Libri

Alush Canaj, ylli i letrave shqipe që u shua pa e puthur lirinë

Krijimtaria e plotë letrare e poetit Alush Canaj është përmbledhur në veprën “Mbrëmë e putha lirinë”, e cila është botuar shumë vite pas vdekjes tragjike të autorit. Këtë libër për shtyp e ka përgatitur poeti i mirënjohur kosovar, Avdush Canaj, vëlla i autorit.
Alush Canaj në fund të viteve të gjashtëdhjeta ishte konsideruar si një yll që po futej me plot sukses në letrat shqipe, por që siç thotë edhe Ragip Ramaj, në hyrje të këtij libri, ky yll u shua që në shkëlqimin e tij të parë.
Alush Canaj ishte një autor shumëdimensional, ai shkroi vjersha, tregime e u mor edhe me vizatime dhe shumicën prej tyre i kishte botuar në gazetat dhe revistat e kohës. Kjo nuk është vepra e parë e botuar e Alush Canajt, ngase më 1992, i vëllai i poetit, Avdushi, kishte përgatitur për botim veprën “Vals veror”.
“Mbrëmë e putha lirinë” është një vepër e ndarë në gjashtë cikle “Në krahët e erës”, “Do të shkoj tek ylli”, “Nënkresa më e mirë”, “Dashuri e nanës do t’i vrasë”, “Ty të dua” dhe “Shqiponja e maleve”. Në këtë vepër është përfshirë edhe një cikël tregimesh nën titullin “Zemërarta”, ka fletëza ditari të autorit si dhe dy përkthime. Në këtë libër janë 71 vjersha, disa nga të cilat ( 29 sish) e shohin dritën për herë të parë dhe që janë ruajtur nga familjarët, kurse lexuesi do të mund të njihet edhe me autorin nëpërmjet fotografive të këtij autori që u vra në moshë të re, në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, me ëndrrën për liri të popullit të vet.
“Vjershat e tija kanë thellësi mendimi, trajtojnë dhe prekin aspekte të jetës reale, por edhe shpesh i japin hapësirë e liri fantazisë, që në krijimtarinë për fëmijë është shumë e rëndësishme dhe vargu poetik fuqizohet edhe më shumë”, thekson në parathënie të këtij libri, Ragip Ramaj, i cili autorin e cilëson ushtar lirie, ngase me krijimet e tija frymëzoi masat për çlirim dhe në fund edhe sakrifikoi jetën e tij për qëndrimet e tija.
Në veprën “Mbrëmë e putha lirinë”, Alush Canaj trajton tema patriotike, ai shpërfaq atdhedashurinë, shpreh revoltën për ndarjen e trungut shqiptar, trajton fatin e kombit të ndarë, sikurse që trajton edhe ëndrrën për liri.
Gjithashtu Canaj, trajton edhe tema nga jeta e gëzuar e fëmijëve, por i këndon edhe dashurisë, ndërkohë që në fletëza ditari ka shkrime që tejkalojnë ditarët e zakonshëm e poeti i ri është dëshmuar edhe si përkthyes i spikatur, gjë e cila shihet ne dy përkthime që janë pjesë e këtij libri.
Meritorë për botimin e këtij libri janë familja e poetit e sidomos i vëllai, Avdushi, që gjithashtu për lexuesit është i njohur në letrat shqipe. Alush Canaj ishte veprimtar dhe organizator i spikatur i veprimtarive kulturore, letrare në jetën shkollore si gjimnazist.
Pas kryerjes së gjimnazit regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ndonëse nuk mundi ta durojë atë jetë urrejtëse e robëruse ndaj shqiptarëve. Alushi, deri sa ishte në Beograd, u shkruante shokëve letra dhe u tregonte për padrejtësitë që u bëheshin. shqiptarëve. Qytetin student të Beogradit e quante qytet i zi. Për veprimtarinë e tij pushteti disa herë e kishte ftuar në biseda informative.

You Might Also Like