Gjilan, 6 korrik / Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në një takim të përbashkët me OSBE-në dhe Policinë e Kosovës, i ka propozuar Kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal, ndërmarrjen e disa masave për zgjidhjen e një varg problemesh të komunitetit rom në lagjen “Abdullah Presheva”, të cilat janë identifikuar nga një grup punues.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se gjendja e komunitetit rom në këtë lagje, është mjaft e rëndë sa i përket higjienës publike, papunësisë, mungesës së ndihmave sociale dhe veçmas nga objektet e pabanuara, të cilat jo vetëm se rrezikojnë të shemben, por edhe janë shndërruar në deponi të vogla mbeturinash dhe të tjera.
Rexhepi ka thënë se nga biseda me banorët kanë kuptuar se kompania “Ecohigjiena” nuk e bën grumbullimin e mbeturinave në rrugën ku banon komuniteti rom dhe as nuk ekzistojnë kontejnerë për hedhjen e mbeturinave, prandaj mbeturinat hedhen nëpër shtëpi të pabanuara, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e popullatës.
Sa i përket rrënimit të objekteve të pabanuara, që është kërkesë edhe e komunitetit, Rexhepi ka thënë se mungesa e pronarëve, e bën më të vështirë realizimin e kësaj kërkesë në aspektin procedural.
KKSB i ka rekomanduar Komunës së Gjilanit që të përshpejtojë procedurat për rrënimin e objekteve të shkatërruara e që nuk janë të banueshme, të shikojë mundësinë për punësimin e ndonjë pjesëtari të komunitetit rom në institucionet publike, ose të shfrytëzojë ndikimin e saj për punësim në sektorin privat, të shikojë arsyen e mos grumbullimit të mbeturinave në këtë lagje nga kompania “Ecohigjiena”, të shqyrtojë skemën e ndihmave sociale, nëse ka raste të refuzimit të paarsyeshëm të kërkesave dhe të tjera.
Sa i përket shtëpive të dëmtuara, komuniteti rom u inkurajua që të bëjë një kërkesë në Komunë për rrënimin e tyre, për shkak të rrezikut të madh që paraqesin këto objekte, për fëmijët, banorët e lagjes dhe kalimtarët, nëse nuk mund të sigurohen pronarët, të cilët nuk dihet se ku janë dhe ku jetojnë.
Ensar Kadriu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se 8 objekte janë të dëmtuara seriozisht dhe paraqesin rrezik për banorët e kësaj lagje, ku ekipet zjarrfikëse është dashur të intervenojnë disa herë.
Isa Agushi, kryesues i Komitetit për Shërbime Publike, ka thënë se papunësia është problem i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe i ka inkurajuar pjesëtarët e komunitetit rom që të interesohen edhe vetë për të gjetur punë në sektorin privat.
Sa i përket lirisë së lëvizjes dhe sigurisë së përgjithshme, komuniteti rom nuk ka ankesa, për çka meritat më të mëdha i takojnë policisë së Kosovës. Majori Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se policia do ta vazhdojë ta kryej punën e saj me përkushtimin më të madh, në mënyrë që të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Gjilanit, të ndihen të sigurta.
Lehtësi për komunitetin rom të besimit mysliman ka krijuar edhe Bashkësia Islame. Agim Hyseni (KBI), ka thënë se romët janë të barabartë në objektet fetare, madje shpeshherë edhe të privilegjuar sa i përket rendit në faltore dhe te shpërndarja e ndihmave.
Përndryshe, me diskutimet e tyre kanë kontribuuar në zgjidhjen e këtyre problemeve, edhe prifti serb, Dragan Kojiq, përfaqësuesi i komunitetit rom, Fadil Demiroviq, përfaqësuesi ligjor i Avokatit të Popullit, Shemsedin Mustafa dhe të tjerë, duke thënë se komunitetit rom duhet t`i krijohen kushte më të mira për jetë në këtë qytet.
Gjilani është qytet që nuk bën dallime, ka thënë Fadil Kajtazi nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.