Libri

TË MË PREKËSH SONTE DUA

Alisa BEKTESHI ( Gjilan )
TË MË PREKËSH SONTE DUA
( Cikël poezish )
MS GJËRAVE TË VOGLA
Nata ishte e ftohë
por ti ecje për dore me ëndrrat e mia.
Nën rrënjët e zemrës kishe ngulur këmbë,
asgjë s’ta përshkruante atë më mirë se fytyra.
Mes teje dhe fjalëve
gjërat e vogla i kërkoja
një shikim, një buzëqeshje
pranë meje të të afroja.
Në ato pak gjëra
mendoja të të doja
ca thërrime, ca vështrime
brenda meje t’i dëgjoja.
Të dilja jashtë të nuhasja dashurinë
nëpër shi,
por edhe në lindje të diellit
veç ti të jesh aty.
NËPËR FAQET E LIBRIT TIM
Mbrëmë veç një hap larg teje qëndroja
një dëshirë larg asaj që e jetoja çdo ditë,
mes erërave të shumta veç për ty prisja
që të afroheshe pranë meje.
Dalë ngadalë hapje faqet e librit tim
dhe veç një hap ashtu edhe ti larg meje rrije.
Pastaj gjethet i shkundte era dhe më binin fytyrës,
më kthenin kokën nga ti.
Asgjë nuk më lejonte të hyja brenda mureve të tua,
por unë veç se e kisha krijuar një imazh tëndin.
Veç një shikim larg, gjë tjetër s’na ndante.
PËSHPËRITI BOTËS ËNDRRAT
A mos të lëndoi shpirtin tërë ai zë
që të vinte nga mbrapa?
Ndoshta, pëshpëritja afër botës
hapat t’i numëronte duke afruar veten afër njerëzve.
Ti mbeteshe aty, duke vështruar gjembat që t’i hidhnin
pastaj tinëz me sy nga unë vetëm fjalë, gjë tjetër s’vinte.
Ç’shije të kisha lënë, a të kujtohet ?
A mos puthjet që shkëmbyem
bën edhe botën të fliste për ne.
Të më prekësh sonte dua,
e të ecësh mbi mua
sikur stinët që ecin pas njëra tjetrës
asnjëherë s’ndalen,
e gjithmonë diçka të japin.
Ma jep veten,
se mos të kujtohet
pëshpërimat pas teje vraponin
e zgjonin në këmbë
edhe kujtimet mes zërave të humbur.
KËRCIM NË MES TË DIMRIT
Më lëkundje sa andej e këndej
një kërcim në mes të dimrit,
me ty edhe era ishte më e lehtë
kur i ftohti ma gërrithte shpirtin.
Befas dorën ti ma kapje
dhe ashtu nisje të qeshje
Me habinë më të madhe
duke më puthur më përshëndetje.
Më ftoje të kërceja me ty
po ku kërcehej në mes të borës.
Si skenë tangoje ishte shndërruar vendi
ne dy të kapur dorë për dore.
Më kënaqje kur vallëzoje
edhe yjet mbi ty shndërrisnin
sikur natës ti vihej një emër
emrin tënd do ia pëshpërisja.

You Might Also Like