OPINION

Dokumentet franceze: Ja sa shqiptarë e sa serbë pati në Perandorinë Osmane para Luftës së Parë Ballkanike

 Shkruan : Enver Sadiku

Lufta e Parë Ballkanike  kishte përfunduar me humbjen e territoreve të Perandorisë Osmane në Evropë. Mbretëritë e vogla Ballkanike të Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi, që kishin lidhur aleanca mes veti kishin zgjeruar territorin e tyre, kurse fuqitë e mëdha të kohës, me vëmendje po i përcillnin zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit.

Popuj të ndryshëm nga një pushtim disashekullorë iu nënshtruan një pushtimi tjetër e më së shumti pësoi populli shqiptar, gjysma e të cilit mbeti jashtë trojeve të shtetit amë. Fuqitë e Mëdha, para luftës ishin deklaruar  se do të ruhej status quo, por kur Lufta Ballkanike kishte përfunduar dhe në prag ishte një luftë tjetër ndërmjet aleatëve të deridjeshëm kishin nisur të merreshin me përkatësinë etnike të popujve që e përbënin Perandorinë Osmane, e cila regjistrimet e popullatës i bënte në bazë të përkatësisë fetare dhe ata i ndante në myslimanë dhe të krishterë.  Pas Luftës së Parë Ballkanike ishte ngritur droja se çfarë do të ndodhte me popujt që jetonin në Perandorinë Osmane.

Në një pjesë të nxjerrë nga Ditari i Shoqërisë së Statistikave të Parisit, të shkurtit të vitit 1913 (Extrait du Journal de la Société de Statistique de Paris – numéro de février 1913” për Elementët Demografikë të Perandorisë Osmane (Eléments démographiques de l’Empire Ottoman)  para Luftës së Parë Ballkanike, thuhet se deri më tashti pak është ditur se cilët kombësi përbëjnë Perandorinë Osmane. Për këtë qëllim tashti ishte me interes që të flitet për elementët etnikë që do të shkëputen nga Perandoria Osmane pas Luftës Ballkanike.

Pasi ceken të gjithë popujt që përbëjnë Perandorinë Osmane ku numërohen ndër të tjerë turqit, turkomanët, arabët, grekët, bullgarët, kurdët, armenët, shqiptarët, serbët, kozakët, izraelitët, cincarët, vllahët, çerkezët, romët, sirianët, latinët e popuj të tjerë, në këtë dokument shtrohet pyetja se si do të mbetet përbërja etnike pas Luftës së Parë Ballkanike.

Interes i yni në këtë punim është se si i paraqiste ky dokument popullatën shqiptare dhe atë serbe, problem ky që prej asaj periudhe edhe tashti është aktual.

Propaganda serbe në prag të Luftës së Parë Ballkanike, gjatë mobilizmit të popullatës së vet për luftë gjithnjë këtë luftë e kishte arsyetuar me të dhënën se po shkonte për të çliruar popullatën serbe që mbi 500 vite kishte hequr keq nën sundimin osman.

Mirëpo krejt ndryshe flasin statistikat në dokumentin që e kemi në trajtim, i cili kur flet për popullatën serbe në Perandorinë Osmane qet në pah se serbët ishin shumë pak në numër dhe se ata nuk kishin pasur synime për t’iu bashkëngjitur Mbretërisë së Serbisë.

Por çfarë flet ky dokument për shqiptarët? Sipas këtij dokumenti, shqiptarët dallohen shumë nga popujt tjerë që jetojnë nën Perandorinë Osmane edhe sa i përket aspektit etnologjik, por edhe atij demografik. Sipas këtij dokumenti shqiptarët ndahen në gegë, që jetojnë në veri dhe në toskë që jetojnë në mes. Ata përbëjnë një popullatë prej një milion e gjysmë dhe  tri të katërtat e tyre i përkasin fesë myslimane, 200.000 prej tyre janë katolikë romanë dhe të tjerët janë krishterë ortodoks.

Sipas këtij dokumenti, shqiptarët katolikë i përkasin Arqipeshkvisë së Durrësit dhe janë nën mbrojtje të Austrisë.

Krahas hulumtimeve të mëhershme që janë bërë në lidhje me këtë problematikë ky dokument është një dëshmi shtesë se popullata shqiptare ka qenë shumicë në trojet që ishin të sajat, por që pas Luftërave Ballkanike dhe terrorit që është ushtruar  ata  kishin rënë nën sundimin e Serbisë pas vitit 1912.

You Might Also Like