Kjo ndodhi sot në Qendrën për patentë-shoferë në Gjilan dhe si duket edhe në disa qendra të tjera, ku ekzaminuesit me kontrata të skaduar, nuk deshën të fillojnë testimin, përderisa nuk iu bënë kontratat një mujore. Pyetja thelbësore është se çfarë vlerësimi mund të bëjnë këta persona dhe sa korrekt janë ata në vlerësim?
Xhylije Ibrahimi
Pasojat nga qeverisja e “mirë” e ish-ministrit Lutfi Zharku, agës së Kaçanikut, u reflektuan edhe sot në qendrat për patentë-shofer. Se punët në Kosovë bëhen shkel e shko, kjo nuk është ndonjë risi, por që të arrijë puna deri në këtë shkallë, sa ligji të shkelet në vazhdimësi, është më shumë se mjerim. Nuk ka dyshim se pasojat e “ligjeve të agës” po i paguan qytetari, në një mënyrë, apo tjetër.
Ministria e Infrastrukturës, gati para tri vitesh, derisa udhëhiqej nga ish-ministri Lutfi Zharku, në Njësinë e patentë-shoferëve pati bërë disa ri-rreshtime të zyrtareve, pyetësve (ekzaminuesve) të shoferëve të rinj. Problemi nuk qëndron tek ndërrimi i ekzaminuesve, po te mënyra se si u bë ky ndërrim.
Ekzaminuesit e ,,vjetër” u zëvendësuan me të rinj dhe atë me “kontrata në vepër”. Marrëdhënia e punës me kontrata në vepër po zgjatë (me vazhdime) tash e gati tre vjet.
Ata që e njohin ligjin, po edhe ne që dimë të lexojmë ligjet, e marrim vesh se si, në çfarë rrethanash dhe sa duhet të zgjas kjo kontratë. A thua kjo Ministri, kjo Njësi, nuk pati mundësi për hapje konkursi për kaq kohë?
Pyetja tjetër: Si dhe nga cilat para paguhen këta ekzaminues?
Krejt kjo nuk është “asgjë” para pyetjes thelbësore në këtë problem: Sa seriozë dhe sa korrektë mund të jenë këta ekzaminues në vlerësimet e tyre për shoferë të rinj, kur dihet se çfarë kontratash pune kanë, aq më tepër kur janë të vetëdijshëm se ,,sot janë e nesër mund të mos jenë”.
Kjo ndodhi edhe sot në Qendrën për patentë-shoferë në Gjilan dhe si duket edhe në disa qendra të tjera, ku ekzaminuesit me kontrata të skaduar, nuk deshën të fillojnë testimin, përderisa nuk iu bënë kontratat një mujore.
Po nesër, çfarë do të bëhet ? Sa më përngjan kjo situatë me thënien ,,to be or not to be” (të jesh apo të mos jesh).
Ka shumë punë për të bërë ministri Pal Leka. Ligjet e agës së Kaçanikut kanë lënë pasoja të mëdha në këtë sektor.
……………………………
(Autorja është instruktore në Gjilan, njëherësh master i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë)