Libri

Me rastin e përurimit të Bibliotekës së akademik Idriz Ajetit në Bibliotekën “Fan S. Noli” Të Gjilanit

 
 
Të nderuar të pranishëm!
 
Ngjarjen e sotme, të organizuar në Bibliotekën “Fan S. Noli” të Gjilanit, me rastin e inaugurimit, përkatësisht, përurimit të bibliotekës së akademik Idriz Ajetit, ku po marrin pjesë, njerëz të dijes, shkencës, të kulturës e të pushtetit, në këtë mjedis kulture, do ta quaj si DITË EVOKIMI E PËRURIMI
Po të ishte gjallë akademik Ajeti, sot do t’i kishim uruar 104-vjetorin e lindjes, porse ai sot është në amshim. Ky Lis i Madh, siç po e quajnë me të drejtë disa – “mbiu” më 26 qershor 1917 (e ndoshta edhe me 7 a 27 janar 1917), në një cep të Kosovës Lindore, në Topallën e Medvegjës, në ato tërthore që me shekuj nuk gëzuan të drejtën e tyre të jenë pjesë e Shqipërisë etnike. Mbiu atje për të lëshuar rrënjë të thella në të gjitha trojet e përtej trojeve shqiptare.
Profesori gëzoi në jetën e tij të begatë 102 pranvera të bardha, sa pak kush mbërrin atë cak. Ai më 13 shkurt 2019 u nda për së gjallësh nga kjo botë, u nda nga familjarët e farefisi, nga ish mësuesit e Tij, studentët e shumë gjeneratave që i pati, shokët me të cilët punoi, studiuesit me të cilët debatoi për më shumë se 7 dhjetëvjetësha për gjuhën, historinë e kulturën tonë.
Atë ditë, dimri të ashpër, në portalet e gazetave tona, lexova se iku, por vetëm fizikisht – do të thoshim ne, Arushani ynë, Klasiku i fundit i albanologjisë, Rrapi Shekullor – Akademik Idriz Ajeti.
Ishte ky kumt i trishtuar, për të gjithë ata që e patën Profesor, për ata që e njohën e, besojmë, edhe për ata që kishin lexuar e dëgjuar për Akademik Ajetin. Për këtë burrë kurriz-drejt – siç është shprehur në një film dokumentar të TVSH-së, në vitin 2007, miku e dashamiri i madh i Profesor Idrizit, akademik Gjovalin Shkurtaj. Me të mësuar këtë lajm të hidhur, i rëndë si plumbi, edhe mua m’u zu fryma, më shtangu për një çast, pa e kujtuar moshën e madhe që mbërriti dhe vitet që Profesori i kaloi me dinjitet e shembull të rrallë. E veçanta për mua mbeti, që asohere të qes në letër disa rreshta, më parë se shumëkush tjetër, për fatin e mirë që pata nga se Akademik Ajetin e kisha profesor në Fakultetin Filozofik dhe udhëheqës diplome, magjistrature e doktorate. Për më tej, të gjithë titujt universitarë dhe madje propozimin për anëtar korrespodent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i kam kurorëzuar me nënshkrimin e parë të Tij.
Edhe pse la pas vete një shekull e sa jetë, 5 vëllime të veprave studimore që i botoi ASHAK-u gjatë viteve 1997-2002, qindra studime, kumtesa të mbajtura në konferenca shkencore, seminare, kongrese, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, serbokroatisht, gjermanisht, frëngjisht, ose në gjuhë të tjera, nuk ma kënda të bindem edhe sot se mes nesh nuk gjendet më Nestori i shqipes së shkruar – bash shqip. I një shqipeje të lëngshme, të cilën nuk e kemi ndeshur deri më sot e zor se do ta lexojmë e dëgjojmë edhe nesër nga dikush tjetër. Këtë mirë e pati thënë poeti Haxhi Vokshi, kur profesori ishte në Gjilan (17 tetor 2012), se Idriz Ajeti: “Flet shqip // Shqip mendon // Shkruan shqip // Fle shqip // ëndërron shqip (Vetëm shqip)”.
Të gjithë ata të cilët i kanë pasur në dorë veprat studimore të Tij, ku Profesor Ajeti ka shpërfaqur mendimin e tij shkencor me aq akribi, që do t’ia kishte lakmi edhe fanatiku më i madh, do të përmendet si një studi¬ues me përvojë të gjatë e me ndihmesa shumë të rëndësishme, si në fushën e kulturës, të arsimit e të shkencave albanologjike – në veçanti: në dialektologji, histori të gjuhës, onomastikë dhe gramatikë historike të shqipes, po edhe në fushat e tjera, si çështja e drejtshkrimit dhe përgjithësisht standar¬dizimi i shqipes dhe kultura e gjuhës (për të cilat çështje, një ditë do të mësojmë edhe më shumë nga një Monografi më e plotë të cilën, me sa di unë, po e përgatit kolegu im, prof. dr. Begzad Baliu.
Edhe diçka: më 17 tetor 2012, kur Biblioteka e Gjilanit shënonte 40 vjetorin e punës së madhe të saj, pas një bisede paraprake me kryetarin e atëhershëm zotëri Qemal Mustafën e ish drejtorin e Biblliotekës, zotëri Shefki Osmanin, që në atë ditë të shënuar, kur profesor Ajeti kishte 95 vjet, u dakorduam që kryeprotogonisti i asaj ngjarje të jetë pikërisht profesor Ajeti. Se a do të mund të vinte profesori në Gjilan, bisedova me bashkëshorten e tij, zonjën Hajrije, e cila më tha: “E kanë ftuar edhe në Gjakovë, por nuk shkoi atje, kurse në Gjilan do të vijë, sepse Idrizi Gjilanin e konsideron edhe si vendlindje të tij të dytë”. Dhe e erdhën tok këtu, që ishte dhe hera e fundit që profesori të shohë Gjilanin që e donte aq shumë.
Zatën nga këta tre përbërës: unë si student i profesor Ajetit, kolegu Begzad si një kronolog i jetës dhe i veprës së madhe të profesorit tonë, e sidomos për simpatinë e madhe që profesori kishte për këtë qytet, për të cilin poeti ynë i madh Rifat Kukaj kishte thënë: “Pa Gjilan, nuk ka vatan”, ishte edhe iniciativa jonë që, në bazë të amanetit të profesorit dhe dëshirës së pasardhësve të Tij, biblioteka e profesorit të bartet në Gjilan, si qendër universitare-arsimore e shkencore e Anamoravës, duke përfshirë në këtë krah edhe 3 bashkësitë komunale të Kosovës Lindore: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku edhe e kishte vendlindjen profesor Ajeti, këtu e 104 vjet më parë.
Akademik Ajeti, si njeri me diapazon të gjerë që ishte, e bënte atë që të mos përkulet kurrë, e jo se jo të dorëzohet, as para politikanëve tanë e as atyre të huaj, sigurisht, as para të të ashtuquajturve “dijetarë” sllavë, të cilët me vite e shekuj, si lugetër, me paragjykimet dhe detyrat që kishin marrë, nga paria e tyre nacional-shoviniste, përpiqeshin e përpiqen edhe sot që përmes “objektivitetit shkencor”, të peshuar në kandarin e tyre, që nuk ka matur e nuk mat mirë asnjëherë, të shpjegojnë “të vërtetën” e tyre për Ilirikun e dikurshëm – Kosovën e sotme dhe për tërthoret e tjera të gjeografisë shqiptare dhe të caktojnë, jo vetëm fatin por edhe “shtëpinë tjetër” të shqiptarëve. Të tillëve shkencëtarë – propagandistë serbë, të cilët satanizmin e tyre nuk reshten së ndaluri kurrë, përveçse në veprat dhe në tubimet e tyre “shkencore”, nuk prajtën të vjellin helm ndaj nesh as edhe në organet më të larta partiake e shtetërore, siç ishte edhe rasti në Kongresin IX të LK-së të Serbisë (1982), në të cilin kongres, po në mes të Beogradit, Profesor Idrizi me reagimin e tij dinjitoz, të guximshëm dhe të vendosur, u dha përgjigjen që edhe e kërkonin, të gjithë atyre të cilët çështjen shqiptare më me qejf e shtrembëronin sesa ta paraqesin çfarë ka qenë e çfarë është.
Qëndrimin e tij prej shkencëtari të rysur, Profesor Ajeti e përvijoi edhe në polemikat e zhvilluara me Petar Zhivadinoviqin, dr. Jovan Deretiqin, akademik Sima Qirkoviqin (me të cilët nuk ishin pajtuar as edhe kroati prof. dr. Radoslav Katiçiqi e ilirologu i njohur dr. Aleksandër Stipçeviqi) në mbledhjen e 46 të Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë së Jugosllavisë (1982) e, Profesori ynë nuk kishte heshtur as ndaj shkrimeve të njëanshme dhe kuazi-shkencore të gazetarit të gazetës “Politika” të Beogradit, Sava Dautoviqi, e sa e sa të tjerëve.
Nuk deshëm që ky evokim – përurim i bibliotekës së Tij sot këtu, t’i ngjasojë një tryeze shkencore, andaj, po shtojmë vetëm edhe disa radhë për Të dhe jetën e Tij.
Me gjithë moshën e madhe që kishte, Akademiku ynë, deri në vitet e fundit të jetës, ngjitej këmbë edhe në katin e katërtë të banesës së vet. Madje, ditën që e vizituam, më 24 nëntor 2016, bashkë me kolegun tim, profesor Begzadin, pak ditë pa i mbushur të 100-tat, për të marrë bekimin e Profesorit për të botuar një libër “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti” – dhuratë për Të, atë e gjetëm duke lexuar në tavolinën e punës. Arushani si arushani, siç e quanim ne – studentët e tij dikur, nuk ndahej prore nga libri e biseda për shkencën. Edhe për atë gjysmë ore që ia morëm Profesorit, bisedën e kishte te gjeneza e shqiptarëve, te shqipja, te “gjuha jonë sa e mirë…”, te drejtshkrimi i shqipes dhe shkelësit e saj, e ku jo tjetër?
Për të gjithë ne, pra, Akademik Ajeti ishte dhe mbetet një ndër themelvënësit e arsimit të lartë dhe të shkencës albanologjike në Kosovë, por edhe fanar i shkencës shqiptare në përgjithësi. Emri i tij do të zë një vend nderi në historinë e arsimit e të kulturës sonë, krahas figurave më të shquara, si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Selman Riza, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Ali Hadri e të tjerë.
Megjithatë, derisa emrat e këtyre dijetarëve janë të skalitur në mbishkrime universitetesh, institucione arsimore e shkencore, gjithandej trojeve shqiptare, jo edhe emri i Akademik Ajetit!
Nga ajo që u pa edhe me rastin e vdekjes së tij, e vërteta dukej e dhimbshme, shembull i keq i një mentaliteti mikroborgjez, për të mos thënë edhe diçka tjetër.
– Në mbledhjen përkujtimore për Të, nuk ishte i pranishëm asnjë politikan e udhëheqës i rangut të lartë!
– Nuk ishte aty as Ministri i Arsimit, edhe pse godina e MASHT-it ka vetëm nja 50 -60 hapa larg nga ajo e ASHAK-ut, ku u mbajt mbledhja e ju bë homazhi i fundit Profesorit!
– Nuk u shpall asnjë ditë zie për Të, edhe pse, pos veprimtarisë shkencore mbi 70-vjeçare, pati edhe postin rektorit të dytë të UP-së, drejtor i Institutit Albanologjik, drejtor shumëvjeçar i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (madje drejtor nderi deri në vdekje), dy mandate kryetar i ASHAK-ut (1979/”81 dhe 1996/’99), kryetar i Parlamentit të Kosovës (1998), anëtar i delegacionit shqiptar në Rambuje (shkurt 1999), deri edhe me titullin Akademik etj.!
– Edhe mbledhja përkujtimore e UP-së u mbajt gati një javë pas varrimit të Profesorit, pasi dikujt, tek atëherë i ra në mend se Profesor Ajeti ishte edhe profesor universiteti më se një gjysmë shekulli!
– Në varrimin e Profesorit, nuk kishte më tepër se dy autobusë njerëz. Atë ditë aty nuk ishte as çereku i çerekut të profesorëve të gjuhës – dikur studentë të Profesorit, e të mos përmendim udhëheqës shteti!
– Familjes së Profesorit, me sa dimë ne, Qeveria e Kosovës nuk i ofroi asnjë qindarkë ndihmë për ceremoninë e varrimit!
– Nuk ju sigurua asnjë lokal publik a privat për pritjen e njerëzve për mort!
– Edhe shtëpitë televizive e kaluan ngjarjen pa bujë, madje edhe televizioni publik, RTK-ja, nuk e zu në gojë emrin e Profesorit as sa të një militanti të ndonjë partie kur e gjen vdekja në fushë të sportit!
Të gjitha këto dëshmojnë, ndoshta, më tepër se të shkruhet një vepër – për mjerimin tonë, mendësinë e primitivizmit e të skllavërisë shpirtërore, kur kihet parasysh një njeri çfarë ishte Akademik Idriz Ajeti.
Miku i Profesor Ajetit, profesor Emil Lafe, në letrën e tij në ndarje të Profesorit nga kjo botë, shkruan: ”Idriz Ajeti do të mbetet në kujtesën e brezave si përmendore e gjallë e fisnikërisë së shpirtit, e burrërisë dhe e mençurisë së kombit shqiptar. Ai do të mbetet një shembull i lartë që do të na mësojë ta gjejmë frymëzimin e krijimit te ato gurra të pastra që frymëzuan dhe ushqyen veprën madhështore të tij”.
Dhe neve, kësaj radhe, sado që me përmallim po i shkruajmë këta rreshta, nuk na mbetet tjetër, pos të themi:
Faleminderit shumë, Akademiku ynë, Nderi ynë, Mësuesi i mësuesve tanë, për punën dhe veprën kolosale që na le, me bindje të thellë se Ju, me të drejtë, keni siguruar vendin në Panteonin e burrave të pavdekshëm të kombit shqiptar.
Faleminderit profesor për testamentin e lënë familjarëve Tuaj, në çastet e fundit të ndarjes nga kjo botë, që librat Tuaj të gjenden në sirtarët e Bibliotekës së qytetit të Gjilanit, të cilin bekim e çuan në vend pasardhësit dhe dy ish studentët Tuaj, natyrisht, me përkrahjen e pakursyer të kryetarit të komunës së Gjilani, z. Lutfi Haziri, të drejtoreshës së Kulturës, zonjës Deniza Limani, drejtorit të Bibliotekës, zotëri Qazim Azizi dhe e të gjithë punonjësve të kësaj vatre të kulturës, të cilëve duhet shprehur mirënjohje të lartë që treguan respekt e dinjitet së paku me këtë vepër të realizuar.
Nga sot e përgjithmonë, dashamirët e librit e të shkencës, nga Gjilani e më gjerë: nxënës, studentë, studiues dhe dashamirë të tjerë të librit, do të kenë mundësi ta njohin albanologjinë, historinë e saj e të shqiptarëve edhe më hollësisht e ta falënderojnë bardin e kësaj fushe – Akademik Ajetin, për punën e përkorë që kishte bërë gjatë shekullit të jetës së Tij.
Akademiku ynë, shpeshherë i kreshpëruar, ngrihej si Gjergj Elez Alija kundër bajlozëve të kohës, për ta mbrojtur gjuhën shqipe si shenjë kombi, kur ajo atakohej, dhe për të mbrojtur gurët e sinorëve të vatanit tonë aty ku e kishin vendin den baba den, e jo të shkuljes së atyre gurëve e të korrigjimit të mezhdave të shqiptaro-iliro-pellazgëve, për t’ju bërë qejfin karpatxhinjve.
Në një intervistë për Agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” (më 14 shkurt 2015), vetëm 4 vjet para se t’i mbyllë sytë, profesori botërisht ishte shprehur: “Shqipëria jonë, toka jonë, është deri në Nish”, një porosi e madhe, një kurajë por edhe një amanet që tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që sot vendosin për Kosovën.
Për gjithë kontributin e tij në arsim, shkencë e kulturë, e për të larë një pjesë borxhi ndaj Tij, ne edhe sot, nga ky vend, siç kemi propozuar edhe më parë, u propozojmë organeve shtetërore, arsimore e shkencore të Republikës së Kosovës, që për nderim të figurës së Akademik Idriz Ajetit, të shkencës e të dijes sonë, bile njëri nga dy institucionet e larta arsimore-shkencore të Kosovës, nëse jo më tepër, të emërtohet me emrin e Akademik Ajetit:
INSTITUTI ALBANOLOLOGJIK ose FAKULTETI I FILOLOGJISЁ I UP-së
Po edhe kryetari Lutfi Haziri, do të bënte mirë, pse jo, të zgjasë dorën e ndihmës, si dashamirë, kur është fjala për arsim, shkencë e kulturë, të ngreh bile një bust në oborrin e Bibliotekës së qytetit a në qytetin tonë, që do të ishte nder për profesorin Idriz, nder për qytetin e Gjilanit, nder për kryetarin komunës, po nder edhe për të gjithë qytetarët e Anamoravës, krahas busteve e shtatoreve të atyre që luftuan dhe flijuan jetën për vendin tonë e që sot i ka Gjilani, pa i zënë në emër veç e veç me këtë rast.
Mbesim me shpresë se akëcili nga këto PROPOZIME do të gjejë mirëkuptim dhe do të TUMIRET – siç thoshte Akademik Ajeti, nga organet tona arsimore-shkencore e shtetërore.
Ju falem nderit për durimin!
 
Gjilan, 26 qershor 2021
 
 
Prof. dr. Bahtijar Kryeziu

You Might Also Like