshme të ashensorit.
Nga dera nuk e nxori fare as çelësin, por u fut me të shpejtë brenda. Shikoi fytyrën e tij të parruar në pasqyrën e komodinës, derisa zhveshi pallton, që i ra në tokë, pasi huqi kunjin e varëses së rrobave. Kjo nuk i bëri përshtypje, sa që nuk mori as mundin ta ngriste nga dyshemeja, por u drejtua kah kuzhina. Gëlltiti një lugë supe të ftohtë, si një ritual inspirimi të mëtutjeshëm dhe u nis drejt tavolinës së punës, ku kishte laptopin e tij të hapur e në gjendje gatishmërie.
Kryqëzoi gishtërinjtë për ti kërcitur ca, u mbush mirë me frymë dhe ia lëshoi sytë të vetmit rresht që kishte zënë fill në tregimin e ri, që mëtonte ta shkruante tani e disa ditë.
– “Vdekja s’është gjë tjerë vetëm se një fillim i ri!”…
Një e çelur si rreze në fytyrë e aktivizoi si të ishte kronometër, sa që gishtat u puthitën për tastaturë, si të ishin takte sekonde, e të programuara saktë se çfarë do të shtypnin.
Një ctrl+a e më pas një delete, pastroi faqen me të vetmin rresht, mu si uji i bekuar mëkatet, ndërsa gishtërinjtë si bletë punëtore gjallëruan mbi shkronjat e bardha të tastet e zeza, për të lindur rrëfimi i ri…!
***
Nuk ka më hyjnore se dielli kur të futet lirshëm, përmes dritares, në dhomën e fjetjes e të të zgjojë nga gjumi dhe kur i hap sytë, gjëja e parë që sheh është trupi i lakuriqësuar i flokëkuqes.
Eksitueshëm puthitet në atë çarçaf që shkëlqen me bardhësinë e pafajshme dhe vithet e saja të ngrohta që nuk durojnë dot të jenë të mbuluara, të ekspozohen dhe ta tërheqin dorën tënde sikurse një magnet i fuqishëm.
Dhe, teksa shuplaka rrëshqet kojshëm nëpër tulet e mollaqeve të saja, si të ishin të lyera me vaj ulliri, e kujton natën e mbrëmshme dhe lojën me to, sa që kupton se duhesh të besosh në fat, përndryshe nuk do të kishte kuptim fare ta konsideroje veten fatlumi më i madh, për atë që je i shtrirë në shtrat pranë një shtati të tillë…!
***
Pikëçuditja në fund të fjalisë, të fillim të tregimit të ri, ia ngacmoi idenë për ta ngrohur supën, ndërsa kjo e dyta bashkë me vajin e ullirit, ia piku në kokë titullin e rrëfimit: “Supa e ftohtë, vithet e nxehta dhe vaji i ullirit!”.
I çelur në fytyrë si moti i mirë, mendja i brodhi edhe njëherë te kafeneja, te imazhi i flokëkuqes që i erdhi si shpëtimtare, mu si një ilaç që po e nxirrte nga kthetrat e impotencës krijuese…!

You Might Also Like