Libri

Rexhep Shahu, fitues i  “Penës së Flakës 2020”

Gjilan, 31 janar 2020 – “Flaka e Janarit 2020”, ka vazhduar tutje rrjedhën e saj me aktivitetet e pjesës letrare të manifestimit, me Orën Letrare, të njohur tashmë më si “Pena e Flakës”, dhe me komunikimin e rezultateve nga konkursi letrar anonim, në tregim të shkurtër dhe poezi.

Poeti Rexhep Shahu me poezinë “Ndoshta më ke dashtë”, ishte fitues e “Penës së Flakës 2020”, pasi u përzgjodh nga një juri e përbërë nga: Donikë Dabishevci, Sarë Gjergji dhe Gjylishene Berisha.

Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuese e Kuvendit komunal të Gjilanit. në hapje të Orës Letrare “Pena e Flakës”,  solli përshëndetjet e kryetarit  të Komunës, Lutfi Haziri, nën patronatin e të cilit edhe mbahet Manifestimi i Flakës, si dhe në emër të Kuvendit Komunal ka përshëndetur të pranishmit, njerëz të artit,  të cilët i ka vlerësuar lartë, që bashkë edhe me krijues të tjerë dhe me organizatorin e këtij aktiviteti, kanë mbajtur gjallë tani e 29 vite këtë aktivitet, ku me kontributin e  tyre  kanë bërë që për çdo vit të jetë edhe më madhështor.

Kryesuesja Kurteshi – Emini tha se aktivitete të tilla i kushtohen heronjve të kombit, të gjithë të rënëve, e atyre që bënë shumë për vendin, që nga koha e Skënderbeut e deri te historia më të re e Kosovës, ndërsa këtë viti  po i kushtohet kolosit të kombit, Abdullah Tahirit.

Përndryshe, në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli”, ku ishin mbledhur adhurues të shumtë të fjalës së bukur, 21 poetë të përzgjedhur paraprakisht nga grupi punues, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës”, e ku juria vlerësoi se ajo ishte poezia e poetit Rexhep Shahu.

Poetët që lexuan në “Pena e Flakës 2020” ishin: Afrim DEMIRI, Biser MEHMETI, Fadil HALIMI, Fadil ISMAJLI, Hajredin KOVAQI, Ibush VISHI, Izet DURAKU, Liza Pllana MALOKU, Medina PASOMA, Nexhat REXHA, Rabije BYTYÇI, Ramë ORAÇA, Rexhep SHAHU, Selajdin SHABANI, Selvete ABDULLAHU, Skënder ZOGAJ, Rrushe HASIMI dhe Xheladin REXHEPI.

Ndërsa, Rozafë Shpuza, fituese e edicionit të kaluar, sipas një tradite tashmë të krijuar, ia dhuroi Çmimin, fituesit të ri të “Penës së Flakës”. Rexhep Shahut.

Pas leximit të krijimeve poetike, përderisa juria u tërhoq për të përzgjedhur poezinë fituese të Orës Letrare, u shfrytëzua koha për t’u shpallur edhe rezultatet e konkursit anonim letrar ” Flaka e Janarit 2020” , ku në garë për tri çmime në poezi, kishin garuar gjithsej 75 poezi, ndërsa 48 krijime për tri çmimet në prozë të shkurtër.

Juria profesionale e këtij konkursi, në përbërje: Albina Idrizi, Aziz Mustafa dhe Xhevat Latifi. bëri të ditur edhe rezultatet. Anëtarja e Jurisë Albina Idrizi, vlerësoi prurjet në këtë konkurs dhe bëri të ditur se:

Në poezi:

Shpërblimi i parë i jepet –  Baladë për një dashni të kahershme, shifra “Oda e artit”

Shpërblimi i dytë poezisë –  Nana, zana jeme, shifra “Nana”

Shpërblimi i tretë poezisë –  Rekuiem për shpresën, shifra “Unë dhe unë”

Në prozë:

Shpërblimi i parë i jepet –  Ikja, shifra “Ikja pa kthim”

Shpërblimi i dytë për tregim –  Urna e vjedhur,  shifra “Urna”

Shpërblimi i tretë  për tregim –  Ela  shifra: “Sandalet e Kuqe”

Sipas organizatorit, poezia e shpërblyer dhe të tjerat që u lexuan në Orën e Madhe letrare, bashkë me krijimet e shpërblyera të konkursit letrar, do të publikohen në revistën letrare – kulturore AGMIA.

Përndryshe, manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2020”, përmbyllet sonte me Festivalin e Muzikës Shqipe “Fest Flaka 2020”.

You Might Also Like